Skuka dhe Hoti, dueti virtuoz i Partizanit/ Dyshe super, dinë t’i fitojnë ndeshjet falë cilësive individuale

Më në fund, Partizani duket se ka gjetur lojtarë që marrin përgjegjësi dhe dinë ta fitojnë ndeshjen edhe të vetëm, falë aftësive të tyre individuale.

Skuka Hoti

Xhuliano Skuka është pa dyshim lojtari më vendimtar në këto dy ndeshje, por jo vetëm ai, pasi edhe Hoti po tregon se është një lojtar me personalitet dhe di të bëhet hero kur skuadra ka nevojë. Nëse për momentin emri i tretë në sulm nuk është fiksuar përfundimisht nga Kolela, Skuka dhe Hoti tashmë e kanë nisur duetin e tyre dhe nuk po stonojnë aspak.

LIDHJA – Hoti erdhi vetëm në verë te Partizani dhe as edhe një sekondë më parë nuk e kishte pasur Skukën në skuadër, por për shumë pak kohë, ata krijuan një ndërveprim perfekt me njëri-tjetrin në fushë. Hoti dhe Skuka, me karakteristikat e tyre, i nxjerrin më në pah cilësitë njëri-tjetrit.

Hoti është një lojtar që e mban topin dhe mundohet të gjejë zgjidhjen më efikase për t’u afruar te porta e kundërshtarit dhe kur përpara tij ka një si Skuka, gjithçka bëhet e lehtë. Dibrani njihet për shpejtësinë e tij dhe vertikalizimet e telekomanduara të Hotit kanë dikë të aftë t’i shfrytëzojë. Kështu, dibrani ka një lojtar që i shërben si duhet dhe e nxjerr në situata një kundër një, ku ai është një “vrasës gjakftohtë”.

PËRGJEGJËSITË – Hoti dhe Skuka janë dy lojtarë që e ndiejnë se duhet ta bëjnë punën e tyre në fushë në perfeksion. Ata kanë një personalitet që “vihen në sedër” në momentin kur skuadra nuk merr rezultat dhe ata nuk e bëjnë si duhet punën e tyre.

Ky është një virtyt që po humbet çdo ditë e më shumë, pasi lojtarët e shohin futbollin më shumë si një profesion ku fiton mirë, sesa si një lojë, tek e cila i ka dërguar zemra dhe ndjenjat.

SHOKË – Të dy janë djem shumë miqësorë dhe më e rëndësishmja, janë shokë me njëri-tjetrin edhe jashtë fushës. Hoti është gjuajtësi i parë i penalltive, por ndaj Laçit ai vendosi t’ia lërë Skukës. Ky i fundit e falënderoi gjatë festës.

“ZHGËNJIME” KRYEQYTETASE – Një tjetër e përbashkët mes Skukës dhe Hotit është se vijnë te Partizani nga aventura jo të suksesshme te dy rivalët e tjerë kryeqytetas. Hoti vjen si rezervë gjatë gjithë sezonit te Tirana, ndërsa Skuka kaloi gjashtë muaj të vështira te Dinamo.

DENIS LALA – Arena e Lajmit


Skuka dhe Hoti, dueti virtuoz i Partizanit/ Dyshe super, dinë t’i fitojnë ndeshjet falë cilësive individuale

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook