Jorgo Meksi është zyrtarisht një lojtar i Kukësit.
Atë që “Panorama Sport”e paralajmëroi më herët ndodhi, me mbrojtësin e djathtë që ka hedhur firmën në kontratë për dy sezonet e ardhshme.
27-vjeçari do të ritakohet me teknikun Skënder Gega, me këtë të fundit që e ka kërkuar me ngulm në skuadër, edhe për shkak të emergjencës që kishte në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Gazeta mëson edhe detajet e këtij transferimi, me lojtarin që do të marrë një pagë prej 2 mijë eurosh në muaj, një shifër e ulët duke marrë parasysh se pritet të jetë një titullar fiks te blutë.
Meksi ka afro shtatë muaj që nuk luan për shkak të një dëmtimi, teksa ndeshja e tij e fundit daton më 9 shkurt të këtij viti në përballjen midis Teutës dhe Skënderbeut në Kupën e Shqipërisë, ku aktivizua për 30 minuta në pjesën e dytë.
Në Kukës shpresojnë që të jetë rikuperuar tërësisht dhe të bashkohet menjëherë me skuadrën, në mënyrë që të vihet sa më parë nën urdhrat e Gegës.
PRAPASKENAT – Deri në momentet e fundit ka qenë Partizani shumë afër firmës me mbrojtësin, me të kuqtë, që i kanë ofruar një pagë prej 2500 eurosh në muaj dhe i kanë kërkuar të vendoste sa më shpejt, duke i caktuar edhe një afat.
Gazeta mëson se ish-futbollisti i Skënderbeut i tejkaloi këto afate për të dhënë një përgjigje për të kuqtë dhe më pas u vetëofrua sërish te kryeqytetasit, por kësaj here ishin drejtuesit e Partizanit ata që e refuzuan.
Në fund, doli në skenë pista e Kukësit dhe mbrojtësi pranoi edhe për një shifër më të ulët, për shkak se nuk kishte më mundësi zgjedhjeje.
Mësohet se ka qenë insistimi personal i Gegës për ta afruar, edhe për vetë faktin se Meksi ka pasur pretendime që të vijojë një aventurë jashtë vendit.
ZYRTARIZIMI – Vetë klubi i Kukësit ka zyrtarizuar marrëveshjen me mbrojtësin nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, duke i uruar edhe mirëseardhjen ish-futbollistit të Skënderbeut.
“Futboll Klub Kukësi njofton se mbrojtësi i djathtë Jorgo Meksi është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë.
Meksi ka firmosur me klubin tonë për dy sezonet e ardhshme, duke u bërë në këtë mënyrë futbollisti më i ri i skuadrës sonë.
27-vjeçari Meksi vjen te Kukësi nga ekipi i Skënderbeut, ku ka luajtur në Kategorinë Superiore, teksa në të shkuarën ka qenë pjesë edhe e ekipit të Panionios e Ilisiakos në Greqi”, mbyllet njoftimi i klubit të Kukësit, që në këtë merkato ka qenë pa dyshim një nga më aktivët.
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme verilindorët kanë zyrtarizuar edhe tre lojtarë nigerianë, Sodiq Oseni, Shamsuddeen Sani dhe Daniel Momoh.
Ata i bashkohen Kukësit U-21 dhe do të jenë nën vëzhgim për ekipin e parë.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit