Kukësi bën goditjen e fundit në merkaton e verës. Pesë minuta para se të mbyllej zyrtarisht afati i transferimeve, pikërisht në orën 23:55 të datës 31 gusht, verilindorët kanë arritur të regjistrojnë sulmuesin brazilian Gabriel Barbosa Avelino. “Panorama Sport” zbuloi ekskluzivisht në paraditen e së enjtes se sulmuesi 23-vjeçar vjen te Kukësi në formë huazimi deri në fund të sezonit nga klubi brazilian Palmeiras.
Nga shkurti deri në maj të vitit 2022, Barbosa ka qenë pjesë e Levadhiakosit që militon në kampionatin grek, ku kishte arritur një marrëveshje që i skadonte në vitin 2024, por me një opsion blerjeje të kartonit.
Blutë e Skënder Gegës kërkonin me ngulm një “pykë” në këtë fund merkatoje dhe kanë arritur te gjurmët e gjigantit brazilian, i cili është i gjatë 1.95 metra. Më 21 gusht, ai ka qenë në stol gjatë ndeshjes së Superligës greke Aris-Levadhiakos, 3-0. Në periudhën shkurt-maj për kampionatin e kaluar, në 12 ndeshje të luajtura, arriti të shënojë katër gola.
Pritet që me mbërritjen e tij në Shqipëri, klubi të bëjë zyrtarisht edhe prezantimin dhe të vihet menjëherë nën urdhrat e teknikut. Kartonin e 23- vjeçarit e ka ende Palmeirasi, që i ka vendosur një çmimi fiks prej 1 milion eurosh për shitjen, duke mos pranuar më pak sesa kjo shifër.
Për këtë arsye, lojtari është dërguar huazim në Europë, me synimin që të shkëlqejë dhe të bjerë në sy të skuadrave që i kanë këto mundësi financiare.
Me pak fjalë, një sulmues premtues dhe që ka të dhëna shumë të mira, ndaj në Kukës shpresojnë që të kenë bërë goditjen e shumëpritur. Si për koincidencë, sulmuesi i ri i Kukësit ka të njëjtin emër si Gabigoli i famshëm që ka pasur Interi, që tashmë luan te Flamengo në Brazil.
KARRIERA – Barbosa e ka nisur karrierën te gjigantët e klubit brazilian të Palmeirasit, për t’u transferuar më pas te skuadra e Spalit në Serinë A italiane gjatë sezonit 2017- 2018.
Megjithatë, braziliani nuk pati hapësira për të luajtur në Serinë A me këtë ekip, edhe pse më 6 maj 2018 ka qenë në stol në ndeshjen Spal-Benevento 2- 0.
Më pas ai luajti në disa skuadra në Brazil, për të shkuar në Korenë e Jugut me ekipin e Seulit në pjesën e parë të sezonit 2021-2022, ku në 406 minuta arriti të realizojë edhe dy gola.
Në gjysmën e sezonit të fundit, shtatlarti ishte pjesë e ekipit grek Levadhiakos, ku dha kontributin e tij me shënimin e katër golave në 12 ndeshje.
Ajo që bie në sy është fakti që në katër golat që ka shënuar me grekët, kjo skuadër i ka fituar të gjitha ndeshjet, duke qenë në njëfarë mënyre edhe një hajmali për këtë klub.
Tashmë, pas shumë bisedimeve të drejtuesve verilindorë me menaxherin e lojtarit, ai do të jetë pjesë e Kukësit, aty ku pritet të mbajë edhe një rol titullari. Afrimi i tij ka qenë edhe dëshira e fundit e Gegës në këtë merkato, për të blinduar qendrën e sulmit.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit