Artur Melo ka pak gjasa që të debutojë sot në derbin e Liverpulit kundër Evertonit, ndërsa nuk e ka marrë lejen ndërkombëtare në kohë.
Mesfushori brazilian u bë ditën e fundit të merkatos afrimi i katërt i Jyrgen Klopit, i cili hyri në merkato për të zbutur krizën e dëmtimeve në mesfushë.
“Reds”-at huazuan nga Juventusi mesfushorin brazilian, i cili pret të marrë “Ok”-in për të luajtur në Premier Ligë nga autoritetet.
Tekniku gjerman u shpreh se ai do të jetë një lojtar i rëndësishëm këtë sezon në “Anfield”:
“Jam me të vërtetë i lumtur për transferimin e tij.
Sipas informacioneve të mia, ai nuk do ta marrë lejen ndërkombëtare deri nesër (sot), por ne shpresojmë që mund të luajë kundër Napolit.
Ai është një futbollist shumë i mirë, të gjithë e dimë këtë, me një karrierë emocionuese dhe ende shumë i ri.
Po vjen në moshën më të mirë.
Ai sjell ritëm dhe është një pasues shumë i mirë. Nuk funksionoi 100% te Juventusi, por më pëlqen sepse potenciali është ende atje. Ne luajmë ndryshe nga Juve”.
DARVIN NUNJEZ – Një nga rikthimet e rëndësishme sot është ai i Darvin Nunjezit, pasi shleu tri ndeshjet e pezullimit prej kartonit të kuq kundër Kristal Palasit.
“Ai është i lumtur që rikthehet, sepse edhe unë i dhashë një shuplakë në qafë gjithashtu, që ai të mos e harrojë. Anglishtja e tij nuk është përmirësuar shumë këto 10-15, kështu që nuk e di se si duket.
Por ai është në formë të mirë dhe duket më i ambientuar se kurrë”, tha tekniku i Liverpulit.
Arena e Lajmit