Rikthehet sot në Firence si kundërshtar/ Vlahoviç kërcënon të shkuarën dhe… Dibalën

Dy gola me dy goditje dënimi identike, spe ktakolare dhe mbi të gjithë në të njëjtën portë të “Allianz Stadiumit”.

vlahovic

E tillë ishte javë e kaluar nga ana e Dushan Vlahoviçit, i cili me 4 gola në 4 daljet e para për Juventusin në këtë sezon, po jep shkëndiat që të gjithë prisnin prej tij, pas një fundi faze të dytë nervoze, në sezonin e kaluar.

Madje, ai që kishte pasur dyshime për bomberin 22-vjeçar, se ndoshta ishte më shumë sesa i mbivlerësuar dhe se nuk i meritonte 80 milionë eurot e paguara për të, ai iu përgjigj duke vënë në vitrinë edhe specialitetin e fshehur të golave me goditje dënimi, duke rikthyer në kujtesën e tifozëve bardhezi emrat e legjendave Alesandro Del Piero e Andrea Pirlo, apo edhe të boshnjakut Miralem Pjaniç, të fundit që kishin shënuar në dy sfida radhazi me top nga vendi. Por ndërkohë, pasditja e sotme do të jetë një test shumë delikat për Vlahoviçin.

Pikësëpari do të rikthehet në vendin e krimit, në vendin e tradhtisë së madhe, në atë “Artemio Franki” të Firences që e adhuronte, por që nuk nguroi asnjë sekonda për ta shpallur armik, pasi vendosi t’i braktisë për bluzën e Juventusit.

Ndaj, është normale dhe e kuptueshme që sot i gjithë stadiumi dhe i gjithë qyteti i Firences të jetë kundër tij, ndonëse Dushan nuk duhet të vihet nën presion nga ky fakt, përkundrazi duhet të karikohet sa më shumë, pasi ka tri objektiva për të arritur në 90 minuta.

Dy janë të aspektit personal, ndërsa i treti është edhe më i rëndësishëm dhe i përket Juventusit.

Nëse e nisim nga fundi, bardhezinjtë janë në terr të plotë goli në dy transfertat e fundit (sezonin e kaluar e mbyllnin pikërisht në Firence ku mundeshin 2-0, ndërsa nuk shënuan as ndaj Sampdorias), në të cilat nuk kanë mundur që të realizojnë.

Prandaj, pikësëpari në Firence duhet ndryshuar ky trend i rrezikshëm, sepse tri ndeshja pa gola larg Torinos nuk shihen që nga periudha e Marçelo Lipit në stol, në vitin 1998, por edhe në atë rast, e treta regjistrohej pikërisht kundër Fiorentinës.

Ndërkohë, lidhur me aspektin personal, Dushan Vlahoviç, nuk ka realizuar kurrë për tri ndeshje me radhë, me bluzën e Juves dhe ndoshta është koha që ta bëjë këtë.

Për më tepër, asnjë që nga sezoni i kaluar, nuk ka shënuar më shumë gola me goditje dënimi se “DV9” (tre gola, së bashku me Kristiano Biragin e Fiorentinës dhe Lorenco Pelegrinin e Romës). Por nuk mbaron këtu…

Vlahoviç në 19 dalje me Juventusin në Serinë A ka shënuar 11 gola. Në epokën e tri pikëve, vetëm Kristiano Ronaldo (14), Gonzalo Higuain (14) dhe Paulo Dibala (12) kanë realizuar më shumë në 20 ndeshjet e para me Juven.

Ndaj, me një gol ai do të kapte mikun e larguar argjentinas. Por fakti që të ëndërrosh është pa para, nëse në Firence vjen edhe tripleta e tij e parë juventine, ai do të kapte edhe dy ujqërit e golit që kanë luajtur për “Zonjën e Vjetër”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA 


Rikthehet sot në Firence si kundërshtar/ Vlahoviç kërcënon të shkuarën dhe… Dibalën

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook