“Rama iu dha oligarkëve 250 mln euro dhuratë”, Meta bën bilancin e ‘zi’ për arritjet e qeverisë: Borxhi publik 107%, 1 mld euro abuzime

Whatsapp Image 2023 01 06 At 13.22.00

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij Meta tha se viti që sapo lamë pas ishte i vështirë për shqiptarët që sipas tij po varfërohen edhe më shumë.

“Pilulë elektorale pa impakt real në zbutjen e krizës së çmimeve dhe kostos së jetesës. Qeveria vendosi të ndajë 8 miliardë lekë ose më pak se 80 milionë dollarë për pensionistët dhe familjet në nevojë, edhe pse si pasojë e inflacionit të lartë, në 11 muaj arkëtoi 520 milionë USD. Ndërkohë që Rama trumbeton me të madhe “Pakon e Madhe” me 80 milion euro, sipas raportit të KLSH shpërdorimi dhe grabitja e taksave të shqiptarëve, kalon shifrën 1 miliardë euro, vetëm për periudhën janar-nëntor 2022. Shitjet, qiratë dhe koncesionet janë të parat sa i përket dëmit më të madh që i kanë shkaktuar Buxhetit të Shtetit.

1 miliard euro abuzime, fonde të mjaftueshme për t’u përdorur për mijëra familje që vuajnë rritjen e çmimeve të ushqimeve, për ndërtimin e shkollave dhe dhënien fund të mësimit me turne, për rritjen e pagave të pedagogëve, ndihmë për studentët etj. Stabiliteti financiar i vendit është më i tronditur se kurrë dhe Borxhi Publik ka kaluar 100% dhe shqiptarët kanë hyrë në borxh që të vjedhë Edi Rama dhe Qeveria dhe jo për të sjellë zhvillim pasi borxhi përdoret për të larë borxhe. (Shembulli se për 100 euro).

Në vitin 2013 borxhi publik ka qenë 62.4%, ndërsa sot, është 107%. Nëse Maqedonia e Veriut e shlyen borxhin e saj me 1 vit eksporte, në Shqipëri nevojiten 13 vite eksporte, sepse ky merr borxhe për të shlyer borxhe, që ky të fluturojë në luks dhe shqiptarët zhyten në mjerim.

Ndërkohë që për 695 mijë pensionistë në mbarë vendin Qeveria vendosi të ndajë 8 mijë lekë shpërblim, të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se më datën 27 dhjetor 2022, brenda një dite, Edi Rama ka kaluar në llogaritë e një grushti oligarkësh (kompani ndërtimi dhe honorare) rreth 100 milion euro. Rama u ndan pensionistëve nga 8 mijë lekë shpërblim në vit, vetëm disa bukë në muaj që nuk mjaftojnë as për mbijetesë.

Në mbledhjen e datës 12 dhjetor 2022, Qeveria ka miratuar 36 vendime për shtesë fondi në procesin e rindërtimit, sikur tërmeti ka rënë në këtë datë dhe jo në 2019. Me këto 36 vendime brenda 1 dite, Qeveria ka shtuar 158 milionë euro për klientët ndërtues që po bëjnë rindërtimin e banesave, të cilat do t’i administrojnë e shpërndajnë pa tenderë kryetarët e bashkive, si gjoja financime emergjence.

Ndërkohë që ndahen këto fonde për rindërtimin e banesave, muajin e kaluar (dhjetor 2022) Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi qeverisë shqiptare “të zbatojë menjëherë” masa për transparencë dhe llogaridhënie për fondet e emergjencave të tërmetit dhe pandemisë. 55% e fondit të investimeve u shpërnda vetëm për muajin dhjetor me akt normativ duke marrë dhe rreth 20 milion dollarë nga fondi i rezistencës sociale, për t’ja u çuar klientëve të vet. Në total gati 258 milion euro për një grusht oligarkësh si “shpërblim” për Vitin e Ri dhe 80 milion euro për 1 milion shqiptarë.

RAPORTI I KE
Indeksi i rritjes së korrupsionit ecën paralelisht me indeksin e rritjes së varfërisë. Falë “Rilindjes” jemi të parët për korrupsion në kontinent dhe rajon ndaj jemi të parët edhe për nivelin e varfërisë dhe pamundësisë të dy të tretave të popullsisë për të përballuar jetesën. Pothuajse 70% e punonjësve shqiptarë hasin vështirësi në plotësimin e nevojave të tyre mujore, përqindja më e lartë në Europë, sipas një studimi të Komisionit Europian.
Pas Shqipërisë renditen vendet e tjera të Ballkanit, por ato ende kanë një rezultat dukshëm të ndryshëm nga Shqipëria. Vendi i dytë ku punonjësit raportojnë se nuk arrijnë të plotësojnë nevojat e tyre mujore është Kosova, me 57% të të punësuarve, e ndjekur nga Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut në afërsisht të njëjtat nivele dhe Bosnje-Hercegovina me 54%.”, tha ai.

“Rama iu dha oligarkëve 250 mln euro dhuratë”, Meta bën bilancin e ‘zi’ për arritjet e qeverisë: Borxhi publik 107%, 1 mld euro abuzime

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook