Partia Demokratike ka sjellë sërish në vëmendje çështjen e inceneratorëve, ndërsa akuzon SPAK se po kryen vepër penale duke fshehur provat.
Në një dalje për mediat nga selia e PD-së, zëdhënësja Floriana Garo pohoi se prokurorët po ruajnë themeluesin e bandës së djegësve.
DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE
Klodian Zoto i inceneratorëve ka shërbyer si agjensi turistike për ministrin-kanakar të Ramës dhe zëvendësin e tij, Arben Ahmetaj. Dhjetëra mijëra euro janë paguar me kartën e kreditit të Zotos për udhëtimet e luksit në Europë të ish-zv/kryeministrit, ish-gruas dhe një prej partnereve të tij. Provat janë bërë publike nëpërmjet një padie në SPAK, por prokurorët Eneid Nakuçi dhe Klodian Braho i kanë shpërfillur, duke provuar për të disatën herë se drejtësia e re është në xhepin e qeverisë.
Për një drejtësi të pavarur dhe SPAK të pakapur, do të mjaftonte fakti që, pronari në letër i incenaratorëve, Zoto, i paguan ministrit që jep lejet, Ahmetaj, udhëtimet dhe hotelet në Europë, për të hapur menjëherë çështjen ndaj zyrtarit të lartë.
Për prokurorët, sado syleshë të jenë, duhet të mjaftonte fakti se Zoto i djegsave ka djegur para të taksapaguesve shqiptarë, duke paguar udhëtimet, si të ish gruas ashtu edhe të partneres së ministrit Ahmetaj. Pa qenë nevoja të kthehet në polici morali, SPAK duhet të lexonte konfliktin flagrant të interesit të ish-ministrit.
Edhe studenti i ditës së parë të vitit të parë të Juridikut do ta lexonte këtë konflikt interesi, këtë akt korrupsioni, këtë shpërdorim dhe vjedhje të hapur, përveç prokurorëve të SPAK, që me qerren e drejtësisë kapin lepujt, por jo tigrin e korrupsionit të qeverisë.
Prokurorët kanë pasur në dorë si tabulatet telefonike, si emailet e Klodian Zotos për hotelet luksoze në Europë, ashtue dhe hyrje-daljet në sistemin TIMS. Provat janë aty dhe mosveprimi i tyre është provë se edhe ata janë të përzier në skemë. Nuk mund ta besojmë se janë aq të paaftë dhe budallenj!
Dy prokurorët e SPAK kanë kryer vepra penale duke fshehur prova dhe duke devijuar qëllimisht hetimet për të ruajtur zëvendëskryeministrin e Rilindjes dhe një nga etërit themelues të bandës së djegsave.
Për të kuptuar standardin e dyfishtë të SPAK, i kujtojmë publikut se Etleva Kondi, një drejtoreshë në varësinë e Ahmetajt, zyrtare e nivelit të mesëm, është marrë e pandehur. Ndërkohë ‘tigri me Hermes’, gra dhe hotele, të paguara nga një person prej muajsh në kërkim ndërkombëtar, shijon paratë e shqiptarëve, të dhëna nga Rama për djegësa që nuk ekzistojnë.
Për të kuptuar se prokurorët Nakuci dhe Braho nuk janë raste të shkëputura dhe fatkeqe, por shëmbëlltyrë e asaj se SPAK është kthyer në sistem të mbrojtjes së të keqes dhe minues i interesit të publikut, u kujtojmë se prokurori Alfred Shehu, e ka mbyllur çështjen kundër kolegëve të tij.
Mesazhi është i qartë: ata që mbrojnë të paprekshmit në qeveri, kthehen vetë në të paprekshëm.
Mesazhi i Partisë Demokratike është i palëkundur: nuk ka vrimë që mund t’i zërë minjtë e korrupsionit të qeverisë dhe drejtësisë. Herët a vonë, ata do të përgjigjen një më një për ngritjen e një sistemi që ua merr shqiptarëve dhe ua jep një grushti hajdutësh me çizme. Ato duar që kanë firmosur kontrata vdekjeprurëse për buxhetin e shtetit dhe xhepin e qytetarit, dhe që mbajnë orë të shtrenjta, dalë nga vjedhja e këtyre kontratave, do të provojnë edhe metalin e ftohtë të prangave.
Që kushtojnë pak, por rëndojnë shumë.
Arena e Lajmit