Ndërsa Britaninë e ka përfshirë kriza energjetike dhe rritjet e kostove të jetesës, futbolli ishullor është i vetmi që nuk njeh kufizime dhe theu edhe njëherë rekordet e tij, duke shpenzuar 2.01 miliardë paund dhe thyer primatin e vjetër vendosur në 2017-ën (1.45 miliardë sterlina).
Sipas “transfermarkt.de”, shpenzimi neto i 20 klubeve të Premier Ligës kaloi 1.3 miliardë eurot.
Nga kampionatet më të forta të Europës, liga që u afrohet më shumë anglezëve është Seria A, me 749 milionë euro, e ndjekur nga Liga e Parë Franceze me 543 milionë euro. La Liga i tkurri muskujt dhe mban vetëm vendin e katërt, me 490.6 milionë euro, ndërsa e fundit renditet Bundesliga me 484 milionë euro.
Klubi i Çelsit shpenzoi më shumë në Angli, duke thyer rekordin që mbante Mançester Siti në 2017-ën (222 milionë paund). Tomas Tuhel, i cili ishte aktiv deri në ditën e fundit të merkatos, duke e mbyllur me transferimin e Obamejangut nga Barcelona dhe Zakarias nga Juventusi, shpenzoi 258.5 milionë paund për 8 lojtarë.
Në vend të dytë renditet Mançester Junajtid, me 214 milionë paund për 6 lojtarë. Uest Hemi renditet në vend të tretë, me 170.5 milionë paund për 8 lojtarë, po aq futbollistë sa Totenhemi (155 milionë paund).
Notingem Foresti transferoi 22 lojtarë, duke vendosur rekord për një klub anglez (152.9 milionë paund), duke lënë pas Mançester Sitin, që e mbylli merkaton me 5 lojtarë, të cilët u kushtuan kampionëve 124.5 milionë sterlina.
Arsenali investoi 115.7 milionë paund në këtë merkato për pesë futbollistë, një më pak sesa Liverpuli që nuk e arriti shifrën e 100 milionëve (99.2).
Tri klubet që shpenzuan më pak janë Kristal Palas (30.8 milionë paund), Bornmëthi (24.6 milionë) dhe Lestëri (15.3 milionë). Trajneri i “Dhelprave”, Brendën Roxhers, u ankua pas humbjes me Mançester Junajtidin të enjten se klubi nuk ka bërë investimet e duhura këtë sezon (2 transferime).
Ata renditen në vend të fundit të klasifikimit pas 5 javësh dhe kanë bërë nisjen e tyre më të dobët të sezonit që prej vitit 1994.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO