Tirana e volejbollit të femrave vijon përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa po tregohet gjithashtu shumë aktive edhe në merkato. Pas prezantimit të Stela Agollit, që rikthehet në klubin ku u formua si lojtare, bardheblutë kanë njoftuar edhe katër afrime të tjera, duke e dërguar në 5 numrin e blerjeve.
Një tjetër lojtare që largohet nga Skënderbeu, për t’iu bashkuar është edhe rusja Anastasia Atepalina, lojtare e rëndësishme në titullin që fitoi ekipi korçar. Atepalina tashmë do të mbrojë ngjyrat bardheblu. Ashtu sikurse shkodrania Stela Kiri, që është një tjetër përforcim për skuadrën që drejtohet nga Amarilda Prenga. Ndërkohë, pas largimit të Çezarina Xhekës për te Partizani, Tirana e ka zëvendësuar pikërisht me pasuesen e të kuqeve, Alisa Ibrahimi. Ndërkohë, nënkampioneve u është bashkuar gjithashtu edhe Kejda Kodra, lojtare e talentuar e dalë nga Flamurtari, e cila rikthehet në Shqipëri pas një eksperience disamujore në Itali.
Tashmë Tirana duket gati për pjesën e parë të sezonit, ndërsa nuk përjashtohen mundësitë e afrimeve të tjera në merkaton e dimrit, ashtu sikurse është bërë traditë në kampionatin shqiptar, me ekipet që mundohen të kursejnë në fazën e parë. Ndërkohë, të shtunën, Tirana ka zhvilluar një ndeshje miqësore me Skënderbeun në sallën “Farie Hoti”, takim të cilin kryeqytetaset e fituan me rezultatin 3-2. Kujtojmë se edicioni 2022-2023 do të startojë më 23 shtator me Kupën e FSHV-së, për t’i lënë më pas menjëherë vend Kampionatit Kombëtar, aktivitet që do ta ngrejë siparin gjatë fundjavës së fundit të këtij muaji.
Arena e Lajmit