Nga Agim Nesho/ Pesë përgjigje pse Partia e Lirisë është një alternativë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë

Agim Nesho 770x384

Zëvendës kryetari i Partisë së Lirisë Agim Nesho me anë të një shkrimi ka sjellë pesë përgjigje pse Partia e Lirisë është një alternativë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë.

Ndër të tjera Nesho rendit luftën për një kauzë të madhë të Shqipërisë dhe jo për një rotacion pushteti, të qenit një parti e hapur për të gjithë shqiptarët dhe mos të qenit parti e “të fortëve” që kanë vota dhe mund ti trafikojnë ato për interesat e biznesit apo presionit të regjimit të korruptuar.

Shkrimi i plotë:

Partitë politike lindin gjithmonë për përfaqësimin e interesave të shtresave të caktuara dhe nevojës për të ndryshuar dicka nëpërmjet politikës. Partitë politike në Europën Lindore, pas ndryshimit të regjimit komunist, përfaqësonin ndryshimet ideologjike midis palëve në një sistem të lirë dhe demokratik. Shqipëria e pas viteve ’90 ndau elektoratin në dy parti kryesore: Partinë Demokratike si parti e ndryshimit dhe anti-komuniste, dhe Partinë Socialiste, ish-Partinë e Punës, e krijuar jo si alternativë idesh të shtetit social-demokrat, por si organizëm mbrojtës i atyre që besonin ose kishin lidhje me të shkuarën. Vite më vonë të dy partitë tradicionale u pozicionuan si parti që pranonin një mision, atë të Integrimit Euro-Atlantik. Misioni për të realizuar të ardhmen pro-perëndimore të Shqipërisë plotësoi spektrin me parti të tjera të rëndësishme, si LSI, që kishin si mision shtyrjen përpara të këtij procesi.

Së pari, Partia e Lirisë nuk është thjesht një vazhdim i LSI-së, por një parti kombëtare e lindur nga nevoja për të shpëtuar vendin nga humbja e sistemit demokratik, kapja e shtetit dhe institucioneve, shkelja e Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Si e tillë është një front kombëtar për të gjithë patriotët dhe njerëzit e ndershëm që duan një Shqipëri të lirë, perëndimore dhe demokratike. Roli i LSI-së gjatë viteve të tranzicionit ishte një shtysë për problemet e integrimit dhe një balancë për pushtetet në Shqipëri. Misioni i Partisë së Lirisë është më i gjerë dhe më gjithëpërfshirës. Duke qenë ekuilibrues midis dy partive kryesore, LSI mori rolin e king-maker-it, duke ekuilibruar herë të majtën dhe herë të djathtën. Kjo aftësi për të sjellë balancë në politikë, u pa me mosaprovim nga partitë tradicionale, të cilat mendonin që ajo po fitonte elektorat duke qëndruar në qendër. Për shumë prej tyre nevoja për të sjellë balancë në politikë shikohej si humbje e pozicioneve të tyre dhe interesat që sjell pushteti.

Së dyti, Partia e Lirisë po lufton për një kauzë të madhe për Shqipërinë dhe jo për një rotacion pushteti. Sot jetojmë në një udhëkryq të historisë ku po rrezikohet sistemi politik, dhe Partia e Lirisë është kthyer në një alternativë shprese për të ardhmen e të rinjve të larguar nga vendi për korrupsion dhe keqadministrim, për të gjithë ata që ndihen të huaj në vendin e tyre nga arroganca dhe abuzimi i pushtetit, nga varfëria dhe nga korrupsioni skizofrenik që është kthyer në sistemik dhe po mbyt vendin.

Së treti, Partia e Lirisë ka liderin e saj, Ilir Meta, që ka dalë nga një betejë e madhe për të ndaluar pushtetin e korruptuar të kapte institucionet e shtetit, që shkelën Kushtetutën dhe prishte funksionimin e shtetit ligjor. Meta i kishte të gjitha mundësitë ti përshtatej dhe të bëhej pjesë e pushtetit, por zgjodhi interesat kombëtare. Kjo e ktheu lëvizjen e 2 Marsit 2020 në një lëvizje shprese për të gjithë shqiptarët, duke reflektuar integritet, jo kompromis me të keqen dhe besim në një lider që të con në fitore.

Së katërti, Partia e Lirisë është një parti e hapur për të gjithë shqiptarët, sidomos për të majtët e Shqipërisë, të cilët pa të drejtë kanë marrë njollën e turpit për korrupsionin dhe abuzimin e këtij regjimi skandaloz, që ka treguar që nuk e lidh asgjë me të ardhmen e Shqipërisë. Partia e Lirisë nuk është një parti ideologjike dhe si e tillë nuk është përjashtuese. Filozofia e saj është vetëm e ardhmja Euro-Atlantike e Shqipërisë, të cilën do ta ndërtojë populli Shqiptar. Partia e Lirisë është e qartë që në këtë mision të madh të rikthimit të pluralizmit dhe demokracisë nuk mund të na ndajnë diferencat ideologjike, lufta patriotike, qëndrimet ndaj historisë. Ajo ka një parim të shenjtë: Abuzuesit me demokracinë dhe të ardhmen e popullit do të vihen përpara përgjegjësisë dhe populllit do ti kthehen të gjitha abuzimet e bëra me pronën publike, inceneratorët, PPP-të, etj.

Së pesti, Partia e Lirisë është e hapur për të gjithë qytetarët që kërkojnë ndryshim. Ajo nuk është parti e ‘të fortëve’ që kanë vota dhe mund ti trafikojnë ato për interesat e biznesit apo presionit të regjimit të korruptuar. Ajo është e hapur për të gjithë: studentë, qytetarë të ndershëm, patriotët që nuk pranojnë nëpërkëmbjen e interesave kombëtare e deri tek afaristët dhe biznesmenët që besojnë në vizionin e saj dhe përkushtohen në misionin e saj. Partia e Lirisë ka dhënë alternativën e saj që është fuqizimi i pluralizmit politik, referendumet dhe rikthimi i demokracisë direkte të popullit në institucionet e shtetit.
Fronti opozitar është zgjidhja më e mirë për shpëtimin e Shqipërisë. Partia Demokratike ka një rol të madh dhe të padiskutueshëm në këtë betejë për ndryshim. Fuqizimi i Partisë së Lirisë është po aq i nevojshëm, jo vetëm për fitoren e ardhshme por edhe për një stabilitet politik në të ardhmen, për të realizuar ato premtime që fronti i opozitës i ka bërë popullit Shqiptar.

Nga Agim Nesho/ Pesë përgjigje pse Partia e Lirisë është një alternativë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook