Nga Handanoviç te Barela/ Inzagi me dorë të hekurt, asnjë nuk është i paprekshëm te Interi

Interi është në një moment të vështirë në këtë fillim sezoni dhe me Bajernin e Mynihut, kundërshtarin e radhës pas humbjes në derbi, shanset janë që ky moment të zgjasë ende.

INZAGI

Ajo që shqetëson ama te zikaltrit është shtylla kurrizore e skuadrës, që nuk po funksionon si duhet.

Në momentin kur Interi kishte më shumë nevojë për ta, u braktis, arsye kjo për të cilën Inzagi është prezantuar me dorë të hekurt para të tijve. Asnjëri nuk është më i paprekshëm, ultimatum ky që ua ka lëkundur të gjithëve vendin e titullarit.

HANDANOVIC 1

KAPITENI – Samir Handanoviç nuk është më një siguri mes shtyllave, përkundrazi.

Në vitin e tij të fundit me zikaltrit, kapiteni është larg mbylljes “me nder” pasi 8 golat e pësuar, edhe pse jo të gjithë për faj të tij, tregojnë shumë mbi formën aktuale të lojtarit.

Nëse i referohemi derbit, me Menjanë përballë, paraqitja e sllovenit linte shumë për të dëshiruar, dhe me Onanën në stol, që pret me padurim t’i zërë vendin, ulja në pankinë e 38-vjeçarit nuk duket larg.

MBROJTËSIT – Alesandro Bastoni e ka nisur me gabime sezonin që pritej të ishte shpërthimi i tij.

Inzagi e kishte shndërruar në ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar në një mbrojtës të majtë “fluturues”, duke i besuar shpeshherë edhe ofensivën, ndërkohe që tani 23-vjeçari nuk po bën dot si duhet as fazën defensive.

Pak më tej në qendër të mbrojtjes me tre, Stefan de Vraj, përveç gabimeve në ndeshjet e tjera, vazhdon të vuajë sindromën “Zhiru”, me francezin që i ka shpëtuar përsëri mbulimit të mbrojtësit.

Zhgënjimi më i madh i repartit ama, mban emrin e Milan Shkriniarit, për mungesën e personalitetit më shumë se për paraqitjen në fushë.

Kapiteni pa fashë, ka ditur gjithmonë të transmetojë qetësi dhe forcë reagimi, por ndoshta vera jo e qetë në merkato ka pasur efektet e veta te 27-vjeçari.

BARELA

BARELA – Këtij momenti delikat nuk i ka shpëtuar as Nikolo Barela.

Nga dikush që identifikohet aq shumë me ngjyrat, pritet shumë më shumë, dhe jo hija e vetvetes që u pa në derbi, me topa të humbur dhe asnjë grimcë grinte.

Nga mesfushori pritet më shumë kuriozitet debutimi i këtij sezoni në Champions League, sidomos pasi humbi fazën e 1/8-ave ndaj Liverpulit për kartonin e kuq të marrë në grupe.

Pikërisht për gjakftohtësi dhe qetësi ka nevojë Interi tani dhe me kërcënimin “Bajern” nesër në Milano, Inzagi do të ketë nevojë që të pestë lojtarët “të mbledhin mendjen”.

Vërtet janë të paralajmëruar se vendin nuk e kanë të sigurt, por të gjithë e dimë se përballë gjermanëve trajneri zikaltër nuk e ka luksin t’i ndëshkojë ata dhe të bëjë revolucion.

Gjithsesi, Europa pritet të jetë “gjykatësi”, që do të vendosë nëse në Apiano Xhentile do të ndryshojnë hierarkitë, apo skuadra do të mbajë të njëjtën shtyllë kurrizore.

Përgatiti: NISLI GJINI


Nga Handanoviç te Barela/ Inzagi me dorë të hekurt, asnjë nuk është i paprekshëm te Interi

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook