Largime dhe surpriza në start, Kategoria e Parë nis “zjarr”/ Ja formacioni më i mirë dhe më i dobët

Kategoria e Parë nisi me zhurmë dhe çfarë zhurme… Pa frikë mund ta themi që do të jetë një ndër kampionatet më interesante të të gjitha kohërave, ashtu sikundër u parashikua. Këtë e kuptuan që në start. Dhe të sqarohemi, nuk po i referohemi vetëm asaj që u prodhua në fushë.

kategoria-e-pare-1

Nuk është se pati spektakël dhe goleada, por surprizat nuk munguan. “Të mëdhatë” dëshmuan se nuk janë të pakalueshme, ndërsa “të voglat” ditën të befasojnë. Ia dolën pa bërë blerjet e bujshme dhe pa atë pompozitetin e milionerëve. Java e parë solli edhe ndryshime në stol. E pësoi i pari trajneri, pas vetëm 90 minutash lojë. Dhe iku me akuza të forta për ndërhyrje. Skuadrat ishin “kursimtare” edhe në gola, pasi në total u shënuan vetëm shtatë. E megjithatë, pati një të mirë. Nuk pati tensione dhe probleme me gjykimin, edhe pse tashmë ka kaq klube me histori të përfshira, problematika me infrastrukturën mbetet e njëjtë. Vetëm gjashtë ndeshje u luajtën mes së shtunës dhe të dielës, pasi Lushnja-Burreli u anulua.

Fusha nuk ishte gati dhe federata për çudi mendoi që t’i jepte kohë, kur fare mirë mund ta kishte “urdhëruar” ekipin pritës të sajohej diku tjetër. Vetëm Dinamo e nisi bindshëm garën, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Flamurtarin dhe Skënderbeun. Kryeqytetasit likuiduan Orikun në “Selman Stërmasi”, me gola të Sabien Lilajt dhe Taulant Markut. Të besuarit e Nevil Dedes treguan direkt ambicie, ndonëse kjo me orikasit e sapongjitur, nuk mund të quhet prova e vërtetë. Vlonjatët morën një tronditje të fortë prej Luzit 2008, që pa frikë mund të quhet edhe skuadra e javës. Debutues në Kategorinë e Parë, ata përmbysën kuqezinjtë.

formacioni me i mire

Edhe pse Kamargo Iakovelli dha avantazhin në të 49-ën, Foti Çuçka dhe Ilirjan Dushaj kthyen gjithçka për 3 minuta (79’ dhe 81’). U shtangën edhe korçarët nga Tërbuni, ndonëse pa gjë nuk dolën nga Puka dhe e morën një pikë. Albi Xhebrahimi për pak sa nuk u dha fitoren vendësve, por një penallti “shpëtoi” bardhekuqtë e Migen Memellit dhe Vangjel Zguro nuk mund ta falte barazimin. Tri takimet e tjera u mbyllën ashtu siç nisën: në “thatësi” të plotë. Problem me golin pati në Korabi-Apolonia. Ndonëse rastet nuk munguan, askush nuk festoi dot.

formacioni me i dobet

As prezenca e Arenda Dukës në tribunë nuk i “nxiti” lojtarët e të dyja skuadrave që të çonin topin drejt rrjetës. E njëjta histori edhe në BesaTomori. U luajt një “Klasike” e vërtetë në stadiumin e Peqinit dhe volumi nuk është se mungoi, por finalizimi la për të dëshiruar. Turbina-Besëlidhja, po ashtu u fiksua te “X”- i. Transformimi nga merkatoja, bëri që lojtarët të mos lidheshin dot si duhet në fushë. Cërrikasit ishin vërtetë më kërkues, por një herë shtylla dhe në disa raste pritjet e Elson Demit iu kthyen në makth.

Arena e Lajmit


Largime dhe surpriza në start, Kategoria e Parë nis “zjarr”/ Ja formacioni më i mirë dhe më i dobët

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook