Tre sulmues gati për Gegën, Kukësi tenton kthesën e madhe në ndeshjen ndaj Teutës

Kukësi vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjes së nesërme ndaj Teutës në stadiumin “Niko Dovana”, që shihet si jetike në kampin verilindor.

KUKESI

Rezultatet e dobëta në javët e para kanë rritur presionin te blutë, teksa në Durrës bën punë vetëm fitorja për të rikthyer qetësinë.

Për këtë arsye, ka pasur edhe një analizë në skuadër, ku është vënë theksi te kthesa e menjëhershme, sepse ekipit nuk i mungojnë potencialet për ta bërë një gjë të tillë.

Asnjë fitore në tri ndeshje rëndon shumë te një ekip që ka synime madhore, por gjithsesi duket se gjithçka është lënë pas dhe te Kukësi shohin përpara.

Për sfidën me durrsakët, Gega duket se do të ketë një organikë më të plotë, ku më në fund është kompletuar reparti i sulmit, si dhe gjithashtu ka më shumë siguri në mesfushë pas rikthimit të Shqiprim Taipit nga dëmtimi.

SULMI – Deri para pak ditësh, sulmi ishte reparti me më pak alternativa në dispozicion për Gegën, ku fillimisht vetëm Klejdi Daci po jepte siguri, por ai mungoi në javën e dytë dhe të tretë për shkak të dënimit nga Komisioni i Disiplinës. Ante Zivkoviç nuk ishte brenda pritshmërive dhe nuk llogaritej titullar, por në dy ndeshjet e fundit arriti të shënojë dy gola, duke justifikuar gjithçka.

Në skuadër është afruar edhe braziliani Gabriel Barbosa, duke rritur ndjeshëm konkurrencën në sulm.

Për ndeshjen ndaj Teutës, Gega do të ketë në dispozicion tre sulmues për një vend titullari, edhe pse për brazilianin e afruar së fundmi mbetet për t’u parë kondicioni fizik, pavarësisht se është stërvitur me Levadhiakosin në Greqi deri në fund të gushtit.

Me pak fjalë, brenda një jave kthehet tërësisht situata te Kukësi, ku nga vetëm një sulmues në dispozicion, tani janë tre dhe tekniku është në luksin e përzgjedhjes: të aktivizohet Daci që ishte projektuar titullar, Zivkoviç që po shënon apo Barbosa që ka ardhur për të bërë bomberin pas një gjysmësezoni në kampionatin grek.

RIKTHIMET – Një nga rikthimet më të rëndësishme është ai i Shqiprim Taipit, i cili ndaj Kastriotit u fut si zëvendësues, por pritet që nesër të marrë rolin e titullarit. Shpresohet edhe që gjendja e kroatit Edi Basha të jetë optimale, pasi mungoi ndaj krutanëve. Pa harruar Dacin që ka mbaruar pezullimin nga Komisioni i Disiplinës.

Tre lojtarë që shihen të rëndësishëm në skuadër dhe që mund të sjellin rezultatet e munguara. Pjesa tjetër duket e gatshme, ndërsa mister mbetet qendërmbrojtësi Tarik Isiç, i cili vijon stërvitjen me ekipin, por në tri javët e para nuk është grumbulluar për ndeshje nga Gega.

VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit


Tre sulmues gati për Gegën, Kukësi tenton kthesën e madhe në ndeshjen ndaj Teutës

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook