Tirana vazhdon përgatitjet për ndeshjen ndaj Kastriotit, e cila do të luhet ditën e shtunë në orën 15:00 në stadiumin e Kamzës. Bardheblutë kanë zhvilluar dje seancën e tretë stërvitore për këtë javë, teksa u pa një ritëm disi më i ulët sesa dy ditët e para. Nën drejtimin e trajnerit Shehi, stërvitja shkoi normalisht, ndërkohë ekipi zhvilloi edhe një mbledhje me presidentin Refik Halili. Në këtë seancë Shehi krijoi një ide më të qartë në lidhje me formacionin që do të zbresë në fushë në fundjavë.
TAKIMI- Në fillim të seancën, në fushë zbriti presidenti Halili, i cili zhvilloi një bisedë me lojtarët. Nga ai është kërkuar që në ndeshjen e radhës të vijë menjëherë kthesa, gjithashtu dhe përqendrimi i të gjithë futbollistëve të jetë maksimal. Ndërkohë, ai ka kërkuar që të mos ketë më vend për gabime dhe kjo ndeshje duhet të mbyllet me rezultat pozitiv.
STËRVITJA- Me një ngarkesë më të lehtë është zhvilluar seanca e tretë e bardhebluve. Përveç Huseinit, i cili nuk ishte i pranishëm për shkak dëmtimi, pjesa tjetër e grupit ishte e plotë. Në këtë ndeshje për Tiranën do të mungojë Realf Zhivanaj, i cili vuan pezullimin e kartonit të kuq në ndeshjen me Vllazninë. Synimi dhe taktika e Shehit, duke iu referuar seancës, ishte që lojtarët të punojnë më shumë me depërtime nga krahët. Në pjesën e dytë të stërvitjes, durrsaku provoi edhe dy formacione, me të cilat mund të nisë ndeshjen ndaj Kastriotit.
FORMACIONI I MUNDSHËM- Trajneri 44-vjeçar provoi dy variante për formacionin e ndeshjes kundër krutanëve, me një skemë 4-3-3. Bekaj mbetet i lëvizshëm në portë, ndërsa në provën e parë, Tirana u rreshtua kështu: Najdovski dhe Behiratçe në qendër të mbrojtjes, nga e majta Përgjoni, ndërsa djathtas Toshevski. Në mesfushë Deliu, Aleksi dhe Kallaku, ndërsa përpara Xhixha, Hasani dhe Ismajlgeci.
Në provën e dytë, qendra e mbrojtjes mbetet e pandryshuar, ndërsa krahët ndërrohen me Ismajlgecin majtas dhe Gjumsin djathtas. Në mesfushë kalon Hila, Limaj dhe Kallaku, ndërsa përpara Xhixha, Patrik dhe Hasani. Mesa duket, dilemat e Shehit për titullarët janë në mesfushë dhe në krahët e mbrojtjes.
Arena e Lajmit