Merkatoja e verës në Kategorinë Superi ore u mbyll me hyrjedalje të shumta, ku Kukësi mbetet rekordmen në afrime, me 22 futbollistë. 255 janë afrimet që kanë bërë 10 klubet e Superiores në këtë merkato vere, por duhet pranuar se të ardhurit nuk e kanë pasuruar vlerën kampionatit të 84-t të elitës së futbollit shqiptar.
Sipas “Transfermarkt”, sajtit të specializuar për vlerësimin e kartonëve të futbollistëve, Kategoria Superiore në startin e sezonit të ri vlerësohet me 38.04 milionë euro, një shifër disi më e ulët krahasuar me edicionet e shkuara, ku vlera ka qenë mbi 40 milionë euro. Kampionati po vjen në rënie në çdo komponent, ku ulja e vlerës shoqërohet edhe me zbritjen në ranglistën e kampionateve elitare të federatave të anëtarësuara në UEFA.
Kategoria Superiore ka humbur 6 vende, duke zbritur në vendin e 49-të me koeficient kampionati, 6.25, ku na e kanë kaluar edhe Kosova, Malta, Ishujt Faroe, Luksemburgu dhe Lihtenshtejni. Me hyrje daljet e fundit në merkato, Tirana e ka ruajtur fronin e skuadrës më të shtrenjtë në Superiore, ku fillimi i sezonit e gjen me vlerën 5.78 milionë euro. Pas tyre vjen Partizani, që vlerësohet 5.4 milionë euro.
Kukësi është i treti me vlerë 5.09 milionë euro. Bylisi dhe Erzeni, të sapo ngjitur në Superiore, janë ekipet më të lira, respektivisht 1.55 milionë euro ballshiotët dhe 1.48 milionë euro shijakasit. Tirana ka në përbërje edhe lojtarin më të shtrenjtë në Superiore, ku pas largimit të Taulant Seferit, froni i ka kaluar Redon Xhixhës, kartoni i të cilit vlerësohet 475 mijë euro. Xhuliano Skuka i Partizanit është lojtari i dytë më i shtrenjtë i kampionatit, me vlerë kartoni 450 mijë euro.
FORMACIONI MË I SHTRENJTË-
Sipas llogaritjeve të kartonëve të lojtarëve nga “Transfermarkt”, formacioni më i shtrenjtë i Superiores shkon në vlerën 4.3 milionë euro. Ky formacion është llogaritur me skemën 4-2-3-1, ku kemi një dominim të dy ekipeve të kryeqytetit me nga katër lojtarë. Tirana përfaqësohet me portierin Bekaj, dy mesfushorët e qendrës Limaj dhe Deliu, si dhe sulmuesin Redon Xhixha, i cili është edhe lojtari më i shtrenjtë i Superiores.
Partizani përfaqësohet me mbrojtësit Antanaskovski dhe Bitraj, mesfushorin Rrapaj dhe sulmuesin Skuka. Kukësi ka në këtë formacion dy lojtarë, mbrojtësin Tiago Ferreira dhe sulmuesin Eduin Giasi. 11- shen e më të pasurve e plotëson mbrojtësi i Teutës, Albion Marku, që është huazuar nga Dinamo te durrsakët.
ILIR CARA – Arena e Lajmit