EKSKLUZIVE/ “Partizan autoritar, pretendent për titull ende pa filluar”, Perlat Musta: Hoxha sa tri shtylla, Kolela nuk është si… (E PLOTË)

Partizani më në fund, pas një dekade nën drejtimin e presidentit Demi, ka arritur të bëjë një start perfekt me tri fitore në po aq ndeshje. Perlat Musta, një nga figurat më të shquara të historisë së klubit të kuq, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, flet për formën e mirë të skuadrës. Ai e konsideron Partizanin pretendent për titullin ende pa nisur sezoni, teksa tregon edhe për rokadën në portën e të kuqve, ku në stol është ulur një si Alban Hoxha, ndërsa titullar po luan Bekim Rexhepi, i cili erdhi nga Skënderbeu.

Musta Perlat

Si ju duket Partizani pas këtij starti me tri fitore në po aq ndeshje?

Nuk ka nevojë për shumë koment. Vetë pyetja e ka edhe përgjigjen brenda. Përderisa janë nëntë pikë, nuk ka start më të mirë.

Po loja ju bind?

Unë nuk u gëzohem vetëm pikëve, sidomos në dy ndeshjet e fundit. I gëzohem edhe lojës. Ndeshja me Laçin ishte super. Gjithashtu ndeshja në Ballsh ishte tërësisht e kontrolluar nga Partizani. I vetmi gabim i të kuqve ishte se sikur ishin të bindur se mund ta fitonin ndeshjen, nuk luftuan sa duhet për të bërë golin e dytë ose të tretë. Mundësitë i kishin, nuk rrezikuan barazimin, përjashto ato të fundit, që loja i ka pjesë të saj. Edhe kur ngeli me 10 vetë nga dëmtimi i Matondos, Partizani ishte më autoritar dhe dominues në lojë. M’u duk sikur s’ia kishte frikën ndeshjes.

Asnjëherë nuk e kisha parë Partizanin, sidomos në Ballsh, të luante me aq autoritet dhe të ishte aq i sigurt. Ndeshja e parë me Egnatian kishte oshilacione. Pjesa e parë ishte e dobët, por është normale kur ndryshohen trajnerët dhe mentaliteti i të riut ende nuk ka hyrë te lojtarët. Pjesën e dytë ishte dominues Partizani. Pas golit të parë mund të siguronte fitoren më shpejt. Gjithsesi, pati momente kur edhe mund ta pësonte. Mund të themi se ishte me fat në disa momente. Prandaj thonë që fati është gjithmonë me më të mirin, më të fortin.

A është pretendent për titullin Partizani pas këtyre tri sfidave?

Jo vetëm pas këtyre ndeshjeve. Nëse do t’i kishte Bylisi këto tri fitore, mund të bëhej pyetja nëse mund ta luftojnë titullin, por Partizani është pretendent ende pa e filluar.

A e ka thyer Kolela më në fund tersin me trajnerët italianë?

Për të folur për këtë është shumë shpejt, sepse ai sapo ka ardhur dhe i duhet kohë të tregojë aftësitë e tij dhe se sa mund të arrijë te Partizani. Unë përgjithësisht nuk shquhem për parashikime, nuk shoh as filxhan (qesh). Italianët që ikën e “thyen këmbën” shpejt, Kolela besoj se s’do e “thyejë këmbën” fare.

Sa do ta ndihmojë Partizanin shtëpia e re?

Shtëpia e re është e bukur tani, por kur të nisë të plaket dhe të bëhet sa është Partizani tani, do të duket akoma më e bukur dhe e fortë. Vetë fakti që Partizani më në fund e ribëri shtëpinë pasi ia prishën, pavarësisht se ishte një ndërtim me 17 leje, është diçka e madhe. Nuk ka nevojë të themi sa do ta ndihmojë. Partizani, edhe kur ka qenë pa shtëpi, ka qenë i fortë dhe ka dalë kampion. Jo më tani që është me shtëpi, jo shtëpi, por vilë me pishina e me të gjitha.

Çfarë mendimi keni për rokadën e portierëve? Ulet në stol Hoxha dhe luan Rexhepi. Do të mund ta mbajë presionin ky i fundit?

Unë nuk jam pjesë e skuadrës, nuk i shoh çdo ditë që të dal në një përfundim konkret. Mund të them vetëm që Alban Hoxha ka qenë shtylla e Partizanit. Madje jo një, por nëse po flasim për një ndërtim me katër shtylla, Albani ka qenë sa tri shtylla në gjithë këtë periudhë. Gjithsesi, edhe Rexhepi ka treguar cilësi në një vit e gjysmë që ka luajtur te Skënderbeu. Më pas se kush meriton të luajë, është pjesë që u takon atyre që janë aty dhe i shohin çdo ditë në stërvitje dhe në dhomat e zhveshjes.

Edhe Albani, ashtu si ju, ka lënë gjurmë në historinë e Partizanit. Sa e vështirë është për një portier, që e ka mbajtur portën të sigurt për disa vite, të ulet në stol?

Kurba asnjëherë nuk është vetëm në ngritje. Ka oshilacionet e veta për çdo sportist. Edhe për lojtarët e mëdhenj si Pele, Maradona apo Mesi e Ronaldo së fundmi, ka funksionuar kështu. E rëndësishme është që kurba të mos ulet menjëherë, por të vijë ngadalë.

Albani po bën 10 vite te Partizani dhe kurbën gjithmonë e ka pasur në ngritje, pavarësisht oshilacioneve të vogla që mund të ketë rrugës. Për çdo sportist stoli është i dhimbshëm, edhe për një të ri, që vjen nga akademia, është kështu. Albani edhe tani është në nivele të larta. Nuk mund të themi se ai është ulur në stol se ka ulur nivelin. Edhe vitin e kaluar ai ishte pjesë e rëndësishme e stabilitetit të ekipit.

Cili është rivali më i fortë për titullin kampion?

Është shpejt për ta kuptuar këtë. Unë personalisht mendoja se ishte Laçi, por kur i pashë në ndeshjen me Partizanin, të them të drejtën nuk më bindën. Gjithsesi, ndryshon ndeshja nga ndeshja dhe kampionati është i gjatë. Të gjithë mund të kenë oshilacione në periudha të caktuara të sezonit. Janë edhe 99 pikë në lojë. Fatmirësisht Partizani 9 i ka marrë, është i vetmi ekip që i ka të plota.

Këtë sezon kemi parë një mbështetje më të madhe te të rinjtë. Kemi rastin e Buxhelajt, priten edhe të tjerë. Është pozitive kjo?

Unë jam vetë pjesë e akademisë dhe padyshim që është diçka shumë e mirë. Por gjithmonë duhet pasur parasysh se kushdo duhet ta meritojë dhe ta justifikojë shansin, ashtu si Buxhelaj, sepse te Partizani kanë shkuar edhe të tjerë më para. U është dhënë shansi pak minuta, por problemi është sa i aftë je ta shfrytëzosh. Janë shumë faktorë brenda. Është ana psikologjike. Buxhelaj e ka përballuar shumë mirë, tashmë e konsideron veten si titullar, jo si debutues.

Si ju duken brezi i ri i portierëve?Kemi parë Simonin te Dinamo, Qirkon te Teuta, Rexhepin apo edhe ndonjë tjetër.

Janë të perspektivës. Mua edhe Simoni, për aq sa e kam parë, më pëlqen. Është djalë i ri. Por mendoj se u duhet shumë punë. Për moshën që ka, ka bërë shumë mirë vjet te Dinamo. Por të mos harrojmë që në moshën 17-vjeçare ka debutuar edhe Selmani para shtatë vitesh te Laçi dhe i dha Superkupën, duke pritur penalltitë me Skënderbeun, që ishte ende ai i famshmi, që shkoi në grupe të Europa Ligës. Domethënë që portierët e rinj duhet që të paktën të jenë në nivelin e Selmanit.

A ka Partizani ndonjë portier që mund ta zëvendësojë Hoxhën?

Akademia ka shumë portierë dhe të gjithë duan ta zëvendësojnë Hoxhën. Edhe unë me këtë filozofi ecja kur isha i ri, që të arrijë dikë para meje. Por që ta zëvendësojnë Hoxhën, duhet të jenë pak më të mirë se Hoxha. Kemi portierë të talentuar, megjithatë varet sa të zotë do të jenë.

DENIS LALA – Arena e Lajmit

 


EKSKLUZIVE/ “Partizan autoritar, pretendent për titull ende pa filluar”, Perlat Musta: Hoxha sa tri shtylla, Kolela nuk është si… (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook