Apolonia kërkon fitoren dhe golin… e parë. Skuadra u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve dhe është gati për të pritur Turbinën në stadiumin “Loni Papuçiu”. Klevis Dalipi, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, thotë:
“Duke u nisur nga rrethanat, mund të them se një pikë në Peshkopi nuk është keq. E megjithatë, në vazhdim duhet të jemi më të kujdesshëm. Skuadra nuk është ende aty ku duhet, por do të rritemi nga java në javë.
Kundërshtar tani kemi Turbinën, një ekip i vështirë. Pa asnjë diskutim që cërrikasit meritojnë vlerësim maksimal dhe nga ana tjetër ne duhet të tregojmë kujdes, pavarësisht se luajmë në “Loni Papuçiu”.
Ne u ndeshëm me ta para pak javësh në një ndeshje miqësore dhe ata arritën të fitojnë në Fier. Me këtë dua të them se në Kategorinë e Parë nuk ka kundërshtarë të lehtë.
Kur fitorja të duket detyrim, sidomos në shtëpi, atëherë edhe ndeshja bëhet më e vështirë. Mjafton që ne të zhvillojmë një ndeshje të mirë dhe me ritëm të lartë në fushën e lojës.
Kam edhe një mesazh për tifozët. Dëshiroj dhe uroj të vijnë sa më të shumtë në numër për të na mbështetur e motivuar, sepse prania e tyre është një karikim i shtuar për të gjithë lojtarët”.
HILMI SALIU – Arena e Lajmit