TIRANË
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta tha se ajo që do të bëjë drejtësia amerikane është çështje e saj, ne kemi besim dhe e respektojmë, por ne kemi punën tonë dhe kemi drejtësinë tonë këtu, kemi dhe drejtësinë e popullit.
Duke folur sot në një konferencë me mediat për nçështjen McGonigal, Meta deklaroi se kjo çështja ekspozoi atë që të gjithë e mendonin, se si Rama i korrupton zyrtarët e lartë ndërkombëtarë duke ua kundërvënë vlerave më themelore të demokracisë, të pluralizmit dhe të shtetit të së drejtës.
“Të kemi parasysh që në kohën e Presidentit Nikson ai dha dorëheqjen se doli që ishte bërë një përgjim ndaj opozitës. Këtu është përgjimi i gjithë popullit shqiptar në regjimin e fëlliqur të patronazhistëve, por kjo që ka ndodhur është e pakalueshme, e patolerueshme, e pafalshme dhe jo më kot ka vazhduar t’i bëhet jehonë në mediat më të mëdha të huaja.
Siç tronditi Kim Filby sistemin e atëhershëm perëndimor me shërbimet që u bëri sovjetikëve, mos harroni që një shërbim dhe më të madh se Kim Filby kanë bërë këta Kim-ët si ky McGonigal, Rosini dhe të tjerë, të cilët janë përpjekur të tronditin besimin e shqiptarëve te SHBA-të, te vlerat euroatlantike, të lirisë, të demokracisë, të shtetit të së drejtës.
Por në qoftë se Kim Filby e bënte për arsye ideologjike sepse kishte rënë në dashuri me idetë e majta e komuniste që në rini, pavarësisht se vinte nga një familje e pasur, e bëri për bindje, këta kanë tradhtuar betimin ndaj vendit të tyre, flas për ata, jo për këtë këtu, ky është ordiner, dhe kanë shërbyer me vetëdije duke u lidhur dhe me kompani pranë Putinit, për të minuar demokracinë, pluralizmin politik, shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe për t’i shërbyer instalimit të një regjimi hajdutokrat që është i pari në Europë dhe i dyti në botë pas Zambias. Kjo është shumë e rëndë. Kjo është çështja e tyre, vetëm se ekspozoi atë që të gjithë e mendonin, se si ky i korrupton zyrtarët e lartë ndërkombëtarë duke ua kundërvënë vlerave më themelore të demokracisë, të pluralizmit dhe të shtetit të së drejtës”, tha Meta.
Ai deklaroi më tej se ndryshimi do të ndodhë me çdo çmim dhe se Rama nuk i përdhunon dot shqiptarët.
“Për mua Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen, ndryshimi do të ndodhë me çdo çmim. Çmimin le ta zgjedhë Edi Rama. Ne çmimin e shpërbërjes së Shqipërisë, çmimin e shkatërrimit të demokracisë në vendin tonë dhe shkatërrimit të interesave tona kombëtare nuk e pranojmë dhe Edi Rama bën mirë ta zgjedhë me një çmim sa më të arsyeshëm për veten e tij dhe të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Ky do të ishte i vetmi kontribut i tij dhe për reformën në drejtësi që e shkatërroi, që e degradoi dhe mirë që shkatërroi këtë tonën duke zgjedhur prokurorë me 69 vota e duke bërë betimin te Lana të anëtarëve të GJK, bile e përdhunoi dhe më keq kur Dvoranin, heroin, kampionin demokracisë e la me 12 vota. E mbani mend, vetëm 12 vota i dha. Shqiptarët nuk i përdhunon dot, çmimin le të zgjedhë vetë dhe ta zgjedhë sa më parë. Është mirë për të dhe për ata rilindasit, për këtë sekt që punon vetëm në këtë mënyrë. Siç punon ky, punojnë të gjithë në zyrat e tyre dhe u pinë gjakun shqiptarëve”, theksoi Meta.