Partia Demokratike ka denoncuar sot atë që e cilëson skandali me aplikacionin qeveritar “Aktivisti”.
Në një dalje për mediat, sekretari për të Drejtat e Njeriut, Bislim Ahmetaj pohoi se drejtues të lartë detyrojnë punonjësit e administratës që të shpërndajnë dhe komentojnë postimet e kryeministrit Rama.
Mes të tjerash Ahmetaj i bëri thirrje SPAK që të nisë hetimet për këtë çështje. Po ashtu në emër të PD-së, sekretari për të Drejtat e Njeriut i bëri thirrje nëpunësve civil që të zbatojnë statusin e tyre ligjor dhe të refuzojnë urdhrat e paligjshëm të eprorëve me tesera partie.
DEKLARATË E SEKRETARIT PËR TË DREJTAT E NJERIUT, BISLIM AHMETAJ
Edi Rama pas aktit të shpalljes si i pandehur nga drejtësia amerikane ka humbur çdo kontroll mbi veten, dhe për pasojë ka ndërsyer gjithë batalionin e tij kundër punonjësve të administratës publike, që nuk janë pjesë e stanit të tij të korrupsionit dhe krimit.
Këto ditë pranë Sekretariatit për të Drejtat e Njeriut në PD ka pasur denoncime të shumta nga punonjës të administratës publike, të të gjitha niveleve, të cilët dëshmojnë se janë thirrur nga eprorët dhe janë urdhëruar të instalojnë dhe të përdorin me detyrim aplikacionin “Aktivisti”, prodhim i zyrës së agjitacionit dhe propagandës pranë Kryeministrit. Përveç pëlqimeve, që janë të detyrueshme dhe vlerësohen me pikë, ata duhet të shpërndajnë nëpër faqet e tyre cdo marrëzi të kryeministrit, ministrave dhe shefave të tyre direkt, gjithashtu janë urdhëruar që të komentojnë negativisht cdo deklaratë apo qëndrim të përfaqësuesve të opozitës, ata që nuk kanë rrjete sociale duhet ti hapin ato me urgjencë.
Ky është përshkrimi i punës së administratës shtetërore, që nga specialisti i thjeshtë i pushtetit vendor, deri te drejtuesit e lartë nëpër institucionet qendrore të shtetit. Ky do të jetë matësi i përformancës në punë për çdo punonjës deri pas 14 majit, kohë kur janë paralajmëruar largimet nga puna për të gjithë ata që nuk do ti përgjigjen aksionit propagandistik për mbrojtjen e të pandehurit Rama dhe të hajnave të tjerë pjesë e grupit të strukturuar kriminal që ka uzurpuar shtetin shqiptar.
Nga selia e Partisë Demokratike i bëjmë thirrje batalionit në ikje të shantazhistëve të Edi Ramës që të ndalin presionin dhe shantazhin mbi administratën publike, në të kundërt ju garantojmë se ju do të jeni të parët që do të ndëshkoheni nga ligji. I bëjmë thirrje SPAK-ut të nis urgjentisht hetimet kundër personave përgjegjës të prodhimit dhe shpërndarjes të aplikacionit “Aktivisti”, me anë të cilit drejtuesit e lartë të shtetit po shantazhojnë punonjësit e administratës në kundërshtim të plotë të ligjit për shërbimin Civil dhe Kodin e Punës.
Gjithashtu ju bëjmë thirrje nëpunësve civil të zbatojnë statusin e tyre ligjor dhe të refuzojnë urdhrat e paligjshëm të eprorëve me tesera partie. Ditët në pushtet të sektit të rilindjes kanë filluar numërimin mbrapsht. Ata që urdhërojnë shkeljen e ligjit s’do të kenë vend në administratën e shtetit shqiptar. Partia Demokratike në qeverisje të vendit garanton zbatimin rigoroz të ligjit dhe vetëm të ligjit.