Mario Baloteli është padyshim ylli i ri i kampionatit zviceran të futbollit. Sulmuesi nuk ka filluar ende të lërë shenjë në fushën e lojës me golat e tij, por skuadra e Sionit po marshon me ritme të kënaqshme dhe këtë javë mposhti 2-1 St. Galen që kryesonte kampionatin.
Arkitekti i skuadrës është Paolo Tramexani, i cili me Balotelin në ekip ka padyshim më shumë përgjegjësi mbi shpatulla e pritshmëri ndaj ekipit të tij. Por ish-ndihmësi i Xhani De Biazit është i ndërgjegjshëm se prania e një ylli të tillë në skuadër, kërkon “sakrifica” të cilat kalojnë përtej asaj që janë detyrat e tij në pankinë.
Kjo u kuptua më së miri në ndeshjen e të shtunës, kur një tifoz pushtoi fushën gjatë pushimit të sfidës, duke kërkuar një foto me Balotelin i cili e nisi sfidën nga pankina. Për të qetësuar situatën para ndërhyrjes së stjuardëve mendoi vetë Tramexani, i cili mori celularin dhe u kthye në fotograf, pasi ishte ai i cili shkrepi foton e tifozit me sulmuesin italian.
Arena e Lajmit