Jemi mësuar t’i shikojmë gjithnjë me veshjen e politikanit, teksa nuk i kanë të rralla edhe rastet ku spontanisht ‘kapen mat’ nga oborri i Parlamentit.
Natyrisht që objektivit të kamerës sonë nuk mund t’i shpëtojnë takimet e miqve dhe rivalëve, batutat mes tyre, por pse jo edhe detajet e veshjeve dhe të aksesorëve që ato përdorin.
Por këtë herë kemi preferuar t’i shikojmë ndryshe. Paparaci ynë ka mundur t’i sjellë edhe në një profil tjetër, atë familjar. Konkretisht, në foton e shkrepur është deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Arben Pëllumbi.
Ashtu si shihet edhe nga fotoja, Pëllumbi ka qenë duke konsumuar një kafe me bashkëshorten dhe vajzën e tyre. E teksa deputeti po çohet nga tavolina, gruaja dhe vajza e tij vijojnë të jenë të fokusuara tek telefonat e tyre.
Me sa duket, familja ka shfrytëzuar kohën e ngrohtë për të konsumuar një kafe së bashku, ndonëse të gjithë vëmendjen ia ka marrë telefoni.