Pas njëzet e katër vitesh, Italia është shpallur kampione bote në volejboll për meshkuj, duke i dhënë kështu fund këtij “agjërimi” të gjatë falë një brezi të artë lojtarësh si Daniele Lavia, Alesandro Mikieleto apo Iuri Romani, të cilët ishin edhe udhëheqësit e skuadrës axurre në finalen e mbrëmjes së djeshme kundër Polonisë.
Të besuarit e trajnerit Fefe di Xhorxhi triumfuan me përmbysje me rezultatin 3-1, duke ngritur lart trofeun e shumëdëshiruar në arenën “Spodek” të Katovicës. Ndonëse ishin të zotët e shtëpisë ata që e filluan më mirë, duke e fituar setin e parë, italianët reaguan dhe realizuan një përmbysje fantastike, teksa triumfuan në tri setet e tjera.
Për të rikthyer titullin botëror në shtëpi, Italisë i duhej një njeri nga ai brez i artë i tri triumfeve të viteve 1990, 1994 dhe 1998, që asokohe ishte protagonist në parket, si Fefe de Xhorxhi, por që tashmë udhëheq skuadrën në pankinë. Finalja e mbrëmjes së djeshme, ashtu sikurse pritej, ishte tepër elektrizuese, në një atmosferë të ndezur në Katovicë.
Në setin e parë u luftua pikë për pikë dhe u duk që ky set do të shkonte në favor të Italisë, që mori kryesimin 21- 17. Por miqtë u bllokuan në fund, ndërsa të zotët e shtëpisë, të mbështetur nga publiku i zjarrtë, barazuan në 21-21, për ta përmbysur më pas setin në shifrat 25-22, me pikën decizive nga Slivka. Në setin e dytë, vendësit e nisën me vrull, teksa shënuan tri pikët e para, por italianët u kundërpërgjigjën, me shifrat që shkuan 7-7.
Beteja vijoi aksion pas aksioni edhe në këtë fraksion, me përmbysje dhe ripërmbysje. Polonia rimori epërsinë +3, por Italia i barazoi sërish shifrat, për ta fituar setin 25-21, duke barazuar 1-1.
Edhe në setin e tretë, pas një fillimi të mirë, polakët fiken, ndërsa Mikeleto jep shkëndija për Italinë që merr kryesimin 19-15, për të fituar setin 25-18, duke përmbysur në 2-1.
Seti i katërt ishte një sinfoni axurre, ku Belaso mbronte me mjeshtëri, ndërsa Mikieleto dhe Romani hodhën KO polakët, në bashkëpunim me Lavian, protagonist me 19 pikë.
Me gjithë tentativat e dëshpëruara të polakëve, Italia kontrolloi gjithçka dhe e vulosi setin 25-20 dhe të gjithë takimin 3-1. Kështu, italianët shkurorëzojnë kampionët, për të marrë fronin për herë të katërt në histori.
Në ndeshjen për medaljen e bronztë, Brazili mundi Slloveninë me rezultatin 3-1 (25- 18, 25-18, 22-26, 25-18).
Arena e Lajmit