Tod Bohli, pronari i Çelsit, është i interesuar për të transferuar Luis Kamposin në rolin e drejtorit sportiv në “Stamford Bridge”, për të punuar me trajnerin e ri Graham Poter. 58- vjeçari, i cili zëvendësoi Leonardon dhe është këshilltar i merkatos së PSG-së që prej muajit qershor, është një emër i njohur edhe në Shqipëri.
Gjatë karrierës së tij, ai ka bërë biznes edhe me klubet shqiptare, më saktësisht me Skënderbeun. Në vitin 2017, ai bleu nga radhët e korçarëve për 300 mijë euro talentin Agim Zeka, duke e transferuar në radhët e klubit të Lilës, ku portugezi sapo kishte filluar punë si drejtor sportiv. Kampos, i cili e ka mbuluar këtë rol edhe te Lila, Monako dhe Reali i Madridit, ka transferuar emra si Mbape, Marsial, Fabinjo, Bernardo Silva apo Osimhen. Problemi është se ai sapo ka firmosur një kontratë 3- vjeçare me kampionët e Francës.
Por bosi amerikan i Çelsit e sheh atë si zëvendësuesin e Majkëll Emenalos, i cili u largua vitin e shkuar drejt Monakos. Deri në këtë moment, Bohli e ka mbajtur vetë detyrën e drejtorit sportiv në “Stamford Bridge”. Por sipas “The Times”, ai është i pakënaqur me strukturën e skuadrës dhe dëshiron një profesionist për të mbuluar këtë detyrë në të ardhmen.
Arena e Lajmit