Tomas Tuhel nuk ka tretur ende zhgënjimin e shkarkimit të papritur nga stoli i Çelsit javën e shkuar, por në horizontin e gjermanit mund të jetë stoli më i rëndësishëm i karrierës së tij, ai i Realit të Madridit.
Sipas “The Athletic”, rekordmenët e Europës do të marrin në konsideratë emrin e ish-teknikut të PSG-së dhe Dortmundit për të zëvendësuar Karlo Ançelotin në të ardhmen. Pozicioni i teknikut italian është i palëkundur, ndërsa ai fitoi një tjetër Champions sezonin e shkuar dhe e ka nisur sezonin e ri me 7 fitore në po kaq ndeshje. Por dinamikat në futboll dihet që ndryshojnë shpejtë.
Ai ka një kontratë deri në vitin 2024 në “Bernabeu” dhe ka thënë se kur të largohet nga Reali do të dalë përfundimisht në pension për t’ia përkushtuar kohën e tij vetëm familjes. Dhe nëse Tuhel do të jetë pa skuadër, atëherë mund të presë telefonatën e Perezit.
Arena e Lajmit