Flamurtari në “ankth” për sulmin, ish-futbollisti i Kukësit nuk po merr dot vizën

Flamurtari në “ankth” për Erik Floresin. Brazilianit i kanë hapur probleme me vizën.

Erik Flores Kukesi

E ndërsa e presin të bashkohet me pjesën tjetër të skuadrës, sulmuesi po vonon. Dhe kjo i “ka hapur shumë punë” skuadrës, kur dihet që kanë shumë mangësi në ofensivë.

Kur erdhi lajmi për afrimin e lojtarit që dikur ka luajtur te Kukësi, të gjithë u çliruan. Me cilësitë që ai zotëron, do t’i ndihmojë vlonjatët. Klubi ka mbyllur gjithçka me të, madje edhe e kanë federuar.

Ai tashmë duhet të ishte vendosur nën urdhrat e stafit teknik për të kontribuar për skuadrën, por kjo nuk ka ndodhur ende.

Burime pranë klubit thonë për “Panorama Sport”, se Erik Flores po vonohet për shkak të vizës. Megjithatë, po këto burime konfirmojnë se drejtuesit po bëjnë të gjitha përpjekjet që ta zgjidhin sa më shpejt këtë çështje.

Në klub kanë shumë besim se kjo situatë do të marrë fund shumë shpejt dhe lojtari do të vijë në Shqipëri.

Braziliani mbahet mend mirë nga tifozët e Kukësit, teksa në sezonin 2015-2016 bëri një paraqitje fantastike dhe në Vlorë menduan se në situatën kur skuadra nuk po prodhon gola, ai do të ishte një zgjidhje perfekte.

Lojtari ka një karrierë shumë të pasur, ndërsa ka luajtur edhe me Boavistën, te Brasiliense dhe sezonin e fundit është aktivizuar për Remo duke nisur nga viti 2021.

Në Vlorë “luten” që çështja e vizës të marrë fund dhe lojtari të vendoset nën urdhrat e trajnerit Marcelo Troisi.

TË HUAJT – Klubi vlonjat afroi 12 lojtarë këtë sezon, pjesa më e madhe janë të huaj. Ata janë nga Brazili, Afrika e deri nga Arabia. Në mbrojtje kemi dy lojtarë të huaj: Zana Amidou Silue dhe Mohamed Husain Sulaimani.

Edhe në mesfushë po ashtu: Juri Merlim dos Santos Karvalho dhe Fernando Armando dos Santos. Në sulm janë katër të huaj: Mateus Iakovelli, Jonatan Silva, Fouseni Kamisoko dhe Erik Flores, që pritet.

Ndërkaq, braziliani tjetër, Oliviera, mund të quhet shqiptar, pasi është martuar në Vlorë dhe ka marrë pasaportë shqiptare.

Tetë lojtarë të huaj kanë kuqezinjtë këtë sezon. Ata tashmë duhet të garojnë për pesë vende, pasi kaq lejohen të luajnë në formacion.

Por një pjesë e mirë e tyre nuk ka arritur dot që të përshtatet me grupin dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjnë në vazhdim.

– Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


Flamurtari në “ankth” për sulmin, ish-futbollisti i Kukësit nuk po merr dot vizën

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook