Mblidhet Komisioni i Votimit dhe Etikës, ku po diskutohet kërkesa e 7 deputetëve të PS-së, për përjashtimin e 8 ligjvënësve demokratë për 10 ditë nga seancat plenare. Sipas socialistëve, deputetët e PD kanë penguar zhvillimet në Kuvend.
Mësohet se në mbledhje që nisi në orën 10:00 të pranishëm janë 6 deputetë të PD, për të cilët është kërkuar përjashtimi.
Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi pohoi se Kuvendi dhe ky komision po tenton që t’i mbyllë gojën opozitës. “Nuk e kuptoj se pse keni frikë nga fjala e lirë? Pse ju pretendoni se kjo mbledhje është e rregullt? Kjo mbledhje ka rënë, pasi në kohën kur dorëzohet kërkesa, ky komision e ka detyrim ligjor që të mblidhet brenda 48 orëve. Është joetike kjo gjë, ndaj duhet të zbatoni rregulloren. Për praninë e medias dhe për afatet. Ju nuk mund të vini këtu dhe të silleni si pronë dhe zgjatim i Kuvendit të kapur. Jeni në shkelje të dy neneve të rregullores. Etikë është respektim i ligjeve të shkruara. Ju doni të na mbyllni gojën. Këtu për shkelje të etikës duhet të ishte kryeparlamentarja popullore. Duket qartas se është urdhër politik. Doni të dënoni 8 deputetë se nuk ju pëlqejnë akuzat e vërteta të dala me fakte në mediat ndërkombëtare.”, tha Boçi.
Kujtojmë se përjashtim është kërkuar për; Luçiano Boçin, Albana Vokshin, Ervin Salianji, Ina Zhupën, Luan Baçin, Tritan Shehun, Gazmend Bardhi dhe Bledion Nallbati.