EKSKLUZIVE/ “Tirana gaboi me sulmin”, Ardian Mema: Shehi nuk duhet të… (E PLOTË)

Ardian Mema e njeh shumë mirë ambientin bardheblu të Tiranës, sepse ka luajtur dhe i ka drejtuar këto ngjyra. Pas katër javësh kampionat, ish-trajneri analizon për “Panorama Sport” startin e kampionëve në fuqi të Superiores. Mema thotë se e rëndësishme është loja e mirë, pasi rezultatet do të vijnë, megjithëse shprehet se ndryshimet e tepërta e kanë dëmtuar Tiranën. Ai ka një koment edhe për largimin e Gegës nga Kukësi, por edhe rivalin që do të konkurrojë Tiranën për titull.

ardian-memaa

Profesor si jeni, në këto javë kampionat, çfarë ju ka pëlqyer dhe çfarë nuk ju ka pëlqyer te Tirana?

Të kesh oshilacione në ekip është e pranueshme. Mendoj se Tirana e luan shumë mirë futbollin, ndoshta edhe fati mund të jetë në mes. Ndeshja me Shkodrën nuk duhet të ishte humbur, por unë e shoh Tiranën me të ardhme. Më kujtohet edhe vjet kampionati, nuk është se e filloi mirë, por e përfundoi goxha mirë. Tirana është ekip që luan mirë, dhe unë i jap rëndësi lojës, sepse ajo të jep garanci për të ardhmen. Nëse je ekip që luan keq dhe fiton, për mua është diçka që do të humbasë rrugës, ndërsa kur je në pozita të mira, kontrollon topin, je ti që ndikon te kundërshtari, atëherë fitoret do të vijnë patjetër.

A i përballon Tirana kaq shumë ndryshime?

Zakonisht ndryshimet sjellin vështirësi, sidomos kur është krijuar një lloj stereotipie në ekip, pra siç ishte kampionati i vjetshëm. Tirana ishte e suksesshme, ishte një ekip që sulmonte ose kishte zgjedhur mënyrën e duhur për të sulmuar, duke pasur në organikën e vetë lojtarë si Seferi, Toli, Hoxhallari. Por është diçka që ka ndodhur në futboll dhe do të ndodhë, do të vijnë lojtarë dhe do të ikin lojtarë. Zotësia e kësaj pune është se si do t’i përshtatësh gjërat shpejt për të kapur ritmin e garës, ritmin e kampionatit dhe për të qenë sërish kompetitivë në vazhdimësi. Unë mendoj se ndryshimet e tepërta bëjnë dëm, por Tirana nuk është se ka marrë lojtarë jocilësorë, janë me cilësi, thjesht u duhet koha e duhur për ta kualiduar ekipin.

Vjet Tirana kishte një sulmues si Seferi, këtë vit është detyruar të luajë me Hasanin në qendër dhe nuk ka një sulmues të mirëfilltë, që edhe vetë Shehi e ka shprehur këtë gjë.

Unë i jap të drejtë trajnerit, sepse Hasani është një lojtar që luan në krah, Ismajlgeci mund ta bëjë linjën e krahut se ka luajtur, por problem është se shume adoptime sjellin problematika më pas, meqenëse edhe lojtari do kohën e nevojshme për t’u përshtatur me grupin për mënyrën si ai do të luajë.

Këtë pjesë klubi duhet ta kishte menduar mirë si do ta organizonte. Në Kupat e Europës Tirana duhet ta kishte gjetur një sulmues, është e vështirë sot për të gjetur lojtarë me cilësi, por Tiranës i duhej, sepse ishte në Champions, dhe një fitore aty, një kualifikim, Tiranës i jepte të ardhura financiare sa një sezon. Prandaj them që klubi duhet ta mendonte mirë dhe të gjente një sulmues, sado të kushtonte ai. Adoptimet e roleve nuk do t’i bëjnë mirë dhe mendoj që lojtarët duhet të luajnë në pozicionet e tyre natyrale.

 

Ka pasur një ofertë për trajnerin Shehi nga Shkëndija e Tetovës, sa mendoni se ndikon në ambientin bardheblu, duke qenë se ai është në kontratë me klubin?

Unë e kam dëgjuar si lajm, por në momentin që nuk pohohet dhe as mohohet, atëherë fillohet të aludohet. Në kushtet e kontratës, trajneri duhet të respektojë atë në një situatë të tillë. Shkëndija vitet e fundit ka një zë shumë të madh në Maqedoni, por edhe Tirana është një zë shumë i madh në Shqipëri, midis dy alternativave mendoj që do të zgjidhja Tiranën. Shumë trajnerë kanë oferta edhe gjatë kohës së kontratës, por duhet ta respektosh atë, ose bën një marrëveshje klub me klub dhe bie dakord.

Mendoni se Tirana mund ta mbrojë titullin kampion këtë vit?

Unë gjithmonë u referohem ndryshimeve, por duhet të shoh rreth 7-8 ndeshje sepse atëherë e kuptoj mënyrën e lojës dhe jap pikënisjen time se si do t’i parashikoja gjërat. Megjithatë, është shumë herët për të folur, por Tirana me kontigjentin që ka, do të jetë në ekipet elitare të kampionatit. Kampionati është i gjatë dhe duhet të presim pak. Si rasti i Laçit vjet që nuk e filloi mirë, por përfundimi ishte komplet tjetër, apo edhe Tirana.

Mund të themi një rival të Tiranës për kampion?

Partizani më ka pëlqyer. Vllaznia mundi Tiranën, por humbi me Egnatian. Pra, një ekip që fiton, humbet dhe nuk ka një kurbë stabël për pjesën e rezultateve, ai është një ekip i cenueshëm ose një ekip i destinuar për të pasur rezultate negative që nuk do t’i bëjnë mirë për përfundimin.

Një koment të fundit për largimin e Skënder Gegës nga Kukësi.

Unë jam trajner dhe jam me trajnerin, cilido qoftë. Për katër javë është një nxitim i madh për të marrë të tilla vendime. Plus, nuk e kuptoj, sepse ai ka qenë më parë trajner i Kukësit për gati 7 javë, këtë vit e mori sërish presidenti. Megjithatë, këto kanë ndodhur në Shqipëri dhe do të vazhdojnë të ndodhin, kjo është një gjë normale nëse ke luajtur dhe nuk ke pasur rezultate.

Po nëse afron 22 lojtarë gjatë një merkatoje, çfarë duhet të presësh?

Nëse do të kesh një projekt që do të marrësh 22 futbollistë, atëherë ti ke ndryshuar 80% të ekipit dhe të duhen minimumi 6 muaj kohë. Kjo zakonisht ndodh në ligat e ulëta, që kanë dhe disa projekte 4 ose 5-vjeçare për t’u ngjitur në nivelet superiore, por nuk pranohet kurrsesi fakti që të bësh çdo vit merkato me një numër të lartë ndryshimesh, maksimumi mund të lëvizin 4-5 lojtarë, jo më shumë. Por duhet të mendohet mirë, që cilindo lojtar të larguar ta zëvendësosh. Nëse nuk bëhet kjo analizë, cilido trajner të shkojë dhe të gjejë 20 fytyra të reja, do ta ketë të pamundur të bëjë ekip në një kohë të shkurtër.

KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit

 

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


EKSKLUZIVE/ “Tirana gaboi me sulmin”, Ardian Mema: Shehi nuk duhet të… (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook