“Rama ik”, opozita kërkon dorëheqjen e Ramës/ Tre orë protestë, Berisha paralajmëron tjetrën të hënën: Revolucioni vazhdon (Foto+Video)

Protesta 11 Shkurt (1)

Ka zgjatur rreth tre orë protesta e 11 shkurtit e opozitës. Ashtu siç ishte paralajmëruar, protesta është mbajtur për 2 orë në Bulevard para Kryeministrisë, 1 orë marshim nëpër Tiranë teksa një tjetër është paralajmëruar ditën e hënë para parlamentit.

Berisha e Meta kanë dhënë mesazhet e tyre të forta kundër qeverisë ‘Rama’. Protestuesit kanë hedhur flakadanë e sende drejt Kryeministrisë duke shkaktuar një situatë kaotike për disa minuta. Ndryshe nga protestat e kaluara, Berisha ka vendosur të japë mesazhe edhe para disa prej institucioneve kryesore në Tiranë.

Në drejtimin e kreut të PD-së protestuesit janë zhvendosur te Parlamenti me thirrje “Rama ik!”. Pas kësaj ata i janë drejtuar Ministrisë së Brendshme, për të qëndruar dhe te Bashkia e Tiranës, nga ku Berisha sërish ka dhënë një mesazh.

Ndalesa e fundit ka qenë Partia Socialiste, ku Berisha i është drejtuar socialistëve të ndershëm.
Pas kësaj ai ka uruar ‘fundjavë të mbarë’ dhe ka lënë protestën e radhës të hënën më 13 shkurt para parlamentit, në kohën kur është caktuar seanca.

Partia Demokratike, e mbështetur nga aleati i saj Partia e Lirisë thirrën shqiptarët në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në orën 12:00 për të protestuar kundër qeverisë ‘Rama’. Ishte kryetari i PD-së, Sali Berisha ai që e njoftoi mbajtjen e kësaj proteste, ndërsa data u vendos pas konsultimit të tij me grupin parlamentar, ndërkohë që u përkrah dhe nga aleatët e tij.

Berisha mbyll protestën: I kërkoj policisë të lirojë menjëherë luftëtarët e lirisë, çdo cenim i tyre cilido që ta bëjë do të regjistrohet si armik

Ora 14:54- Sali Berisha ka mbyllur protestën pas mbërritjes së bashku me qytetarët në selinë blu. Kreu i PD tha se do të rikthehen të hënën sërish, ndërsa i bëri thirrje policisë që të lirojë protestuesit.

“Shpërndahemi pasi i dhamë një mesazh të fuqishëm shprese, besimi, fitoreje shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo ndodhen. Mesazh të fuqishëm dhe miqve tani kudo në botë se revolucioni jonë është një betejë jetike, mision i shenjtë për pluralizmin, se këtë mision s’ka forcë në botë t’i mposhtë.

Ndahemi të betuar, të vendosur më shumë se kurrë për të vazhduar revolucionin për kauzën tonë të drejtë deri në përmbysjen e plotë të monizmit.

I kërkoj policisë të lirojë menjëherë luftëtarët e lirisë, çdo cenim i tyre cilido që ta bëjë do të regjistrohet si armik. Ditën e hënë para parlamentit.

Marshimi i protestuesve, Berisha te PS, mesazh socialistëve: Kjo ndërtesë është shndërruar në selinë e së keqes. Gjiknurit i kanë humbur 6 mln euro

Ora 14:29-  Kreu i PD-së Sali Berisha dhe protestuesit i janë drejtuar Partisë Socialiste.

Berisha iu dërgoi një mesazh socialistëve të ndershëm siç tha ai. Kreu i PD theksoi se kjo ndërtesë është shndërruar në selinë e së keqes nga një grup kriminal i kryesuar nga Rama.

“Së pari për një mesazh paqësor për të gjithë socialistët e ndershëm shqiptarë. Kërkoj mirëkuptimin e tyre, i siguroj se aq sa kanë ata respekt për votën e tjetrit, aq ka Sali Berisha respekt për ta. Kjo ndërtesë është shndërruar në selinë e së keqes nga një grup kriminal i kryesuar nga Rama, i cili me lidhjet e tij me bandat, me krimin, iu ka shkaktuar shqiptarëve dramën më të madhe, ka përzënë nga vendi nga viti 2014, mbi 700 mijë shqiptarë.
Edi Rama me piramidën e krimit dhe të drogës nuk është i vetëm. E kam denoncuar vazhdimisht. Ai që kryeson grupin parlamentar është një trafikant i shpifur, i cili merrej në Rumani duke nxjerrë viza prostitutave rumune. Është një njeri që merret me trafiqe, i del emri në regjistrimet e shumë grupeve kriminale, çfarë i lidh socialistët me ta? Ata nuk mbrojnë interesat e socialistëve”, deklaroi Berisha.

Ai tha se ata mbrojnë vetëm interesa kriminale të pasurimit të tyre. “Merr Gjiknurin, Gjiknur gurunë… të nderuar socialist të ndershëm, nëse Alda Klosi ju gjetën 700 mijë euro, Damianit tuaj, zëdhënësi i interesave ruse, i kanë humbur 6 mln euro bashkë me nënën e tij. Vendi i tij është në burg. Balluku paguan me lekët tuaja një biftek një mijë euro. Xhaçka me çfarë merite e bëri burrin investitor strategjik? E ëma e saj e saj ka qenë në ndjekje penale për trafik fëmijësh, me birësime. Këshilltari i saj, Josifi, i ka vjedhur 2.2 mld euro pensionistëve europianë me call center. Sa ka marrë Olta, Olsi, Rama? Do ta sqarojë drejtësia. Çfarë ju lidh ju socialistë më këta? Prandaj erdha këtu, merreni si një mesazh. Këta e kanë vendin në burg”, tha Berisha

Nga bunkeri te Ministria e Brendshme, Berisha: Mesazh ministrit të familjes. Ky marshim sot paqësor, por ka objektivat e veta

Ora 14:24- Kreu i PD-së Sali Berisha ka ndaluar para bunkerit te Ministria e Brendshme pas marshimit që kaloi te parlamenti.
Ai tha se ndodhet aty për t’i dhënë një mesazh ministrit të familjes Çuçi, i cili është një anëtar familjar i organizatës kriminale të Edi Ramës.

Berisha theksoi se ky marshim pranë shtyllave kryesore është paqësor sot, por ky ka objektivat e veta taktike dhe strategjike

“Erdhëm këtu për t’i dhënë një mesazh ministrit të familjes Çuçi, i cili është një anëtar familjar i organizatës kriminale të Edi Ramës se ai duhet të japë urgjentisht bashkë me Edi Ramën dorëheqjen. Ky marshim pranë shtyllave kryesore është paqësor sot, por ky ka objektivat e veta taktike dhe strategjike. Do t’i mësoni në ditët në vazhdim. Sot kaluam para parlamentit ditën e hënë protestojmë para parlamentit”, deklaroi Berisha.

Sali Berisha dhe protestuesit largohen nga Kryeministria, i drejtohen Parlamentit (Live)
Ora 14:09- Pas gati dy orësh opozita ka mbyllur protestën e organizuar sot para kryeministrisë, por turma me në krye Berishën dhe Metën, janë duke lëvizur në këmbë në drejtim të Parlamentit.

Pas qëndrimit dhe mesazheve te Kryeministria, Kryetari i PD së bashku me protestuesit po i drejtohen Parlamentit më këmbë.

Gazetarja Klodiana Lala raporton live nga protesta, duke bërë me dije se protestuesit dhe Berisha janë ndalur para Ministrisë së Brendshme. Kreu i PD ka përshëndetur protestuesit, duke u ngjitur në bunker, ndërsa në duar mban një flamur të PD dhe një flamur shqiptar.

Në mbyllje të fjalës së tij më herët, Berisha tha se ditën e hënë protesta do të bëhet para parlamentit, në momentin kur do të zhvillohet seanca plenare.

Berisha tha se kjo do të jetë një protestë kundër Ramës, duke e cilësuar një revolucion demokratik që do të çojë sipas tij drejt dorëheqjes së kryeministrit.

Ndizet situata para Kryeministrisë, hidhen kapsolla e flakadanë, godina mbulohet nga tymi
Ora 13:55- Ndizet situata para Kryeministrisë. Protestuesit hedhur kapsolla e flakadanë në shkallët e Kryeministrisë teksa mbahet protesta e opozitës.

Siç shihet nga pamjet e kapura nga agjencia LSA, kapsolla ka krijuar tym dhe ka prishur radhët e policisë. Godina është mbuluar nga tymi.

“O besëprerë! Kombi s’ka pasur një faqezi të dytë si ti”, Berisha i prerë: Jep dorëheqjen! Largoji nga Surreli tanket dhe autoblindat e ushtrisë
Ora 13:32- Kreu i PD-së Sali Berisha e cilësoi kryeministrin Edi Rama besëprerë e faqezi. Berisha tha se Rama është kryeministri më i korruptuar në Europë duke i kërkuar të japë dorëheqjen dhe të largohet.

“Në protestën e fundit, opozita pro-perëndimore e Shqipërisë, u tregoi të vërtetën liderëve europianë se Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Europë, se është kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Të gjithë e mbani mend baltën që hodhi Rama mbi opozitën për ta heshtur atë, të gjithë i mbani mend masat që i mori kundër popullit opozitar për të mos protestuar atë ditë. Të gjithë e mbani mend atentatin që organizoi me një mjeran të paguar, por ai mori turpin botëror. Zëri ynë ushtoi në gjithë botën.
E vërteta kurrë nuk mbulohet dot. E vërteta triumfon gjithmonë, ashtu si rrezja e diellit që shpërndan terrin, e vërteta jonë bëhet gjithmonë e më ndriçuese, në Shqipëri, por edhe te miqtë tanë në botë.
Sot mediat e gjithë botës po flasin të vërtetën që shprehu opozita dy muaj më parë në atë protestë. Sot mediat botërore mbajnë në faqen e parë skandalin, Wotergejtin e shekullit të 21-të.
Në këtë skandal, Edi Rama është i vetmi kryemnistër që përmendet 14 herë që korruptoi dhe përdori si vrasës me pagesë kundër opozitës perëndimore të Shqipërisë, njërin nga zbuluesit më të fuqishëm të planetit.
A ka atentat më të rëndë ndaj demokracisë së një vendi se ky? A ka turp më të madh për Shqipërinë se sa ky akt?
Dikur Shqipëria bënte lajmin e botës për pritjen madhështore për presidentin e SHBA, sot Shqipëria përbën lajmin e botës se kreu i narkoshtetit, sikur të ishte Lukashenko i Bjellorusisë, korrupton shefin e kundërinteligjencës së FBI, partnerit tonë më strategjik, udhëheqësit të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Dikur Shqipëria bënte lajm për hyrjen në NATO, sot bën lajm se kryeministri i saj barazohet me një oligark rus, mik të Putinit, strofull të shërbimeve kriminele ruse. Kombi nuk ka pasur një faqezi të dytë si ti. Jep dorëheqjen, largohu!”, deklaroi Berisha

Kreu i PD-së tha më tej se pas këtij akti të pabesë ndaj aleatit të madh të kombit shqiptar, SHBA-ve, vendit që udhëheq NATO-n, Edi Rama nuk është më legjitim.
“Ai nuk mund të jetë kurrë km i Shqipërisë, atë nuk e shpëton asgjë, asnjë skup, asnjë marrëveshje, as një gënjeshtër, asgjë tjetër, jep dorëheqjen dhe largohu!
Edi Rama këtë ndërtesë e ke blinduar, në Surrel ke futur në tunele tanket dhe autoblindat e ushtrisë. Tani të them këtu ato largoji nga Surreli, gjysmën e tyre çoji në Ukrainë, sepse idealet tona, idealet e këtij revolucioni shpojnë çdo blind, asgjësojnë çdo tank. Mjerë ti që mendon se mund të mbrohesh në këtë mënyrë”, tha Berisha.

“Dita me diell duket që në mëngjes!”, Meta: Ramën nuk e shpëton asgjë. Mesazhin sot e jep populli!
Ora 12:23- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë nga selia e Partisë së Lirisë dhe i është bashkuar protestuesve. Ai ka dhënë dhe një mesazh për qytetarët.

“Dita me diell duket që në mëngjes! Asgjë nuk i shpëton krimin dhe korruptuesin. Asgjë s’e shpëton. Mesazhin e sotëm e jep populli”, tha ai.
“Edi Rama është i rrëzuar. E di që është një fajtor dhe që nuk do t’i shpëtojë dot llogaridhënies. Është një fillim pakti. Është nëj ndryshim që do ndodhë me çdo çmim, në mënyrë që të mos i dëbojë Edi Rama fëmijët e shqiptarëve, por të ikë njëherë e mirë, një orë e më parë nga zyra e kryeministrit. Apeli im është të gjithë të dëgjojnë zërin e popullit”, tha Meta.

Protesta e opozitës/ Berisha del nga selia e PD dhe i drejtohet Bulevardit (Live)
Ora 12:22- Kreu i PD-së Sali Berisha ka lënë selinë e PD dhe i është drejtuar Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Me thirrjet kundër Edi Ramës dhe i shoqëruar nga qytetarë të shumtë, Berisha ka marshuar drejt Bulevardit, teksa ndryshe nga herët e tjera mediat nuk do të lejohen të jenë pranë tij.

“Protestoj si qytetare”, Kryemadhi: Fotot e vjetra nuk e shpëtojnë Ramën, as Ilir Meta e as Shkëlzen Ora Berisha nuk kanë paguar para për të korruptuar agjentin e FBI-së
12:15- Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi ka folur para nisjes së protestës për mediat. Ajo tha se ndodhet në shesh si qytetare dhe se ka parë të pranishme dhe shumë qytetarë që vijnë nga zona gri.

Sa i përket fotove të publikuara së fundi në media për cështjen “McGonigal”, Kryemadhi tha se “fotografitë e vjetra nuk e shpëtojnë Edi Ramën sepse as Ilir Meta, as Shkëlzen Berisha, as Sali Berisha nuk kanë paguar para për të korruptuar agjentin e FBI-së.”

“Sot pjesëmarrja do të jetë shumë e madhe. Nuk mendoj se do jenë vetëm mbështetësit e PD, do jenë dhe nga zona gri. Ajo çka kam parë sot, kam vënë re se pjesa më e lëkundur, ajo që është skeptike ndaj politikës do të dalë për të thënë se ne jemi këtu.

Nuk e di sa do të zgjasë sepse nuk jam pjesë e organizimit. Unë dal si qytetare, nuk dal për liderët politikë. Edhe ju duhet të dilni për familjet tuaja. Mënyra se si Edi Rama trajton me arrogancë shoqërinë shqiptare, që thotë unë po të jap rrogën ty, edhe pse i paguan me paratë e qytetarëve shqiptarë. Sot ka shumë arsye për të protestuar. Duhet të dalim të tregojmë se çdo gjë nuk është ajo që tregon Edi Rama. Mënyra se si largohet Edi Rama është e ndryshme.

Në SHBA Serwer më ka thënë se rruga juaj është e gjatë. Mendoj që protesta e studentëve është shembulli më i mirë, protesta e armëve kimike është shembulli i mirë. Pastaj hapat e tjerë mendoj që janë të ndryshme.

Më bëhet shumë qejfi që djali i hallës së Ilir Metës ka nxjerrë arkivin e 2013 ku Ilir Meta ishte në një takim me ambasadorin kinez.

Fotografitë e vjetra nuk e shpëtojnë Edi Ramën sepse as Ilir Meta, as Shkëlzen Berisha, as Sali Berisha nuk kanë paguar para për të korruptuar agjentin e FBI-së.

Ditë të shtune dhe ditë pushimi nuk ka protestë, ka manifestim. Protestë ka kur ne deputetët rrimë brenda në parlament dhe qytetarët jashtë dhe i kapim si miu në çark”, tha Kryemadhi.

Protesta e opozitës, njoftimi i ambasadës së SHBA për qytetarët amerikanë: Shmangni tubimet e mëdha! Monitoroni mediat dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve

Ora 11:28- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë iu bën thirrje shtetasve amerikanë të qëndrojnë larg protestës që pritet të mbahet nga opozita e bashkuar.

Në njoftimin e saj rutinë ambasada iu jep informacion shtetasve të saj se ku do të mbahet protesta duke i paralajmëruar se situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.

“Një protestë është planifikuar të zhvillohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përballë Kryeministrisë. Kjo protestë ka potencialin të përhapet në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve”, njofton ambasada e SHBA.

“Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit”, njofton ambasada.

“Rama demon i pushtetit”, kandidati i PD për Kamzën: Kjo qeveri i ka orët e numëruara
Ora 11:25- Arjan Hoxha, kandidat i PD për bashkinë e Kamzës pohoi pak para protestës se kjo qeveri i ka orët e numëruara.

Ai pohoi për News24 se Rama është demon i këtij pushteti.

“Kamza dhe Paskuqani të gjithë në protestë. Rama është demon i pushtetit. Kjo qeveri i ka orët e numëruara. Rakip Suli dhe ky po ashtu. Qytetarët do i japin përgjigjen e merituar kësaj qeverie.”, tha ai për gazetarin Mario Merhori.

“Vendi ka qenë kantier pune, sot është bërë azil pleqsh”, qytetarët: Në protestë jo për opozitën, por se Shqipëria po vidhet, Rama të japë dorëheqjen, ndryshe…

Ora 11:-3- Qytetarë të shumtë i janë përgjigjur sot thirrjes së opozitës për të protestuar.

Në sheshin “Skënderbej” janë mbledhur qytetarët nga Tirana dhe Veriu, teksa shumë prej tyre tregojnë për gazetarin Mario Merhori arsyet përse kanë dalë sot në protestë.

Njëri prej tyre tha se vendi ka qenë kantier pune dhe sot është azil pleqsh. Ata kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Kemi ardhur nga Sukthi për protestën. Vendin e ka mbuluar korrupsioni, krimi , papunësia. Të rinjtë po largohen. Pa të rinjtë nuk ka jetë, janë oksigjeni i një vendi. Prandaj kam ardhur të protestoj për të gjitha. Vendi ka qenë kantier pune, sot është bërë azil pleqsh”, tha një qytetar.

“Kemi ardhur në protestë jo se na thirri opozita, por se Shqipëria po vidhet. Po shkojnë të gjitha lekët te kriminelët, të rusët, te serbët, jo te populli shqiptar. Ndaj i bëj thirrje popullit shqiptar të dalë të protestojë, jo për partitë, por se po na merr lekët tona. Të protestojmë jo një ditë. T’i japim tre ditë afat kryeministrit, të japë dorëheqjen nëse nuk e jep ta gjejmë në vrimë të miut. Gjykata t’i japë vulën PD-së. SPAK të deklarojë se kush është fajtori në çështjen e atij amerikanit me Edi Ramën. Fëmijët na i morën, na i çuan nëpër botë, të na i shfrytëzojë bota. Ne kemi ngelur pleq e plaka këtu”, u shpreh një tjetër.

Ora 10:45- Pak na ndan nga protesta e opozitës sot në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Gazetari Osman Stafa raportoi në një lidhje live për News24 se kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ndodhet aktualisht në selinë blu, ndërsa ka shkuar në zyrën e tij rreth orës 10:00 dhe pritet që të dalë prej aty rreth orës 12.

Ndërkohë, para selisë së PD-së janë mbledhur simpatizantë demokratë, ndërsa dëgjohen herë pas here teksa lëshojnë thirrje kundër kryeministrit Rama. Siç shihet nga pamjet, simpatizantët mbajnë në duar flamuj të SHBA-ve, ato kuq e zi dhe ato të PD-së.

Aksioni opozitar për këtë protestë erdhi pas zhvillimeve të fundit politike në vend dhe botë, sa i takon çështjes McGonigal dhe lidhjeve të tij me kryeministrin Rama. Javët e fundit debatet në Kuvend kanë qenë të ashpra, gjë që ka sjell dhe përjashtimin e 11 deputetëve të PD nga seancat plenare. Nga ato çka u transmetuan dje, mësohet se në protestë do të ketë fjalime nga figura politike të opozitës, ashtu si për çdo herë, por edhe mesazhe nga pjesëmarrësit dhe simpatizantët e tyre. Një tjetër të veçantë që prite të ketë kjo protestë është fakti se grupi i Alibeajt do t’i bashkohen kolegëve të tyre. Ky fakt u konfirmua nga deputeti Gazment Bardhi gjatë një bisede televizive. Dje në një konferencë për mediat Berisha iu bëri thirrje policisë dhe SHISH që të kenë kujdes qytetarët, pasi nëse dikush prej tyre do të lëndohet, do të quhet i persekutuar politik, ndërsa shtoi se persekutorët do përgjigjen edhe pas 30 vitesh.

“Paralajmëroj policinë që të mbajë qëndrimin korret. Çdo protestues i lënduar do konsiderohet i persekutuar politik. Persekutori do përgjigjet dhe pas 30 vitesh.”, tha ai.

Sakaq protesta e opozitës, mesloganin “Shqipërisë i dalim Zot” ka vënë në lëvizje policinë, e cila më herët njoftoi se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës.

Arena e Lajmit

“Rama ik”, opozita kërkon dorëheqjen e Ramës/ Tre orë protestë, Berisha paralajmëron tjetrën të hënën: Revolucioni vazhdon (Foto+Video)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook