Instalacioni/ “Jeton në një botë paralele, ku s’ka shqiptarë”, PD: Rama ka humbur në kopshtin e harlisur të lajthitjeve të veta

Whatsapp Image 2023 02 17 At 14.23.00

Partia Demokratike i është kthyer sërish akuzave ndaj kryeministrit Edi Rama për instilacionin e vendosur para Kryeministrisë.

Në një dalje për mediat, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo pohoi se Rama ka humbur në kopshtin e harlisur të lajthitjeve të veta.

DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE
Katër milionë euro nga taksat tuaja do të kushtojë një instalacion, që do të vendoset në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë.
 
I mbiquajtur “kopështi i Parajsës”, përveç kostos së pajustifkuar, është edhe një tallje e hapur me shqiptarët.
 
Për kujtesë, ajo që Rama e quante “Pakoja e madhe” dhe do të ndahej mes 1 milionë shqiptarëve, ka nxjerrë nga arka e shtetit 8 milionë euro.
 
Për një kopsht që e sheh vetëm kryeministri dhe grupi i afërt i tij, rreth 20 vetë në ditë, janë derdhur 4 milionë euro.
 
E kemi thënë e stërthënë, se Edi Rama jeton në një botë paralele, ku nuk ka shqiptarë.
 
Kryeministri normal i një vendi normal nuk do të shpenzonte kurrë 4 milionë euro për një instalacion, një tekë të vetën, të cilën ai do ta fotografojë dhe postojë në rrjete sociale si Rilindje urbane.
 
Kryeministri normal i një vendi normal, nuk do ta luftonte inflacionin me një paketë 8 milionë euro dhe gjysmën e kësaj shume ta shpenzonte për pasditet e tij dhe të stafit, nën hijen e pemëve kacavjerrëse.
 
Kryeministri normal i një vendi normal, gjëja e fundit që bën janë shpenzimet e luksit, aq më shumë kur në 10 vitet e menaxhimit të shtetit, i ka ikur nga atdheu 1/3 e popullisë. Kryeministri normal i një vendi normal, nuk e ndan shtetin me të njëjtët oligarkë, si ata, me të cilët bën rrugë, kopshte fëmijësh apo kopështe lulesh, sic e dëshmon edhe “Parajsa” që ka vendosur të bëjë në oborrin e tij, me Fushën e përhershëm, të abuzimeve të zakonshme.
 
Kryeministri normal i një vendi normal nuk e trajton arkën e shtetit, pasurinë e përbashkët të qytetarëve si konton e vet personale. Kryeministri normal i një vendi normal, e ndërton shtetin nga brenda dhe nuk e vesh nga jashtë me lajle lulet e kotësisë.

Ky nuk është shtetndërtim, por mumifikim. Shqipëria nuk mund t’i lihet më gjatë Edi Ramës. Ai ka humbur në kopshtin e harlisur të lajthitjeve të veta. Shqipërisë duhet t’i dalim zot, sepse ajo nuk është as e një partie dhe as e një njeriu, është e të gjithë shqiptarëve !
 

Instalacioni/ “Jeton në një botë paralele, ku s’ka shqiptarë”, PD: Rama ka humbur në kopshtin e harlisur të lajthitjeve të veta

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook