EKSKLUZIVE/ U rrit te Dinamo Zagereb, rrëfimi special i Amir Kahrimanoviç: Më frymëzon Iniesta…

Quhet Amir Kahrimanoviç dhe ka lindur në Zagreb të Kroacisë, ndërsa origjina e tij është boshnjake. I rritur si futbollist në akademinë e Dinamos së Zagrebit, mesfushori iu bashkua Erzenit në korrik. Të shtunën shënoi golin e parë me shijakasit, duke i dhënë skuadrës fitores 1-0 ndaj Laçit.

Amir Kahrimanovic

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 23-vjeçari tregon për gjithçka pas suksesit të fundit.

Amir, goli i parë për ju me Erzenin dhe për më tepër me penallti në minutat shtesë. Cila ishte ndjesia në ato momente para se të godisje?

Së pari, jam shumë i lumtur që ndeshja me Laçin u mbyll me fitore dhe golin tim. Kisha shumë dëshirë të shënoja dhe besim të lartë te vetja, prandaj kërkova ta godisja penalltinë. Gjithsesi, më lumturon kjo fitore. Mendoj se e merituam, pasi luftuam deri në fund.

Si erdhët në kampionatin shqiptar, kush ua sugjeroi pas përfundimit të aventurës me Renovën e Tetovës në Maqedoni?

Të them të drejtën, nuk e kam ndjekur shumë Superioren, por kam dëgjuar nga disa miqtë e mi shqiptarë. Më kanë thënë se ishte ligë e fortë dhe po e vërtetoj këtë. Fushat ku kemi luajtur janë në kushte të mira. Kjo është gjë e mirë edhe për të rinjtë që po rriten. Më pëlqen ky klub, ndihem shumë mirë këtu. Futbollistët e ekipit, stafi, drejtuesit, por edhe tifozët, më kanë miqësuar mes tyre.

A është kjo forma më e mirë për ju apo prisni më shumë?

Forma më e mirë nuk është shfaqur akoma. Së shpejti do të jem në 100%.

Ju pëlqen më së shumti të shënoni apo të jepni asiste, si do ta përshkruani veten për karakteristikat që keni?

Në formimin tim si lojtar, jam më shumë mesfushor ofensiv sesa difensiv, por trajneri më shikon pak më mbrapa në mesfushë dhe mendoj të jap më të mirën time kudo që të luaj. Nëse më thotë të luaj mbrojtës i majtë, edhe aty luaj. Dëshiroj vetëm të jap maksimumin.

Kush është idhulli juaj në futboll?

Idhujt e mi janë Iniesta dhe Zidane. Më pëlqen të dribloj, të gjuaj portën dhe të asistoj, por edhe të bëj presing gjithë kohës.

Jeni të parët tashmë, besoni se do të vazhdojë Erzeni me këtë ecuri?

Nuk duhet të jemi me kokën mbi re, por sa më modestë. Duhet të punojmë më shumë, pasi sezoni është i gjatë dhe ky është vetëm fillimi. Nëse stërvitemi shumë, të ulim kokën, të punojmë dhe të jemi të bashkuar si tani, rezultatet do të vijnë vetë. Duhet ta dëgjojmë trajnerin dhe stafin e tij, pasi ata e dinë çfarë bëjnë. Fusha dhe koha do ta tregojë se sa do të vazhdojmë kështu.

Cilat janë përshtypjet tuaja të para për jetën në Shqipëri?

Më pëlqen Durrësi, pasi është një qytet antik dhe me shumë diell. Mendoj se ka shumë gjëra të ngjashme mes Shqipërisë dhe Kroacisë.

Një mesazh për tifozët shijakas?

I ftoj të na mbështesin ashtu siç kanë bërë deri më tani.

RONALD FAJA – Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


EKSKLUZIVE/ U rrit te Dinamo Zagereb, rrëfimi special i Amir Kahrimanoviç: Më frymëzon Iniesta…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook