“Berisha të garojë nën logo tjetër, protesta e vetmja rrugë”, analisti Burimi: Rasti i motrës së Ballukut, nepotizëm dhe turp

Genc Burimi

Analisti Genc Burimi përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me ngjarjet politike në vend, teksa ka analizuar aferën “McGonigal” dhe situatën e opozitës ndër të tjera.

Burimi deklaroi se opozita i ka hyrë “rrugës së protestave” pasi kjo është letra e vetme që Berisha ka në dorë, duke u favorizuar edhe nga skandali i “McGonigal” që ka përfshirë kryeministrin.

Sa i përket hetimeve të fundit të SPAK dhe thirrjeve të zyrtarëve të njohur, ai tha se janë metoda për tërheqjen e vëmendjes nga skandalet që ndodhin, ndër të cilat theksoi atë të ish-agjentit të FBI-së dhe lidhjes së tij me Ramën.

Sakaq, Burimi foli edhe për rastin e motrës së zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Pamela Qirko e cila kryeson KPK-në, duke e cilësuar si një rast nepotizmi, ndërsa shtoi se është gjithashtu një turp pasi ka mungesë të kontrolleve mbi pasuritë e zyrtarëve të lartë.

Burimi deklaroi më tej në lidhje me situatën e logos së PD-së, se nëse gjykata vendos kundër grupit të Berishës, ky i fundit duhet të ndjekë të njëjtën metodë si në 6 mars duke garuar nën një logo të re së bashku me partinë e Ilir Metës.

“Nuk është asnjë lloj surprize protesta e nesërme. Opozita po i hyn rrugës së protestave dhe janë angazhuar në këtë rrugë. Këtë radhë Berisha mendon se ka diçka në dorë që është afera “McGonigal”. Ai shpreson se kjo aferë do prekte ndërgjegjen e shqiptarëve që do dyndeshin në protesta. Është një fillim i pashmangshëm, nuk ka letra të tjera në dorë. Sot Berisha ka ose zgjedhjet ose protestat, ose drejtësia. Nga këto vetëm drejtësia mund ta shpëtojë opozitën.
Nëse gjykojmë se Rama kontrollon çdo gjë do të thotë që ai do manipulojë zgjedhjet, sa i përket protestave nuk rrëzohet qeveria me ato, ato kanë vetëm vlerën e mbajtjes në presion të situatës. Nuk besoj se Rama është në presion nga protestat. Ai dhe administrata Biden kanë të njëjtin interes ndoshta për të mos pasur hetime në Shqipëri. Afera McGonigal është për larje hesapesh Biden-Trump në SHBA dhe Shqipëria është pak tangjente këtu.

Çështja CEZ-DIA është për të tërhequr vëmendjen. Së bashku me thirrjen e Shkëlzen Berishës, Mediut, etj. SPAK sot nuk mund të veprojë sikur nuk ka ndodhur gjë me McGonigal. Nuk merren me aferën e shekullit. Le t’i hetojnë dhe rastet e tjera, por duhet hetuar menjëherë rasti i McGonigal. Mund të përmendej edhe vetëm 1 herë emri i Ramës në aktakuzë. Dhe pa u përmendur fare sot ka elemente mashtrimi të McGonigal.

Drejtësia që duam është e paepur dhe e pavarur. McGonigal ka takuar Ramën dhe duhen përgjigje për këtë dhe elemente të tjera. Pse Gjiknuri i ka dhënë tender një kompanie nafte me të cilën ka pasur një lidhje edhe McGonigal. Sot jam i dëshpëruar kur shoh që qeveria merret me aferat e vjetra me vite, kur sot ka një aferë alarmante. Rama nuk ka frikë nga Parlamenti. Ai nuk e pati për turp të udhëheqë një vend me një Parlament pa opozitë. Si mund të lihet një vend pa opozitë. Pa një parlament të kompletuar. Shikoni intervistën e Ramës, tha se nuk është puna e tij se kush hyn në zgjedhje. Ai që drejton vendin duhet të shqetësohet se çfarë ndodh në këtë aspekt. Menduam se me SPAK kishim drejtësi të re, por jo, është e kapur.

Unë jam për shtet të së drejtës. Nëse letrat thonë që një person në familjen e një zyrtari të lartë nuk duhet të bëjë diçka dhe e bën, kjo është e pamoralshme. Nëse teksti thotë që ajo nuk do e përmbushë një mision se është motra e ministres është ilegale. U dënua Llalla, ish kryeprokurori. Llalla kishte akuzë se nuk justifikonte ca para dhe pse vajza e tij studio në Gjermani. Pse nuk ndodh kjo dhe te politikanët. Kur një ministër vjen me makinë apo veshje luksoze. Llalla u dënua për 700 dollarë, ndërsa u gjetën qindra mijëra te shtëpia e një zyrtareje. Është e frikshme kapja e drejtësisë. Historia e familjares së Ballukut është një turp, është minimumi e pamoralshme. Kush do i kontrollojë?

Opozita do protestojë dhe ta provokojë situatën. Protestat duhet të kryhen para organeve të drejtësisë. Parlamenti nuk ka gjë në dorë më sot. Nuk ka më imponim Parlamenti. Afera McGonigal e kalon hetimin parlamentar. Është një hetim juridik shqeto. Sot drejtësia shqiptare duhet të reagojë. Nëse vula e PD nuk i kalon grupit të Berishës duke marrë parasysh që drejtësia është e kapur, para Berishës do jetë një zhgënjim i madh. Nuk besoj se do agravojë situata deri te dhuna. Në 3 mars duhet të rikthehet te metoda e 6 marsit. Të hyjë në zgjedhje në një tjetër logo me partinë e Ilir Metës. Pa vulën nuk i fiton zgjedhjet vendore grupi i Berishës, por kjo s’do të thotë që nuk fiton Tiranën. Besoj se Tirana mund të merret nga opozita, këta njerëz do e bëjnë Ramën të paguajë duke mos votuar Veliajn”, tha ai.

“Berisha të garojë nën logo tjetër, protesta e vetmja rrugë”, analisti Burimi: Rasti i motrës së Ballukut, nepotizëm dhe turp

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook