FUTBOLL FEMRA/ Vllaznia-Vorskla, shkodranet kërkojnë historinë sot në Champions

Vllaznia e futbollit të femrave do të zbresë sot në fushë për ndeshjen e parë “play off” të Ligës së Kampioneve, teksa në orën 18:00 do të presë në “Loro Boriçi” ukrainaset e Vorskla Kharkiv-2.

307372626_509390901195593_7088619650307260904_n

Ky takim në fakt është në transfertë për vajzat kuqeblu, por në marrëveshje mes dy klubeve, për shkak të luftës në Ukrainë, është rënë dakord që të dyja ndeshjet të luhen në Shkodër.

Kështu, Vllaznia pasi i është afruar dy herë kualifikimit në fazën e grupeve, do të provojë për herë të tretë për të shkruar historinë, duke u bërë skuadra e parë shqiptare që futet në grupet e Champions-it. Në prag të ndeshjes me ukrainaset, në konferencën për shtyp janë paraqitur trajneri Nikolin Leka, kapitenia Esmeralda Franja dhe “bomberja” Megi Doçi.

TRAJNERI LEKA: TË REALIZOJMË ËNDRRËN

“Kjo është një ndeshje, e cila pritet me shumë interes. Jemi përgatitur si duhet për takimin me ukrainaset. Nesër (sot) na pret një ndeshje e vështirë, por jemi të vendosur për të realizuar ëndrrën tonë për kalimin në fazën e grupeve.

Kemi disa probleme dëmtimesh, por me lojtaret e tjera që janë afruar së fundmi nga ana e presidentit, besoj se nuk do të jetë problem mungesa e tyre.

Kundërshtarin e njohim pak, megjithatë e dimë që në këtë raund, nuk ka ekipe te dobëta. Sivjet është momenti i duhur, ka ardhur në kohën e duhur dhe do të tentojmë të hyjmë në histori me Vllazninë për të shkuar në grupet e Champions League”, u shpreh ndër të tjera trajneri Nikolin Leka.

vllaznia femra

KAPITENIA FRANJA: NDESHJA HISTORIKE

Ndërkohë, kapitenia Esmeralda Franja deklaroi: “Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme. E konsideroj një ndeshje historike, sepse jemi shumë pranë kualifikimit në grupe dhe prandaj po e presim me shumë interes.

Në fillimet tona në këtë kompeticion ëndrra jonë ka qenë kualifikimi në 32 skuadrat më të mira të Europës, por tashmë këtë e kemi bërë realitet tri herë dhe ëndrra aktuale të cilën po kërkojmë tani ta realizojmë është kualifikimi në 16 më të mirat e kontinentit.

Kundërshtarin nuk e njohim, por mendoj se i gjithë ekipi do të ketë shumë punë. Do të futemi në fushën e lojës për të dhënë më të mirën dhe për të kërkuar fitoren që në këtë ndeshje të parë, e cila do të na ndihmonte pastaj për kualifikimin”.

MEGI DOÇI APEL TIFOZËVE: NA MBËSHTESNI

Para takimit me Vorsklën, “bomberja” kuqeblu thotë se pak rëndësi ka kush shënon, ajo që vlen është vetëm kualifikimi, ndërsa i bën apel tifozërisë shkodrane për mbështetje. “Mendoj se jemi gati për këtë ndeshje. Kemi punuar shumë mirë në stërvitje dhe jemi në gjendje të mirë. Kemi shanse për kualifikim. Vajzat janë shumë të karikuara për të fituar, sepse e duan këtë arritje.

Unë mendoj se jemi një grup me shumë cilësi brenda, madje do ta konsideroja më të mirin e të gjithë këtyre viteve dhe për këtë arsye, kemi pse të kërkojmë më shumë nga vetja dhe të tentojmë ta mundim këtë kundërshtar shumë të fortë.

Unë dua t’u bëj thirrje të gjithë tifozëve shkodranë që të jenë në stadium nesër (sot) për të na mbështetur. Shpresoj që ata të marrin edhe fëmijët e tyre me vete dhe të mbushin shkallët e ‘Loro Boriçit’”, deklaroi ndër të tjera Megi Doçi.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


FUTBOLL FEMRA/ Vllaznia-Vorskla, shkodranet kërkojnë historinë sot në Champions

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook