Moviola e javës së pestë/ Laçit i mohohet një penallti, në Durrës gabon edhe… VAR-i. Hamiti hezitoi të mbyllte sfidën në Kukës

Java e pestë kulmoi me incidentin në stadiumin e Kukësit, por pati edhe raste kur arbitrat gabuan në ndeshjet e tjera. Jo thjesht ata të fushës, por kishte raste që edhe në dhomën e VAR-it nuk u interpretuan sipas rregullores. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme, ku më së shumti pati kontestime dhe pretendime për penallti në ndeshjen e luajtur në Durrës mes Erzenit dhe Laçit.

cara

KUKËSI-PARTIZANI 1-2Gjyqtarë: E.Hamiti (Lezhë), R.Çokaj (Lezhë), D.Agaraj (Tiranë); VAR: F.Lata; AVAR: R.Zajmi (Tiranë);

FSHF-ja kishte dërguar në Kukës për kryendeshjen e javës arbitrin ndërkombëtar Eldorian Hamiti.

Përtej disa tolerimeve në ndërhyrjet e ashpra që ndodhën në fushë, veçanërisht në pjesën e dytë, momenti më kulmor ndodhi në minutën e 14-të, kur një shishe e hedhur nga tifozët goditi në fytyrë pas shënimit të golit sulmuesin e Partizanit, Tedi Cara.

Në këtë moment loja u ndal, pasi lojtari mori ndihmën mjekësore nga stafi i Partizanit, por për shkak të dëmtimit të madh në fytyrë, ku iu deshën të bënte 7 qepje, Cara u transportua menjëherë në spitalin e Kukësit.

Në të tilla raste, kur për shkak të akteve të dhunës, futbollisti e ka të pamundur të vazhdojë lojën, arbitri ka në dorë të mbyllë menjëherë takimin për të mos e vazhduar më.

Mirëpo, Hamiti nuk e pa të arsyeshme të vepronte kështu, duke mos ndjekur shembullin e kolegëve të tij në Europë, kur për raste analoge, madje edhe më të lehta, ndalin lojën me autoritetin që u jep rregullorja. Natyrisht ky rast do të jetë tashmë objekt i Disiplinës në FSHF.

ERZENI–LAÇI 1-0Gjyqtarë: K.Meta, A.Zalla (Tiranë), E.Burgu (FushëKrujë); VAR: O.Ferataj (Patos) – AVAR: I.Tartaraj (Patos);

Ndeshja Erzeni-Laçi, e luajtur të shtunën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, u gjykua nga Kridens Meta. Loja pati disa raste për moviolë dhe gjithashtu një gol të anuluar të Laçit nga sistemi VAR, aty ku ishin Olsid Ferataj dhe Ilir Tartaraj. Teknologjia shpëtoi disa herë gjyqtarët në fushë, veçanërisht anësorin nga Fushë-Kruja, Erind Burgu, për të cilin goli i skuadrës kurbinase u konsiderua i rregull. Mirëpo, në minutën e 12-të gabimet ishin qoftë nga arbitrat në fushë, por gjithashtu edhe nga ata në kabinën e VAR-it.

12’ Pas një topi të kthyer të Sadikit te portieri Xhika, është Adeleke me shpejtësi që ndërhyn për të rrëmbyer “sferën”. Në momentin e fundit sulmuesi i Laçit përplaset me Xhikën dhe kërkon penallti. Arbitri Meta vijon lojën, duke mos e konsideruar 11-metërsh. Pamjet filmike tregojnë se kemi përplasje të Xhikës me Adeleken, pasi i ka ikur topi, kështu që duhej dhënë penallti për Laçin. Meta ishte larg aksionit, por në këtë rast nuk u ndihmua nga asistenti i dytë. Çudia më e madhe ishte që sistemi VAR nuk reagoi për këtë moment flagrant.

16’ Ademi shpërthen në krahun e djathtë dhe pasi futet në zonë, merr një të shtyrë nga Turkaj dhe rrëzohet. Sulmuesi i Erzenit kërkon 11- metërsh, por Meta vijon lojën dhe as VAR-i nuk ndërhyn më pas, duke e konsideruar ndërhyrjen e mbrojtësit të Laçit si normale.

17’ Pas një harkimi në zonë, është Peterman që shërben te Spahiu, i cili godet dhe shënon për Laçin. Për gjyqtarët në fushë është gol i rregullt, por pas konfirmimit në sistemin VAR, rezulton se Spahiu ka qenë në pozicion jashtë loje në momentin që ka marrë pasimin nga lojtari ukrainas. Kësisoj, goli anulohet për pozicion të parregullt.

33’ Ademi jep një asist në zonë për Alan, që pasi fiton duelin e shpejtësisë me mbrojtësin, driblon edhe portierin Dajsinani e më pas rrëzohet duke kërkuar penallti. Arbitri Meta nuk është i këtij mendimi, duke e konsideruar simulim dhe ndëshkuar me karton të verdhë brazilianin e Erzenit. Sistemi VAR i jep të drejtë kryesorit më pas.

90+5’ Maloku shërben te Nonato, që fiton duelin me Velkoskin dhe sapo prek topin përpara portierit Dajsinani, rrëzohet pas kontaktit me këtë të fundit. Arbitri Meta jep direkt penallti për Erzenin, ndërsa edhe VAR e konfirmon, teksa pamjet filmike i japin të drejtë kryesorit.

TIRANA-TEUTA 4-0Gjyqtarë: K.Prenga (Laç), M.Shazivari (Tiranë), M.Qose (Lushnjë); VAR: I.Myrtja (Shkodër); AVAR: E.Veseli (Fushë-Krujë);

Arbitri i ri Klodian Prenga bëri një performancë pozitive në “Selman Stërmasi”. I vetmi moment ku duhej ndërhyrja e VAR-it ishte në minutën e 92- të, kur në zhvillimet e një goditjeje nga këndi, Çyrbja mban nga fanella Lulajn. Prenga vazhdoi lojën, por pasi shqyrtoi më pas rastin në sistemin VAR akordoi 11- metërsh në favor të Tiranës.

VLLAZNIA–KASTRIOTI 1-0 Gjyqtarë: E.Rusta (Elbasan), D.Myftari (Tiranë), E.Ganxhi (Elbasan); VAR: E.Jorgji – AVAR: A.Mahmuti (Elbasan);

Ndeshjen në Shkodër e gjykoi Emanuela Rusta e kolegjiumit të Elbasanit. Në tërësi nuk pati momente flagrante që kërkonin ndërhyrjen e sistemit VAR. Stafi krutan u ankua për disa vendime të kryesores, kryesisht për faullet në mesfushë dhe vonesën e lojës nga shkodranët. Megjithatë, në tërësi ishte gjykim i mirë i Rustës.

BYLISI-EGNATIA 0-0Gjyqtarë: F.Lata, F.Lama (Durrës), M.Llukmani (Vlorë); VAR: A.Koçi – AVAR: Herald Lisaku (Durrës);

Florian Lata bëri një gjykim të mirë në Ballsh dhe i vetmi rast i diskutueshëm ishte ai i minutës së 58-të, kur Ruçi rrëzohet në hyrje të zonës pas duelit me Mustën. Bylisi kërkoi penallti, ndërsa arbitri kryesor vijoji lojën. Pamjet filmike tregojnë për një vendim të drejtë të Latës, pasi rasti nuk ishte në limitin e një 11-metërshi.

Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


Moviola e javës së pestë/ Laçit i mohohet një penallti, në Durrës gabon edhe… VAR-i. Hamiti hezitoi të mbyllte sfidën në Kukës

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook