A bdou M’Bark El Id. Kështu quhet afrimi më i fundit i Kukësit, por që klubi verilindor heziton ta zyrtarizojë, për aq kohë sa futbollisti nuk ka mbërritur ende në Shqipëri. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se bëhet fjalë për mesfushorin e Kombëtares së Mauritanisë, emri i plotë i të cilit në vendin e tij është Abdul Mubarak Al-Eid.
Mësohet se me 23-vjeçarin është arritur akordi që në muajin gusht dhe ai është federuar zyrtarisht për llogari të Kukësit. Roli natyral i M’Bark është mesfushor shkatërrues, një pozicion ku edhe pse skuadra verilindore ka disa alternativa, ka pasur probleme në këto pesë javët e para.
Burime në klub tregojnë se pritshmëritë për lojtarin nga Mauritania janë të mëdha, teksa bëhet fjalë për një futbollist me cilësi të mira, i cili vjen te verilindorët për të qenë titullar.
Ashtu si me pjesën më të madhe të lojtarëve, afrikani ka nënshkruar kontratë afatgjatë. Trajneri Enkeleid Dobi shpreson që klubi të ketë bërë një goditje cilësore dhe M’Bark t’i japë një tjetër impuls skuadrës, që e ka nisur mjaft dobët sezonin 2022-2023.
PROBLEMI ME VIZËN Koha nuk po punon në favor të lojtarit dhe Kukësit. Pritej që 23-vjeçari t’i bashkohej sa më shpejt skuadrës verilindore, që në kohën kur drejtohej nga Skënder Gega, por viza për të ardhur në Shqipëri është kthyer në një problem më vete.
Së pari, bëhet fjalë për një shtet afrikan që ka problemet e tij me vizat. Shpresohej që në fillim të shtatorit kjo situatë të merrte zgjidhje, por duke parë edhe sulmin që kanë bërë hakerat iranianë në sistemet e vendit tonë (TIMS), u shty akoma edhe më shumë kjo histori.
Në Kukës shpresojnë që t’i mbyllin sa më parë dokumentacionin për të mbërritur në vendin tonë.
KARRIERA E MUBARAK Mesfushori afrikan, më herët ka milituar në kampionatin spanjoll me klubin e Numansias. Fillimisht është aktivizuar në dy ekipet e vendit të tij, siç janë Konkorde dhe Nouadhibou, skuadër tek e cila ka luajtur së fundmi.
Gjatë sezonit 2021-2022 ka arritur të fitojë edhe titullin kampion të Superligës në Mauritani. Përpos forcës fizike, M’Bark është efikas edhe në fazën ofensive, ku ka arritur të gjejë disa herë rrugën e rrjetës me skuadrat ku ka luajtur.
Burime të gazetës pranë klubit pohojnë se bëhet fjalë për një lojtar që do të bëjë diferencën në rolin e tij dhe e cilësojnë si një goditje. Mbetet për t’u parë nëse këtë herë blutë kanë qëlluar në shenjë.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”