Drejtoria e Burgjeve ka dhënë informacion zyrtar për vdekjen e 51-vjeçarit Simon Toska mëngjesin e sotëm në paraburgimin e Fierit, i arrestuar për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.
REAGIMI I DREJTORISE
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, informon opinionin publik se më datë 04.05.2023, rreth orës 04:00 në Spitalin Rajonal Fier ka ndërruar jetë shtetasi Simon Hashim Toska, i datëlindjes 15.04.1972, i akuzuar për kryerjen e vepres penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” të parashikuara nga neni,(283/2) i Kodit Penale.
-Shtetasi Simon Hashim Toska, i datëlindjes 15.04.1972 është pranuar në IEVP Fier me masë sigurie arrest me burgim, më datë 13.08.2021 dhe pas vizitës shëndetësore është pajisur me kartelë klinike numër 4253.
-Që në momentin e pranimit ky shtetas është konsultuar me mjekët e institucionit, ku nuk ka referuar për ankesa klinike akute. Gjatë qëndrimit në institucion ai nuk ka paraqitur ankesa klinike dhe nuk ka marr trajtim me medikamente për patologji kronike.
-Me datë 03.05.2023, rreth orës 12:00 shtetasi SimonToska ka referuar për lodhje dhe dobësi trupore. Presioni arterial 100/70 mm Hg, pulsi arterial në normë. Në këto kushte iu vendos një perfuzion, ku më pas referoi që ndjehej mire dhe në gjendje të stabilizuar, nuk referoi për ankesa klinike.
-Më datë 04.05.2023 në orën: 03:25 gjatë patrullimit në sektor punonjësi i policisë me shërbim njofton në radio punonjësit e shërbimit shëndetësor në detyrë, se i paraburgosuri Simon Hashim Toska ka probleme me frymëmarrjen. Pas njoftimit rreth orës 03:30 infermierët e shërbimit së bashku me grupin e sigurisë shkojnë në dhomën e shtetasit Simon Toska, në godinën e paraburgimit. Ky shtetas ka referuar për probleme, vështirësi në frymëmarrje, presioni arterial 90/60 mm Hg. Mënjëherë i është dhënë ndihma e parë shëndetësore, i është aplikuar medikamenti (1 ampul) prednizolon dhe është rekomanduar të dërgohet në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier.
-Në orën 03:34 ky shtetas është nisur për në urgjencën e Spitalit Fier, ku edhe gjatë rrugës është asistuar me masazh kardiak. Në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, i është dhënë ndihma mjekësore (goditja me kardio- version), në EKG konstatohet asistoli. Me gjithë ndihmën mjekësore që i është dhënë këtij shtetasi, mjekët e Spitalit Fier konkluduan se, shtetasi Simon Toska ka bërë exitus letalis (vdekje).
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve për humbjen e personit të tyre të dashur.