Nga Batistuta te Baloteli, ja lojtarët që e urrejnë futbollin

Të jesh futbollist, të fito sh miliona e ta urresh futbollin! Tingëllon si një paradoks, por në fakt nuk është kështu. Ka shumë lojtarë, që e kanë lënë futbollin apo nga ata që vijojnë të merren me futboll, por që në fakt e bëjnë vetëm sepse i thërret detyra.

rB8ApF6KJ-mAPqR3AAGqKznxh_Y477

Ata e shohin futbollin si një profesion, si një punë që u siguron të ardhura të mjaftueshme për të siguruar një jetesë sa më të mirë. Gazeta spanjolle “AS”, ka bërë një pasqyrë të disa prej ishlojtarëve, e lojtarëve aktualë, të cilët kanë shprehur qëndrimin e tyre përkundrejt sportit të topkëmbës.

TER SHTEGEN – Portieri i Barcelonës dhe kombëtares gjermane është një nga ata që futbollin nuk e ka shumë për zemër. Dy vjet më parë në izolim të plotë për shkak të COVID-19, portieri i Barcelonës, Mark-Andre ter Shtegen, konfirmoi në një intervistë se nuk kishte asnjë interes për futbollin në kohën e lirë. “Nuk e kam idenë, nuk shikoj shumë futboll, vetëm kur ka ndonjë ndeshje të madhe ose kur luan ndonjë mik. Ndonjëherë më pyesin për emrin e një lojtari dhe habiten kur u them se nuk ia kam idenë se kush është”, deklaronte Ter Shtegen.

GARET BEJL – Ish-sulmuesi i Realit të Madridit, mjaft i njohur për ushtrimin e golfit, e ka thënë shpesh se i pëlqen më shumë bari dhe një gropë e vogël (fusha ku ushtrohet golfi) sesa fusha e futbollit dhe porta. Me debatin e përjetshëm për profesionalizmin e tij, Garet Bejl është shembulli i qartë i një futbollisti që nuk e pëlqen punën e tij. Golfi, gjithmonë para futbollit.

MARIO BALOTELI – Problematiku i përjetshëm, Mario Baloteli, është mjaft i njohur për talentin e tij si futbollist, por më shumë akoma për bëmat e tij jashtë fushe. “Super Mario” është një nga ata lojtarë që e sheh futbollin si një punë zyre! “Nuk festoj për golat e mi, sepse e ndiej se kam bërë thjesht detyrën dhe asgjë më shumë. Është njëlloj si një postier, i cili do të festonte po të dërgonte postën në një adresë të caktuar”. Kjo ka qenë përgjigjja e italianit kur u pyet për mungesën e emocioneve kur shënon.

VIKTOR VALDES – I cilësuar si një nga portierët më të mirë në botë gjatë kohës së tij te Barcelona (24 trofe), por që futbollin e zgjodhi sepse e detyruan! “Më bindën se isha një portier i mirë dhe nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të merrja atë rrugë”. Pa lënë askënd indiferent, Valdes e ka të qartë se në një jetë tjetër nuk do të ishte më kurrë portier. “Në një jetë tjetër do t’i përkushtohesha kinemasë, diçkaje tjetër, por kurrë futbollit”.

GABRIEL BATISTUTA – Një nga futbollistët më të mirë të viteve ’90 (356 gola në 635 ndeshje) dhe golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Argjentinës (56 gola në 78 ndeshje), ka rrëfyer se për të ky sport është vetëm një punë. “Kur mbaroj punën time, nuk më pëlqen futbolli. Është vetëm puna ime dhe unë jam profesionist”, ka deklaruar ai para tërheqjes nga futbolli. “Batigol”-i, një hero në Firence dhe Romë, nuk e ka pëlqyer kurrë profesionin e tij.

MAJKËLL OUEN – Nga të qenit lojtari i dytë më i ri në histori që fitoi “Topin e Artë” e deri tek urrejtja e futbollit. Ylli i Anglisë, vite më parë bëri xhiro nëpër disa prej klubeve më të rëndësishme në Europë, që nga Liverpuli, Junajtid e Reali i Madridit. Gjatë rrugëtimit të tij, dëmtimet e panumërta nuk e lanë të rikthehej në nivelin që tregoi në “Anfield”. “Për gjashtë apo shtatë vjet e urreja futbollin. Mezi prisja të tërhiqesha, sepse ai në fushë nuk isha unë. Nuk isha në gjendje për të gjuajtur dhe fshihesha në fushë që të mos më arrinte topi”.

KRISTIAN VIERI – “Demi” la gjurmë kudo ku luajti, Interi, Juventusi, Lacio, Atletiko e Madridit. I cilësuar si një nga futbollistët më të mirë të viteve 2000, Vieri në fakt nuk ishte shumë i apasionuar me futbollin, teksa ëndrra e madhe e tij ishte një tjetër sport, kriketi. “Të them të drejtën nuk isha aq i mirë në futboll. Më pëlqente kriketi. Isha i gatshëm të ndryshoja sport, nëse në kriket do të më ofronin një kontratë të njëjtë me atë që siguroja në futboll”, deklaronte “Bobo” Vieri.

DAVID BATI – Bëhet fjalë për një lojtar anglez në vitet ’90 që luajti për Lidsin, Njukasëllin, Blekbërnin mes të tjerëve. Ishte pjesë e Anglisë edhe në Botërorin 1998, por lëshoi një deklaratë që bëri bujë pas largimit nga futbolli. “Nuk kam parë asnjë ndeshje që në momentin kur u tërhoqa nga futbolli dhe nuk i kuptoj njerëzit që paguajnë para për të shkuar në stadium”, deklaronte ai.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


Nga Batistuta te Baloteli, ja lojtarët që e urrejnë futbollin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook