Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ceno Klosi u akuzua nga ish punonjësja e këtij institucioni Shilda (Kamberi) Hasanaj, për shkelje të ligjit, të të drejtave themelore të njeriut si dhe për fyerje, përmes një letre që i ka shkuar edhe deputetëve të Kuvendit.
Deputetja demokrate, Sorina Koti e bëri publike letrën dy ditë më parë dhe gjatë një interviste sot për Neës 24 tha se rasti i Ceno Klosit është flagrant.
“Kjo ishte një letër e hapur drejtuar deputetëve të Kuvendit. Zonja ka denoncuar me emra drejtorin e tatimeve dhe emrat e tjerë të përmendur në letër. Më vjen mirë që njerëzit po reagojnë ndaj shkeljeve dhe humbjes së punës që vjen si pasojë e moszbatimit të urdhrave të paligjshëm. Është një rast flagrant i drejtorit të Tatimeve që nuk mund të konsiderohet kurrë një situatë e tillë në një institucion publik që duhet të përgjigjet për të ardhurat e shtetit dhe ndërkohë merret me pushimin e punonjësve”, u shpreh deputetja Koti.
Sipas saj “ka raste kur denoncohet në mënyrë private te dhunën që ushtrohet nga militantët socialiste kundrejt punonjësve të administratës. Presioni rritet kur kemi zgjedhje të pushtetit vendor dhe atij qëndror. Për fat të keq pjesa që nuk e denoncon dhunën është shumë më e madhe se kanë frikë që do të humbasin vendin e punës. Ne jemi koshientë që gjatë këtyre 10 viteve të qeverisjes “Rama”, kemi pasur pafundësisht gjobëvënie, dhunë dhe presion ndaj qytetarëve. Është situatë alarmante. Kemi denoncuar rastin e Patronazhistit, tani kemi edhe aplikacionin e Aktivistit. Qeveria u bën presion punonjësve të administratës për pëlqejnë dhe shpërndajnë njoftimet e titullarëve. Edhe kur nuk pranojnë ta shkarkojnë aplikacionin, ua marrin telefonat me dhunë dhe ua shkarkojnë”.