Prej kohësh ekipet e elitës në futbollin shqiptar janë kthyer në importues të mëdhenj të futbollistëve, që vijnë përtej kufijve të vendit tonë. Bëhet fjalë për një modë që nisi diku pas viteve 2000, e cila vijon edhe sot, në mos më e theksuar se dikur.
Një nga ato skuadra që thuajse çdo sezon afron futbollistë të huaj në organikë është Kukësi, që jo gjithnjë ka marrë rezultatet e pritura nga afrimet.
E njëjta situatë vazhdon edhe këtë vit, me ekipin verilindor që ka në organikë plot 11 lojtarë të huaj me 8 kombësi apo nënshtetësi të ndryshme dhe duke futur edhe shqiptarët, në Kukës fliten të paktën pesë gjuhë të ndryshme.
PROBLEMI I GJUHËS – Të kesh 11 lojtarë të huaj nga tetë vende të ndryshme është një problem më vete për… gjuhën.
Një fakt që është vënë në dukje edhe nga ish-trajneri Skënder Gega, i cili përpiqej të merrej vesh me të huajt në anglisht, meqenëse një pjesë e mirë e tyre e zotëronin, edhe pse nuk e kanë gjuhën e mëmës.
E njëjta problematikë po vihet re edhe te stafi aktual, i cili e ka të vështirë t’u shpjegojë si duhet skemat apo detyrat lojtarëve, duke e bërë përkthyesin herë pas here vetë futbollistët me njëri-tjetrin nga anglishtja në gjuhën e tyre.
Edhe kur përdoret anglishtja, disa lojtarë nuk e njohin atë dhe nuk kuptojnë, duke e kthyer në një stres më vete.
Në njëfarë mënyre, gjuha është një problem jo i vogël, sepse në të shumtën e rasteve trajneri dhe stafi nuk përcjellin dot si duhet këshillat e tyre dhe skemat e planifikuara, si në stërvitje, por sidomos gjatë ndeshjeve.
Për këtë arsye, një ndikim në mosmarrjen e rezultateve mund t’i faturohet edhe problemit të gjuhës. Si për ironi, Kukësi nuk ka marrë dot asnjë fitore në pesë javë kampionat dhe një pjesë e faturës së dështimit i shkon edhe problemit me gjuhën.
GJUHËT QË PËRDOREN – Në bazë të kombësive dhe gjuhës së mëmës, mund të thuhet se te Kukësi përdoren të paktën pesë gjuhë, duke përfshirë sigurisht edhe shqipen.
Katër lojtarë në skuadër flasin portugalisht, ku bëjnë pjesë tre brazilianë dhe një portugez. Katër lojtarë të tjerë merren vesh midis tyre në serbo-kroatisht, përkatësisht dy kroatë, një boshnjak dhe një maqedonas, meqenëse gjuhët e tyre kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Lejton flet anglisht, ndërsa Giasi është ganez me nënshtetësi holandeze, i cili gjithashtu flet anglisht. Për të shkuar më pas deri te mauritanezi, Mubarak, që nuk ka mbërritur ende në skuadër.
Gjuha e tij amtare është arabishtja, që vështirë se mund ta njohë dikush në Kukës, por edhe me të me shumë gjasa do të merren vesh me gjuhën ndërkombëtare, anglishten.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”