Një tragjedi në një familje shqiptare në Itali. Taulant Malaj, 45 vjeç, nga Selenica vrau natën mes së shtunës dhe të dielës vajzën e tij me thikë dhe një 51-vjeçar italian, teksa plagosi gruan me të cilën ishte në proces divorci. I vetmi që i shpëtoi tmerrit ishte djali, por me sa duket babai e ka kërkuar dhe atë për ta vrarë.
Pak minuta pas krimit, Taulanti ka filmuar një video me trupat e shtrirë duke treguar çfarë kishte bërë. Nuk mungojnë fyerjet ndaj gruas, e cila e plagosur me thikë e pyet se çfarë po bënte.
45-vjeçari dyshonte se gruaja e kishte tradhtuar dhe në video i thotë se e kishte falur njëherë.
Në video ai tregon trupat e pajetë të Massimo De Santis dhe vajzës së tij Jessica Malaj, të vrarë me thikë në Torremaggiore në provincën e Foggia. 45-vjeçari filmon dy trupat, ndërsa gruaja e tij Tefta vajton vajzën e saj të vdekur dhe ai e shan dhe kërcënon atë dhe djalin 5-vjeçar që i shpëtoi masakrës.
“I kam therur dhe nuk kam mbaruar akoma”, thotë Malaj. Ai tregon trupin e De Santis në korridorin e hyrjes së godinës me një thikë kuzhine: “E shihni këtë këtu? Ai është italian. Unë tashmë e kam falur një herë gruan time, ai është i dyti. E preva, i vrava të gjithë. Edhe vajza ime se ngacmonte dhe atë”. Burri ngjit shkallët dhe hyn në shtëpi. Në video, burri flet sërish: “Ku është fëmija?”.
Pamjet e masakrës së Torremaggiore, Taulant Malaj i dërguan në Ëhatsapp. Pamjet filluan të qarkullojnë në rrjetet sociale. Te karabinierët e ka dërguar edhe bashkatdhetar të cilit ia ka dërguar vetë Taulanti, një person me banim në veri të Italisë. De Santis drejtonte një bar të njohur lokal. 16-vjeçarja Gessica ishte gjimnaziste. Vëllai i saj 5-vjeçar iu besua përkohësisht dajave të tij. Nëna e tyre, gjithashtu me origjinë nga Shqipëria, nuk është në rrezik për jetën.
Por ajo është shtruar në spital në Foggia, në gjendje shoku. 45-vjeçari Malaj punonte bukëpjekës. Ai përdori një thikë kuzhine për të vrarë De Santis dhe vajzën e tij. Vendi i vrasjes është një ndërtesë në via Togliatti. De Santis dhe Malaj ishin fqinjë. Disa miq të çiftit pretendojnë se xhelozia e tij ishte e pabazë dhe se nuk kishte asgjë mes gruas së tij dhe De Santis.
16-vjeçarja Gessica Malaj ndiqte institutin shtetëror të arsimit të lartë Fiani-Leçisotti në Torremaggiore. Sipas rikonstruksionit të parë të krimit, 45-vjeçari kishte hyrë në pallat dhe do kishte vrarë gjoja të dashurin e gruas së tij në shkallë. Ajo dhe vajza e saj ndodheshin brenda banesës. Bukëpjekësi tentoi ta godiste me thikë gruan. Në atë moment 16-vjeçarja ka ndërhyrë në mbrojtje të nënës së saj, duke u përpjekur ta mbronte, por ajo ishte plagosur për vdekje.
Tefta Malaj, tashmë në spital, kishte arritur të arratisej nga shkallët dhe të vinte në alarm karabinierët. 45-vjeçari u kap pak më pas në afërsi të pallatit dhe sipas hetuesve ai endej në zonë në kërkim të djalit tjetër pesëvjeçar. Policia tha se 51-vjeçari italian ishte qëlluar 20 herë me thikë.
Carmine Collina, drejtuese e institutit ku ndiqte shkollën 16-vjeçarja, thotë se vajza “ishte shumë e përqendruar, e sjellshme dhe e butë”. Ajo ishte një studente që ndiqte rregullisht mësimin, e cila kurrë nuk kishte probleme me integrimin.
Në të gjitha klasat paraditen e sotme është mbajtur një minutë heshtje, teksa shokët e saj sipas drejtoreshës janë të tronditur nga ngjarja e rëndë.