Herri Kejn ka qetësuar tifozët e Anglisë se nuk duhet të kalojnë në panik pas rezultateve të fundit të kombëtares përpara Botërorit. Pavarësisht rënies shqetësuese të formës së “Tre Luanëve”, kapiteni i kombëtares beson se skuadra do të vijë në formën e duhur kur të nisë Botërori i Katarit në nëntor.
I pyetur përpara ndeshjes së fundit të Ligës së Kombeve kundër Gjermanisë, bomberi i kombëtares tha:
“Mendoj që po. Ne nuk jemi në panik. E dimë që duhet të përmirësohemi. Sigurisht që e kuptoj zhgënjimin e tifozëve. Unë kam qenë një tifoz i Anglisë dhe jam ende tifoz i Anglisë, luaj apo jo.
Nëse do të bëjmë një Botëror të suksesshëm nuk jam i sigurt nëse njerëzit do të shqetësohen për formën që kemi pasur gjatë verës. Ne duhet të përmirësohemi dhe e dimë këtë.
Tifozët janë gjithnjë të shkëlqyer dhe do të qëndrojnë pranë nesh. E di që do të jenë aty të hënën (sot) kundër Gjermanisë në ‘Wembley’ për të na mbështetur dhe të gjithë do të jenë të emocionuar për Kupën e Botës, pavarësisht asaj që do të ndodhë.
Shpresojmë që ne t’ua shpërblejmë me disa rezultate të mira”, tha autori i golit të vetëm të Anglisë në turneun e Ligës së Kombeve këtë vit.
Arena e Lajmit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”