Tërbuni fitoi ndeshjen e fundit të kampionatit në Kategorinë e Parë me rezultatin 2-0 ndaj Korabit në shtëpi. Pas këtij suksesi që do t’i lejojë Tërbunit të luajë finalen e “Play-Off”-it në Kategorinë e Parë ndaj Apolonisë për të qenë skuadra që do të përballet me vendin e tetë në Superiore, kryetari i Bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj, ka lëshuar deklarata të forta për presidentin e klubit fierak, Koço Kokëdhimën duke thënë se është një kryetrafikant që ka prishur gjithë kampionatin:
“Për ndeshjen tjetër do t’iu jap një milionë lekë. Do ua jap nga vetja jo nga ndërmarrja. Do të luajmë për atë ditë, pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme që kemi. Unë do të prononcohem nesër ose pasnesër për kryetrafikantin e Kategorisë së Parë, Kokëdhimën.
Ai po trafikon gjatë gjithë kampionatit. Me humb gjithë kampionatin me shkuar dhe në Kategori të Dytë unë se kam problem, por Fierin e kam shumë problem. Kemi pësuar probleme fizike, probleme mentale edhe ekonomike prej tij. Kjo do të jetë prezantimi i parë me këto instancat kryesore, por prej jush kërkoj mobilizim.
Unë nuk dua asgjë tjetër, vetëm të mund Fierin. Nuk kam pretendime për me ik ose me qëndruar. Unë personalisht, kam qenë në një trysni të jashtëzakonshëm prej tij dhe Federatës.
Njeriu po kërkoi të rrijë si i madh të qëndrojë si i tillë, jo të bëhesh i vogël si ai. Kërkoj mbështetjen tuaj totale, impenjim maksimal kësaj jave. Ju e patë dhe vetë në një aktivitet 10 mujor pa asnjë lloj pisllëk.
Kështu që në këto kushte ia vlen që të dalim kryelartë me çfarë do lloj mundimi dhe sakrifice. Faleminderit prej jush!”, përfundoi kryebashkiaku i Pukës, Gjon Gjonaj.
Arena e Lajmit