“Hakmarrje e verbër politike ndaj një kandidati të opozitës”. Kështu e komentoi ish-kryeministri Sali Berisha arrestimin e kandidatit të “Bashkë Fitojmë” në Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se janë qëllimet mafioze të Ramës, ndaj trojeve të Himarë dhe bregdetit, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve.

Berisha tha në nisje të komunikimit se 14 maji është dita e kurorëzimit të plotë të pluralizmit politik, e triumfit të ndryshimit dhe të kandidatëve tanë.

“Në këtë fushatë, në rrugët dhe sheshet, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, në mendjen dhe zemrat e qytetarëve u përballën dy alternativa. U përball alternativa e njerëzve të lirë, alternativa e pluralizmit, alternativa e dinjitetit, e të ardhmes së shqiptarëve, alternativa e interesave individuale dhe kombëtare të shqiptarëve me alternativën e pushtetit në duart e një njeriu, me alternativën e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë, me alternativën e bazuar në terrin dhe mafien, me alternativën që u krijoi shqiptarëve dramën më të madhe me shpopullimin e vendit. Një alternativë që varfëroi shqiptarët në mënyrën më të pamëshirshme dhe i largoi nga vendi i tyre.
Vij sot për të shprehur mirënjohjen të pakufishme atyre qindra mijëra qytetarëve me të cilët u takova në sallat, sheshet dhe rrugët e Shqipërisë, për mbështetjen e madhe, për epërsinë totale morale që vendosëm në këtë fushatë ndaj krahut obskur, krahut monist. Në kushtet më të pabarabarta që mund të zhvillohej një fushatë, epërsinë më të madhe e pati koalicioni ynë ‘Bashkë Fitojmë’”, tha Berisha.

Ai theksoi se fushata ishte mbi të gjitha një fushatë për qytetarin, një fushatë në të cilën qeveritarët tanë të ardhshëm vendorë paraqitën para qytetarëve programet më të mira për problematikat e mëdha të krijuara këto vite të qeverisjes shumë, shumë problematike të Rilindjes.

“Në këtë kontekst, ishte një festival do të thosha, programesh, vlerash, optimizmi, që qarkoi të gjithë vendin me sukses të plotë.
Ndaj dhe kam vetëm mirënjohje të pakufishme ndaj qytetarëve, mirënjohje të pakufishme ndaj kandidatëve tanë për frymën qytetarë që përcollën në këtë fushatë, krahasuar me kandidatët e territ, e valixheve me euro krimi, të cilët nuk guxuan kurrë njësoj si kryetari i tyre të paraqiten në debate televizive apo sheshe para qytetarëve për të debatuar për alternativën dhe bilancet.
Kurora e fushatës ishte Tirana, por xhevahiret në këtë kurorë ishin fushatat e Elbasanit, Durrësit, Shkodrës, Kavajës, Korçës, Lushnjes, Gjirokastrës, Sarandës. Pra, nuk mund të veçosh. Nuk kam gjetur ndonjëherë qytetarë më të kënaqur nga alternativat e paraqitura se në këtë fushatë.
14 maji, kjo është dita e kurorëzimit të plotë të pluralizmit politik në Shqipëri, e triumfit të ndryshimit dhe të kandidatëve tanë”, theksoi ish-kryeministri Berisha.

ARRESTIMI I FREDI BELERIT
Berisha tha më tej se pas arrestimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri janë pasionet mafioze, qëllimet mafioze të Edi Ramës ndaj tokave të Himarës, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve që po ndodhin në Himarë.

“Komenti im për këtë ngjarje është një veprim i verbër politik, një hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës ndaj një kandidati të opozitës me manipulime, me angazhim të një manipulatori dhe ish-bashkëpunëtori të bandave, që drejton sot Policinë e Vlorës dhe që quhet mos gaboj, Ermal Muça.
Ky ka qenë bashkëpunëtor me bandën e Shullazit dhe banda të tjera dhe unë dënoj aktin, dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt shitblerje vote kudo që kjo të ketë ndodhur.
Por, duhet të informoj qytetarët shqiptarë se janë pasionet mafioze, qëllimet mafioze të Edi Ramës ndaj tokave të Himarës, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve që po ndodhin në Himarë. Sikundër, përdorimi i dhunës është një akt in-ekstremis për të trembur zgjedhësit në këtë komunitet dhe jo vetëm aty”, tha Berisha.

Ai denoncoi terrorin dhe në Dropull dhe zona të tjera, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku.

“Unë kam gjetur në Dropull një klimë terrori, ku policia thërriste zgjedhësit dhe u bënte presion të mos votojnë për kandidatin tonë të shkëlqyer, Thanas Manekën, por të votonin për kandidatin e Edi Ramës. Terror është ushtruar nga Belinda Balluku, e cila shoqërohet me banditë dhe drejtorë. Është ushtruar në Pukë nga kriminelë të armatosur të Gjon Gjonajt. Por këto nuk do pengojnë fitoren e opozitës shqiptare më 14 maj.
I them Edi Ramës se me dhunë dhe terror, do bëhesh përgjegjës para ligjit se ke bërë prokurorin ndaj Fredi Belerit. Ka një javë që e ka bërë epiqendër e sulmeve të padenja për një njeri.
Po të jetë puna për blerje votash, ato në mënyrën flagrante janë tentuar duke thënë bonusin mbi 600 mijë pensionistëve në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, të cilin Edi Rama e konsideron kinezëri; me përdorimin masiv të punësimeve. Vetëm pensionistë janë shtuar 13 mijë në këtë periudhë, pa kontribute. Vetëm për aftësitë ndryshe janë shpërndarë në Dibër 400 milionë lekë nga thesari, etj. Janë shpërndarë në Shqipëri 10 miliardë lekë.
Kjo ka qenë masive dhe nëse ka një njeri që ka kryer një megakrim elektoral, është Edi Rama, Belinda Balluku, Taulant Balla, Damian Gjiknuri, Olta Xhaçka, Elisa Spiropali, Tom Doshi e me radhë”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Arena e Lajmit” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Arena e Lajmit

Etiketa:

  • Berisha