SPECIALE NGA UVIL ZAJMI/ Në Shqipërinë komuniste, kur votohej dhe luhej futboll!

NGA UVIL ZAJMI
Kështu ka funksionuar në kohën e diktaturës në Shqipërinë komuniste, kur qendrat e votimit hapeshin në orën 06:00 dhe shumë shpejt ai proces duhet të kishte përfunduar. Dita e votimeve caktohej nga qeveria, një e diel, kur një popull që punonte tërë javën, në të vetmen ditë pushimi zyrtar ishte i detyruar të votonte. Kushti kryesor, në pak kohë, votimi duhet të ishte mbyllur në të gjithë vendin, deri në shifra rekord 99% të popullsisë pjesëmarrëse.

WhatsApp Image 2023-05-14 at 8.21.14 AM

Votohej vetëm për deputetë, kandidatë fronti, etj., për një person, një parti. Një shtet që mobilizohej, të gjithë në gatishmëri, dezhurne në qendrat e votimeve, ndërkohë që ajo ditë duhet dhe ishte një festë kombëtare. “Një votë, një plumb për armikun” – ishte slogani që propagandohej, shkruhej në banerë gjigantë në çdo qytet, anembanë vendit. Po në sport çfarë ndodhte, si e përcillnin sportistët atë pragatmosferë?

Në një rikthim për të treguar situatën, Faruk Sejdini, jo vetëm ish-futbollist i njohur, por edhe si trajner me disa skuadra, thotë: “Të gjithë në votime”, – ishte mesazhi që na shoqëronte atë muaj, atë javë, atë ditë, një popull, një Shqipëri. Ishim në Berat për ndeshje, kemi votuar herët në mëngjes në një qendër votimi aty pranë hotelit, pa e njohur, pa e ditur se për kë votonim. Ishte vetëm një kandidat, një parti, as pozitë, as opozitë. Sportistët nuk i angazhonin, ndryshe sot që vrapojnë të jenë në podiume, të impenjuar me parti, pozitë, opozitë, pastaj deputetë në parlament”, – kujton për “Panorama Sport”, lojtari “rebel” i Dinamos dhe i Kombëtares.

SI E PËRCILLTE SHTYPI, GAZETA “SPORTI POPULLOR”, DITËN E VOTIMEVE
Gjithçka u dedikohej votimeve me të gjitha mjetet e informacionit, propagandës. Nga radioja, “TVSH”-ja, në të gjitha emisionet, programet javore, ditore, votimet ishin në linjën e parë, lajmi i ditës. Në lajme, rubrika, në fokus ishin votimet. Po kështu mjediset sportive, hapësirat e tyre ishin të mbushura me banerë, kushtuar asaj dite, ku një popull, përfshirë edhe sportistë, artistë, ishte i angazhuar, i mobilizuar për të votuar. Një rol të veçantë dhe të rëndësishëm luante shtypi, gazetat e kohës, ato kryesoret: “Zëri i Popullit”, “Bashkimi” që ishin ditore, por edhe të tjerat së bashku me revistat mujore, ato të pakta që dilnin, botoheshin në ato vite. Me to edhe gazeta “Sporti Popullor”, e vetmja sportive njëjavore për kohën.

WhatsApp Image 2023-05-14 at 8.21.14 AM (2)

Menjëherë pas votimeve, ditën e martë, kur ajo dilte në treg, faqja e parë e saj i dedikohej tërësisht ditës së votimeve, me foto të udhëheqësit duke votuar, si dhe in formacione bashkë me entuziazmin e një populli. Pa përjashtuar në raste të veçanta edhe ndonjë intervistë me sportistë elitarë, trajnerë, drejtues, si e kishin pritur e përcjellë atë ditë festive. Shumë pak u kushtohej veprimtarive sportive, pasi pjesën më të madhe e pushtonte procesi i votimeve, ndonëse ka një fakt interesant, kur gazetat nuk dilnin të hënën, të nesërmen e votimeve, por të gjitha të martën. E hëna ishte pushim për shtypin. Edhe veprimtaritë e çfarëdoshme sportive, ato artistike, as nuk bëhej fjalë të ndërpriteshin atë ditë. Përkundrazi, ishte një ditë kur një Shqipëri e tërë, votonte, kërcente, këndonte dhe festonte. Një argëtim popullor. Një shtet në këmbë, policia, kryesitë e lagjeve, përfshirë shkolla, dikastere, universitete, ndërmarrje, me to edhe klubet e shumë sporteve. Paradite, në orët e para të mëngjesit, të gjithë në votime dhe më pas në veprimtaritë masive, duke mbushur stadiume dhe mjedise sportive.

KUR NDAJ JUGOSLLAVISË SË XHAIÇIT, LUHEJ EDHE PËR KANDIDATËT E FRONTIT DEMOKRATIK
Publiciteti me sfond politik nuk ka munguar asnjëherë edhe në mjediset sportive shqiptare, i pranishëm kudo, në stadiume, pallate sporti, kudo. Në ndeshje kampionati, ajo ditë, ai proces, duhet të evidentohej sa më shumë dhe me bujë. Deri edhe në veprimtari ndërkombëtare. Jo vetëm në futboll, por edhe lojërat me dorë, në sporte, disiplina të tjera. Ishte e pamundur që një ngjarje e tillë politike të mungonte, të mos reflektohej, publikohej, reklamohej edhe në stadium, kudo. Një ngjarje e tillë i referohet një fotografie, por edhe si e kujton një futbollist i pranishëm në atë sfidë. Një dokument autentik për atmosferën, kohën. Bëhet fjalë për një takim shumë delikat, të rëndësishëm për situatën politike, midis dy vendeve.

E diel, 14 maj 1967, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, do të zhvillohej ndeshja Shqipëri-Jugosllavi. Pas të parës në Ballkaniadën 1946, fituar 3-2 nga jugosllavët, e pasuar në shtatorin e një viti më vonë me një tjetër fitore 4-2 në Tiranë prej tyre, për të ardhur tek ajo e 1948-ës, e fundit midis tyre, e mbyllur 0-0 ne Beograd për Kupën e Europës Qendrore. Kjo e majit do të ishte e para zyrtare për dy ekipet kombëtare, që do të takohen në një event të tillë kontinental në kryeqytetin shqiptar, në një grup ku është edhe RF Gjermane. Jugosllavia ka në përbërje lojtarë kalibri, midis tyre edhe fenomenin Dragan Xhaiç, që do të shkëlqejë në finalet e “Italia ‘68″. Shqipëria drejtohet nga trajneri Loro Boriçi.

Ekipi kombëtar është: Shllaku, Janku, Kazanxhi, Frashëri, Zhega, Mema, Rragami, Vorfi, Vaso, Xhaçka, Pano (në sfond baneri “Të gjitha votat për kandidatët e frontit demokratik”)

Ekipi kombëtar është: Shllaku, Janku, Kazanxhi, Frashëri, Zhega, Mema, Rragami, Vorfi, Vaso, Xhaçka, Pano (në sfond baneri “Të gjitha votat për kandidatët e frontit demokratik”)

Lidhur me atë përballje, Niko Xhaçka, futbollist i formacionit kuqezi në atë takim, për “Panorama Sport”, kujton: “Ajo nuk ka qenë vetëm një ndeshje futbolli, e cila u fitua 0-2 nga jugosllavët. Për mënyra si u përgatit, u interpretua, u organizua ajo pragsfidë ishte përtej saj. Jo shumë në aspektin sportiv, ndonëse dëshira për ta fituar ishte e madhe, por shumë më tepër në rrafshin politik. Kjo pas prishjes me Jugosllavinë, marrëdhëniet aspak të mira, jomiqësore, të acaruara, politike që mbizotëronin midis dy vendeve në ato vite. Nga altoparlantët e vendosur, montuar në stadium, buçiste muzika shoqëruar me këngë patriotike, revolucionare, që ishin si një kundërvënie edhe për të treguar situatën entuziaste që jetonte Shqipëria. Madje, para takimit na thanë që të mos u jepnim as dorën lojtarëve jugosllavë”.

Mbi të gjitha, nisur edhe nga fotoja, në stadium vihet re një baner i madh i vendosur dukshëm, sipër sektorit përballë, ku shkruhej: “Të gjitha votat për kandidatët e frontit demokratik”. Edhe pse tri javë përpara, kur ato votime ishin caktuar të zhvilloheshin të dielën e 4 qershorit, një parullë e vendosur në “Qemal Stafa”, pa lidhje me ndeshjen ndërkombëtare, veprimtarinë, ishte një mesazh për të kërcënuar, për t’u treguar muskujt, fuqinë, kundërshtarëve, një ekipi futbolli të një shteti fqinj. Edhe ajo e diel ka qenë, 14 maj 1967, një gjysmëshekulli më parë, kur u zhvillua ajo sfidë me atë baner në sfond, në një stadium ku jo vetëm do të luhej futboll, por bëhej thirrje edhe për të votuar kandidatët e frontit demokratik!

Arena e Lajmit

” “


SPECIALE NGA UVIL ZAJMI/ Në Shqipërinë komuniste, kur votohej dhe luhej futboll!

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook