Rritja e pagave të zyrtarëve të lartë, Ilir Çumani rikthen ngjarjen e treguar nga Kadri Roshi: Deputetët njësoj si brigadieri i peshkimit që peshqit e mëdhenj i mbante për vete

Nga ILIR ÇUMANI

TREGIMI I KADRI ROSHIT DHE TURPI QË NXJERR CULLAK KLASËN TONË POLITIKE!

Vite më parë, (kur ishte gjallë), aktori i madh i skenës dhe i ekranit shqiptar Kadri Roshi, pati një takim me simpatizantët e tij dhe artëdashësit në qytetin e Lushnjës.

Në atë takim të përzemërt që zhvillohej në sallën e kinoteatrit të atij qyteti, ai do të rrëfente para publikut të pranishëm një ndodhi që vinte qysh nga koha e viteve të fundit të rregjimit komunist.

Ishte një ndodhi, si shumë prej ngjarjeve dramatike dhe groteske që i prodhonte me shumicë ajo kohë e çmendur, e mbushur me paradokse absurde dhe të çuditshme.

Asokohe, e gjithë shoqëria shqiptare ishte e detyruar të jetonte në shkelje të dinjitetit njerëzor, përmes një modeli jetese me rregulla të kufizuara e barazitiste, me të njëjtin standard jetese për secilin.

E gjitha kjo, ndërtoi status-quo’në e një shoqërie të frustuar e të frikësuar, e zhytur thellë e më thellë në një mjerim antivlerash dhe skamjeje, e lodhur dhe e drobitur në një varfëri ekstreme me triska e tollona të racionuara ushqimore.

Përmes rrëfimit krejt origjinal e me nota të theksuara sarkastike, narrativa e Kadri Roshit në atë takim me simpatizantët e tij, merrte jo vetëm nuanca humori nga përshkrimi i situatave dhe rrethanave të ngjarjes, por më së shumti përcillte edhe një mesazh tek të gjithë të pranishmit në atë sallë të madhe, ku hera herës pati ilaritet dhe të qeshura që shoqëroheshin pafund me brohoritje e duartrokitje frenetike për aktorin e madh.

Aktori rrëfeu se si një brigadier në një ish ndërmarrje të peshkimit në Lagunën e Karavastasë së Divjakës, së bashku me brigadën e tij të peshkatarëve zinin çdo ditë peshk për furnizimin e popullatës.

Kjo ishte puna e përditshme që bënin punonjësit e asaj ndërmarrjeje shtetërore peshkimi.

Kur gjuetia për peshkim shkonte mbarë, e gjitha sasia e peshkut mblidhej e soditej nga vështrimet e gëzuara dhe fytyra të qeshura të brigadës së peshkatarëve.

Suksesit të tyre i bashkoheshin të gjithë banorët e pranishëm atje, të cilët  i gëzoheshin fryteve të punës të një dite tejet të lodhshme, që në fund të fundit i gjithë mundi u punëtorëve të peshkimit i’a kishte vlejt.

Pas përfundimit të gjuetisë, përpara se të bëhej bilanci i normës në fund të ditës dhe të sistemohej peshku në arka për tu shpërndarë për konsum në popull përmes rrjetit të njësive të tregtimit, fillimisht brigadieri së bashku me të tijtë, një pjesë jo të vogël të sasisë së peshkut e ndanin mes vetes së tyre.

I pari që nuk i përmbahej gëzimit dhe binte në sy të të gjithëve ishte brigadieri i ndërmarrjes së peshkimit.

Ishte një burrë shtatlartë, me mustaqe, me barkun e madh dhe mollëzat e faqeve që i kuqëlonin nga shëndeti i tepërt, i cili, gjithë neps e babëzi i shqyente sytë nga peshku i zënë prej peshkatarëve.

Ai, prej tundimit, e niste refrenin e përditshëm duke drejtuar gishtin tregues tek peshku më i madh mes belbëzimit ndër dhëmbë:

“Ky peshku i madh fare është për mmmuuuu….! Edhe ky tjetri më i madh është për mmmuuuu….! ….Edhe ai tjetri që është pak më tutje është për mmmmuuuuu….!”

Brigadierit trupmadh, s’i ndalej që s’i ndalej prej gojës fjala “mmmuuuuu….!”

Nuk lodhej e nuk lodhej së përzgjedhuri, deri sa të gjente edhe peshkun e fundit të madh, duke lënë për arkat që priteshin të mbusheshin dhe të çoheshin për tu shpërndarë në popull vetëm peshqit e vegjël dhe cironkat….

Njëri nga të pranishmit që e ndiqte atë skenë groteske, del si më i guximshëm nga të tjerët dhe i thotë brigadierit:

“Aman, o shoku brigadier, të mbeti goja duke thënë vetëm “mmmuuuuu…!!!”

Edhe lopa që është lopë, gjithmonë bën “mmmuuuu….”, por të paktën ajo na jep çdo ditë qumësht që të hamë të gjithë….!”

“Po pse jam brigadier”, – i’a priti brigadieri barkmadh me faqet shend e verë.

Ç’farë pret nga unë, që të them: “Tyyyyyy….!?”

Në sallë plasi e qeshura dhe duartrokitjet nuk pushonin…

Kjo rrëfenjë e gjigandit Kadri Roshit më erdhi në mëndje për të disatën herë gjatë këtyre ditëve, kur më datën 25 maj 2023, në seancën e Parlamentit shqiptar ndodhi diçka e pazakontë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, i cili nxori cullak anën jo njerëzore dhe aspak empatike të një klase të tërë politike.

Ishin mbledhur si asnjëherë tjetër deputetët e të gjitha krahëve politike, për të miratuar (rrufeshëm pas zgjedhjeve) me një urgjencë të çuditshme paketën e ligjit për “Reformën e Pagave” në Republikën e Shqipërisë.

Së pari, për të qenë i sinqertë, dëshiroj publikisht të jem i qartë lidhur me këtë çështje kaq sensitive dhe me interes publik.

Personalisht, nuk kam qenë dhe nuk jam kundër rritjes së pagave, si për anëtarët e qeverisë ashtu edhe për deputetët, ministrat dhe drejtuesit e rëndësishëm në të gjitha nivelet e institucioneve tona (edhe pse këto kategori, para miratimit të ligjit për dyfishimin e pagave) në raport me nivelet e tjera në hierarkinë e pagave shtetërore, kryesonin listën e më të mirëpaguarve.

Për administratën publike jo dhe jo, pasi ata janë truri që vë në lëvizje motorin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe jo vetëm. Madje, kjo do të duhej të kishte ndodhur edhe më herët për këtë kategori.

Një tjetër arsye mjaft domethënëse e bën legjitime të gjithë kontestimin dhe mosdakortësinë e shumicës së shqiptarëve, që me të drejtë ka ngjallë një revoltë masive në opinionin e gjerë publik lidhur me aktin e pashembullt të asaj që ndodhi të enjten e javës së shkuar në sallën e Parlamentit Shqiptar.

Miratimi i “Ligjit për xhepin e deputetëve dhe ministrave”, (siç ka nisur të quhet rëndom ajo që ndodhi në sallën e Parlamentit shqiptar më dt. 25 maj, 2023), ka të bëjë me mungesën e transparencës.

Ngase u mor një vendim ekstremisht i zhbalancuar dhe në disproporcion me kushtet e realitetit shqiptar, ku si rrallë herë, të gjithë deputetët nxituan dhe u bënë bashkë për ta votuar me shpejtësi dhe në unanimitet të plotë atë ligj.

Ai ligj vjen në një kontrast të plotë në raport me të ardhurat ekonomike fare modeste të shumicë së qytetarëve shqiptarë.

Madje të ardhurat që ata kanë, në të shumtën e rasteve janë të pamjaftueshme për të përballuar koston e minimumit jetik.

Buxheti i shtetit mbahet me taksat, të cilat i delegohen dhe i mirëbesohen qeverisë dhe shtetit nga qytetarët shqiptarë që janë jo vetëm votues, por edhe taksapagues të financave publike.

Ato taksa, mblidhen në mënyrë periodike nga qeveria, me qëllim për ti mirëadministruar dhe për t’ua kthyer sërish qytetarëve jo vetëm përmes investimeve publike, programeve zhvillimore dhe fuqizimit të politikave ekonomike në funksion të rritjes së mirëqenies të qytetarëve, por edhe për ti shpërndarë ato në mënyrë të drejtë dhe të ndershme.

E njëjta gjë duhet të ndodh edhe me pagat në të gjithë hierarkinë e administratës publike dhe shtetërore.

Rritja dhe shpërndarja e pagave duhet bërë në mënyrë graduale dhe ciklike, periudhë pas periudhe, e mirëstudiuar dhe e vlerësuar në përshtatje me realitetin dhe kushteve të zhvillimit ekonomik të vendit.

I gjithë ky proces bëhet për të mbrojtur dhe mbajtur të shëndosha jo vetëm themelet e ekonomisë, por duke mbajtur në këmbë edhe shtyllat kryesore të kohezionit social, (mbrojtjen dhe fuqizimin e politikave mbështetëse për shtresat në nevojë dhe ato më të dobëta të shoqërisë, për pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, invalidët, të moshuarit e braktisur, fëmijët pa kujdesin prindëror, jetimët, etj).

Politikat dhe reforma e pagave duhen zbatuar në mënyrë proporcionale, në raport të drejtë jo vetëm me nevojat dhe mundësitë financiare të shtetit, por edhe me kontributet reale dhe meritat e gjithsecilit, ku në fund të fundit duhet të prevalojë meritokracia, por edhe drejtësia sociale.

Në librin e tij “Çmimi i pabarazisë”, profesori i ekonomisë me origjinë nga India, Nobelisti Joseph Stiglitz, analizon dhe paralajmëron njëkohësisht se: “thellimi në ndarjet sociale rrezikon të ardhmen duke nxitur krizat dhe kolapse financiare…”

Kjo do të thotë që, jo vetëm Presidentit të Republikës, Kryeministrit, anëtarëve të kabinetit qeveritar, deputetëve dhe funksionarëve të tjerë shtetërorë, por edhe qytetarit më të thjeshtë të këtij vendi, i mundur apo i pamundur, t’ju garantohet përmes një legjislacioni bashkëkohor një siguri dhe mbrojtje e balancuar sociale, që buron si një e drejtë themelore universale për një jetë të dinjitetshme për të gjithë, duke i shmangur nga kthetrat e varfërisë që shpesh herë dhe rëndomë këto kategori bien pre e saj, pikërisht prej këtyre vendimmarrjeve të nxituara dhe disbalancave që prodhon politika për interesa të një pakice që sundon mbi shumicën.

Kjo është një praktikë mjaft e njohur kudo në botën e qytetëruar, e mbrojtur nga Konventa të ndryshme Ndërkombëtare, ku mbi gjithçka dhe mbi çdo gjë prevalon dhe duhet të prevalojë vetëm Ligji, i sanksionuar në Preambulën e çdo kushtetute të vendeve të lira dhe demokratike.

Në një shoqëri dhe sistem demokratik, ku shteti i së drejtës funksionon në mënyrë normale, në çdo rrethanë dhe në çdo situatë duhet të prevaloj mbi gjithçka dhe mbi çdo gjë parimi universal i të drejtës për të qenë jo vetëm të barabartë para ligjit, por të barabartë edhe në të drejtën njerëzore për të bërë një jetë të dinjitetshme.

Në debatin e seancës për shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore “Për piramidën e pagave” në Republikën e Shqipërisë, askush nga deputetët nuk solli argumenta bindëse për të legjitimuar këtë vendim absurd dhe krejt të sforcuar për dyfishimin e pagave të deputetëve, ministrave dhe kategorive të tjera, deri në  nivelet më të larta në hierarkinë e shtetit.

Argumenti i vetëm që i përbashkonte deputetët e të gjitha krahëve politike duke mëtuar në një qëndrim të unifikuar ishte se e gjitha kjo kishte të bënte me “dinjitetin e figurës së deputetit”, por vetëm kaq!

Ky qëndrim në unison i deputetëve të Parlamentit Shqiptar, më solli në vëmendje veprimin e ish Kryeministrit të Kosovës z. Ramush Haradinaj, i cili, sapo mori drejtimin e qeverisë, më dt. 20 dhjetor të vitit 2017 merr një vendim për dyfishimin e rrogës së tij nga 1.500 euro në 3000 euro.

Nga ky vendim përfitonin të gjithë anëtarët e kabinentit të ri qeveritar që sapo kishte formuar z. Haradinaj, vendim, që me të drejtë revoltoi masën e madhe të qytetarëve të varfër të Republikës së Kosovës.

Kategori të ndryshme të shoqërisë kosovare reaguan me protesta civile masive kundër qeverisë.

Pyetjes së gazetarëve se ku e kishte bazuar marrjen e këtij vendimi, z. Haradinaj i’u përgjigj se kjo ishte një gjë normale, ngase i nevojitej një rrogë më e madhe për të mundësuar blerjen e kravatave dhe kostumeve, pra, i nevojitej një veshje më serioze me anë të së cilës i duhej një Kryeministri  që ai të prezantohej me dinjitet në të gjitha takimet zyrtare dhe ndërqeveritare….(!!!)

Me ardhjen në pushtet të Kryeministrit të ri të Kosovës z. Albin Kurti, në shkurt të vitit 2020, ky i fundit e zhbëri vendimin e paraardhësit të tij, duke e përgjysmuar përsëri rrogën e Kryeministrit dhe të të gjithë ministrave në kabinetin e ri qeveritar.

Ky ishte një akt i përgjegjshëm jo vetëm politik, por në radhë të parë njerëzor dhe qytetar i një politikani vizionar, të përgjegjshëm dhe me integritet të lartë, që me shumë gjasa nuk mund të ndodh e njëjta gjë edhe me përfaqësuesit e klasës tonë politike.

Ajo që ndodhi në sallën e Kuvendit të Shqipërisë të enjten e dt. 25 maj, 2023, as më shumë dhe as më pak, të kujton historinë e rrëfyer nga aktori Kadri Roshi, me atë Brigadierin e panginjur të ndërrmarrjes së peshkimit në kohën e komunizmit, i cili, peshkun e madh e mbante për vete ndërsa cironkat i linte për popullin.

Por, le të kthehemi në debatin e së enjtes së shkuar në Parlamentin Shqiptar. Në fjalën e tij, deputeti i PD z. Dashnor Sula, me të drejtë e kundërshtoi miratimin e Projekt Ligjit për miratimin e dyfishimit të pagës së deputetëve dhe të ministrave, duke artikuluar në diskursin dhe retorikën e tij faktin se, e gjitha kjo që po tenton shumica absolute e ligjvënsve është një veprim i pandershëm, aspak me natyrë humane.

Ky veprim, tha deputeti opozitar, vjen në kundërshtim me realitetin ekonomik, ku shumica e qytetarëve po përballen sot me varfërinë, që nuk mundin  t’ia dalin as të mbyllin muajin me rrogat qesharake që ata marrin, ndikuar kjo edhe nga efektet negative që ka shkaktuar inflacioni në rritjen e çmimeve për shumë artikuj bazë ushqimorë.

  1. Sula, shkon edhe më tej në fjalën e tij duke protestuar me një deklaratë populiste se, nëse Parlamenti do ta miratonte paketën ligjore, referuar veçmas dyfishimit të pagës së deputetit, shtesën e gjysmës së rrogës së tij, do t’ia “dhuronte për dy vjet Shoqatës së jetimëve në Peqin”.

Në gjykimin tim, është e papranushme, e pasinqertë dhe e padinjitetshme për një deputet që Foltoren e Parlamentit e përdorë me një retorikë kaq bajate populiste, me synimin e vetëm për qëllime të pastra utilitare dhe politike! Përse e them këtë…?!

Z.Sula është deputet i Parlamentit Shqiptar prej katër legjislaturash, që nga viti 2009.

E pyes publikisht se, a ka dijeni ai që jetimët në vendin tonë, (në veçanti fëmijët jetimë në Peqin ku ai është deputet), prej vitesh dhe në mënyrë të pandryshueshme (edhe para se ai të hynte për herë të parë si deputet në Parlament), jetojnë me atë që marrin nga shteti si “ndihmë ekonomike”, vetëm me një lëmoshë qesharake, mjaft denigruese dhe fyese që është në masën 18 DSD në muaj….!?

A ka dijeni deputeti i Peqinit që jetimët familjar me “Status Jetimi”, prej vitesh e dekadash dhe në mënyrë të pandryshueshme marrin një lëmoshë nga shteti vetëm 30 USD në muaj si “ndihmë ekonomike…!?”

Ç’farë nisme dhe çfarë lëvizje politike ka ndërmarrë atje në sallën e Parlamentit ky deputet dhe të ngjashmit e tij kur dikur ishin në pozitë dhe sot në opozitë, për të korrigjuar këtë padrejtësi të paimagjinueshme të një endeku të frikshëm social…!?

Ç’farë përpjekje ka bërë si prind, si qytetar dhe politikan, me synim për të ç’rrënjosur këtë turp dhe krim të shëmtuar social që rëndon në ndërgjegjen e një klase të tërë politike, si nga e majta ashtu dhe nga e djathta,  me qëllim për të ndryshuar e përmirësuar të gjithë kuadrin ligjor dhe për t’ju garantuar fëmijëve jetim të Peqinit dhe 31.000 fëmijëve jetim në mbarë Shqipërinë një jetë të dinjitetshme, një fëmijëri normale e të qetë, si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë….!?

Jetimët e vendit tim dhe të vendit tënd i nderuar z.deputet, prej më shumë se tre dekada mbajnë mbi shpatullat e tyre të njoma dramën më të madhe të mbijetesës dhe pafajësinë që e kanë vetëm krijesat më të dobëta, më të pambrojtura të shoqërisë.

Ata nuk kanë nevojë për lëmoshën tuaj, as për lëmoshën e ndonjë deputeti tjetër, sepse në fakt, ju dhe vetëm ju jeni arsyeja dhe shkaku kryesor i dramës së tyre, për varfërinë e tyre kronike në luftën e përditshme që e bëjnë të vetëm në këtë botë të egër dhe pa dashuri….

Ngase jetimët jetojnë në një Shqipëri të padhembshur, në atë Shqipëri që ka modeluar në këto tre dekata sipas interesave të saj ajo pjesë jo e vogël e klasës politike e papërgjegjshme dhe e korruptuar, ndaj dhe këta jetim nuk mund t’i shpëtoj as “lëmosha” e deputetit Sula dhe as lëmosha e të gjithë deputetëve të marrë së bashku.

Jetimët e Peqinit dhe të mbarë Shqipërisë nuk janë lyparakë dhe as të pa dinjitet. Ata e neverisin dhe e përçmojnë lëmoshën publike që u serviret nga kushdo dhe cilido…

Jetimët i shpëton vetëm një Atdhe më i mirë, një Shqipëri më e dashur, më e dhembshur për të gjithë, pa politikanë mediokër që në fytyrat e tyre kanë vetëm maskën e cinizmit dhe të hipokrizisë…

Ata i shpëton nga kthetrat e mjerimit dhe të varfërisë vetëm një vullnet i mirë politik, që duhet të burojë në mënyrë organike nga një klasë e re politike, e vetëdijshme dhe e përgjegjshme njëkohësisht për misionin që mbart, e përfaqësuar nga njerëz të mençur dhe të zot,  patriotë e atdhetarë të mirë, të urtë dhe të ndershëm, empatik dhe zemërdhembshur, që nuk e keqpërdorin politikën dhe postin si bankomat për të rritur pagat e tyre të majme duke u  pasuruar në kurriz të shumicës, të më të varfërve dhe më të dobtëve.

Së fundi, jetimët i shpëton një legjislacion i fuqishëm që i mbron nga të gjitha cenet dhe plagët sociale, krimi dhe droga, shfrytëzimi dhe prostitucioni, fenomene të shumta dhe të përhapura që i vuan sot e gjithë shoqëria jonë.

Por, derisa të vijë ajo ditë, po e mbyll me një thënie të shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare, i cili me të drejtë thotë se: “Shqipëria ndodhet sot në nivelin më të keq të ndotjes morale që ka njohur ndonjëherë. Nga kjo gropë ajo ose duhet të dalë me ngut, ose do të fundoset përgjithmonë”.

Arena e Lajmit


Rritja e pagave të zyrtarëve të lartë, Ilir Çumani rikthen ngjarjen e treguar nga Kadri Roshi: Deputetët njësoj si brigadieri i peshkimit që peshqit e mëdhenj i mbante për vete

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook