Refik Halili është ndër ata që e ka përjetuar më keq nga të gjithë atë titull të Partizanit të fituar pikërisht ndaj tyre, por sot është radha e tij të festojë, duke i kthyer reston.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, kreu i klubit bardheblu pohon se ky titull shijon më shumë se të tjerët, ndërsa ka falënderime për të gjithë.
Sa i përket kontratës me Shehin, ai është optimist për vazhdimësinë, por në mënyrë indirekte pranon se nuk kanë arritur asgjë, sepse priten të ulen të bisedojnë. Dëshira e tij është të nisë një cikël fitues, por kërkon durim sa të zerohen borxhet dhe të gjitha të ardhurat më pas do të investohen në klubin më të madh në Shqipëri, siç e cilëson presidenti bardheblu.
Sa ju shijon një titull në derbi?
Kjo ishte një ndeshje shumë e mirë për ne dhe ky titull shijon më shumë, sepse kemi fituar një ndeshje me rivalin tonë të përhershëm. Rival sportiv, sepse pas 90 minutash ne jemi miq. Normalisht jemi shumë të kënaqur, sepse klubit tonë i shtohet edhe një trofe tjetër, klubi më i madh në Shqipëri.
Çfarë note do t’i vini skuadrës këtë sezon?
Përderisa dolëm kampionë, skuadra tregoi që e meritojnë këtë titull, treguan që janë skuadra më e mirë. Pastaj, për të gjithë kam falënderime, në veçanti stafi, futbollistët dhe mbi të gjitha edhe tifozëria jonë e mrekullueshme, që gjen rastin na ndjek edhe në këto ditë të vështira ekonomike. Faleminderit të gjithëve, edhe medias, për gjithë mbështetjen që na keni dhënë.
Me Shehin kur do të uleni të bisedoni për kontratën?
Janë gjëra shumë të thjeshta për ne. Kur ka dashamirësi nuk ka gjë që nuk bëhet dhe unë uroj që të mbyllim çdo gjë çfarë kemi për të ardhmen, për të shkuar drejt Europës, siç jemi kështu bashkë.
A mendoni se Tirana do të nisë një cikël fitues, si Skënderbeu para disa viteve ndoshta?
Duhet të flasim shumë për këtë. Ndër vite kemi kaluar shumë vështirësi, kemi trashëguar borxhe shumë të mëdha, të lëna nga ato që ju i keni dëgjuar dhe kemi arritur të shkojmë pak a shumë drejt fundit të atyre borxheve. Ndaj, të gjitha fondet që do të kemi do t’i përdorim për skuadrën. Shpresoj që me një grup si ky dhe me përforcime të tjera ne do të ecim para si gjithmonë.
Në Europë çfarë objektivi ka Tirana?
Kemi kohë për të folur për këto.
Për “SuperSport”: Ju shohim të përlotur…
Ishin lot gëzimi. Fituam titullin, jemi të gjithë të lumtur, unë dhe familja ime. Gjej rastin të falënderoj edhe bashkëshorten që nuk ka ardhur kurrë në stadium.
Gjej rastin të falënderoj tifozët dhe të gjithë skuadrën. Trajneri Shehi ka qenë një prind i dytë për çdo futbollist. Falënderoj Osmanin, që zgjodhi futbollistët bashkë me stafin. Jemi të lumtur që i shtuam edhe një trofe. Falënderoj tifozët që gjejnë mundësinë dhe bëjnë sakrifica për të mbështetur klubin e zemrës.
Ky është fillimi i një cikli?
Ne shpresojmë që në vitet e ardhshme, të jemi skuadër e kujdesshme. Jemi lehtësuar shumë nga të shkuarat, ku kemi pasur një mal me probleme financiare të trashëguara. Tani i kemi hedhur mbas shpine ato. Kemi dhe pak punë për t’i çuar gjërat 0-0. Do të bëjmë më të mirën.
Cili është mendimi juaj për Shehin dhe punën që ka bërë?
Ka qenë një prind i dytë, e ka menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer skuadrën. Ka qenë njeri i kujdesshëm. Një komunikim prej mjeshtri. Gjithë merita i takon atij.
Një fjalë për djalin e vajzën?
Ata u rritën me Tiranën. Edhe Grenti punoi mjaft kohë dhe mori eksperiencë. Përfundon më shpejt zgjidhja kur ulet djali i presidentit dhe drejtori sportiv. Në të ardhmen do të jenë gjërat më mirë, do të vazhdojmë të ecim përpara. Kam shumë besim te grupi dhe stafi.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit