Arrestimi i biznesmenit që korruptoi sekretaren e përgjithshme të Shëndetësisë, kompania ka fituar 109 tendera me vlerë 50 milionë lekë në 2 vjet

Pronari dhe administratori  i një kompanie mbikëqyrjesh punimesh u arrestua bashkë me një punonjës gjatë fundjavës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nën dyshimin se kanë paguar një  ryshfet me vlerë 330 mijë lekë te Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, me qëllim, fitimin e një tenderi me vlerë 672 mijë lekë.

“Në vijim të njoftimit të datës 03.06.2023, informojmë se në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.10/1 të vitit 2023,  hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 03.06.2023 dhe 04.06.2023 urdhërat e ndalimit të Prokurorisë së Posaçme ndaj shtetasve V. T. dhe S. Sh., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nene 245 dhe 25 i Kodit Penal,” thuhet në njoftimin e SPAK.

“…janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin se shtetasi S. Sh., me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dri…..” sh.p.k, pasi e ka marrë vlerën monetare prej 330. 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga banesa e shtetasit V. T., ja ka dërguar më pas shtetases L. Sh., e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, J. D., kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt,” vijon më tej njoftimi.

Operacioni i SPAK tërhoqi vëmendjen për shumën e pazakontë të ryshfetit, të dyshuar, pasi kompania fituese rezulton se ka dhënë 330 mijë lekë për një tender me vlerë totale 672 mijë lekë. Me pak fjalë, gjysma e shumës që pritej të përfitohej nga kontrata dyshohet se është dhënë ryshfet. Tenderi në fjalë kishte të bënte me Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës dhe në të patën marrë pjesë tetë kompani. Autoriteti prokurues skualifikoi për mosplotësim kriteresh të ndryshme gjashtë nga tetë kompanitë pjesëmarrëse para se të shpallte fituese kompaninë Dricons.

E themeluar në vitin 2015, kompania ka fituar 50 procedura prokurimi me vlerë totale 31 milionë lekë gjatë vitit 2022 dhe 59 procedura prokurimi me vlerë 19.5 milionë lekë gjatë vitit 2021, sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik./reporter.al/

Arena e Lajmit


Arrestimi i biznesmenit që korruptoi sekretaren e përgjithshme të Shëndetësisë, kompania ka fituar 109 tendera me vlerë 50 milionë lekë në 2 vjet

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook