Deputeti Agron Gjekmarkaj ka publikuar sot një analizë satirike në lidhje me atë se çfarë ndodhi në seancën e Kuvendit.
Mes të tjerash ai ka analizuar arsyet se përse sipas tij kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla nuk ishte në Kuvend, ndërsa ka prekur edhe debate të ndryshme që u zhvilluan sot.
Kronike e dëshirave të fshehta dhe ankthit që nuk do kallauz!
Dilo Nasufi u zgjua herët sot pasi bëri një gjumë të mbrothtë. Prej kohësh nuk e ha darkën që të mos rëndet. Tek i hiqte një brisk fytyrës mejtonte se i ka ardhë e ëmbël kjo qerrateshë jetë por edhe ai se ka yshtur fatin me tahmah. I ka lënë gjerat të rrjedhin vetvetiu pa kërkuar hasmërira, qeder e pa bërë keq.
U nis për në Tiranë dhe në të dalë të Beratit, pa hezitim, u ndal për një paçe koke me pilaf. Pat vetëm dilemën në duhej të tërhiqte pas insistimit të pronarit një hurm raki nga kumbullat e Roshnikut. Prishur mos qofte tha dhe ja tereziti, i erdhi si e dashur ndjeu ti ngrohen venat. Rruga s’ka va e as idetë po aq.
Gjithë qeverinë kaloi në revistë ndërsa makina i qepej asfaltit për në Tiranë. Kryebashkiak kam qenë, prefekt po, deputet jam, aspak keq nuk do të qe nëse Babo do më bënte ministër se vetë e ka thënë, jemi parti brezash dhe e meritokracisë.
Me këso zavallesh ja behu në sallë. Laerti ishte bërë dhe. Detyrën e lartë që i është besuar s’e ka bërë mirë. Damixhani me lotët e Tezes ishte plasaritur aty këtu, në dy vende kishte rrjedhje dhe dukej i njomur. Mimi di Puçini po mbante me gajret. Mos bëj kështu i thoshte nuk është faji yt, lotët kanë qenë shumë të nxehtë ndërsa xhami i ftohtë. Nga kontakti ka bërë brram. Ai nuk pipëtinte, veç mërmëriste më mirë të me thyhej dora se të me ndodhte kjo.
Si do i dal para Babos që më ka besuar arkivën emocianale të Tezes? Tao për të futur sherr i tha më duket se në një moment kur ti shkove në banjo, Blendi Klosi e gjuajti me gurë se ai ka qejf t’i zërë vendin asaj, se po të derdhen lotët në dysheme e le atë pa kontribut dhe cv.
Shumë zëra e kanë rrethuar Gertën po pikësëpari u rëntë pika xhaxhi Dashit dhe Gazit që i kërkonin dorëheqjen si të tërbuar për një cironke. Pikërisht tani që Gerta ka konsoliduar pozicionin në “Kronikë” këta i thonë ik. Po mos bëfshi hajër mos bëfshi, kot e kini, Gerta është goxha njeri dhe Babo e ka xhan. Pastaj Gazi thotë unë për shqiptaret bëj gjithçka, po Gerta që na mbron nga gripi, viruset, flama, fruthi nuk bëka?
Ulsiu përpiqej të dukej i relaksuar, trendi, pa kravatë po muhabeti nuk i ndezte dhe aq me Evis Kushin. Më shumë buzëqeshjen ja ngante Elisa e veshur si akullore me krem. Babon e pritën me kot se ai që kur i hoqi një të puthur taze të ngrohtë Melonit rri andej nga Kalabria duke e lënë Çyrben pa motive intelektuale qëndrimi në sallë.
Ermua me një kostum blu të thellë alla amerikan ishte më e thepisur se kurrë. Kosta i Grazmozit dhe Linditës i qahej Jonës, qëkur Lindita u bë gjyshe nuk pyet për ne e na lë në pëqi te Ermos ndaj dua të qaj, dua të qaj.
Mos bëj kështu i thoshte ajo se je goxha burrë. Loteët për burrat janë, i thoshte ai dhe dihatjet tundnin perdet. Ben Pëllumbi ndonëse vigjilent dhe reflektiv ndaj sallës e njerëzve për çudi tek shihte përpëlitjen e Kostaqit nuk shfaqte dhembshuri sillej si ministër i Brendshem.
Dy Uetsat Ina dhe Arbi rrinin koke më kokë si xhananer duket se partia po gjen rrugen e bashkimit. Fate Mediu që shqetësimin nuk jua fal gjërave të vogla, ishte në ankth pse Tramp mungonte në takimin e kandidatëve republikane. Me gjasë kur të gjente kohë do t’i bënte një telefonate qortuese. Kryezëvendës Lideri Muli erdhi ashtu siç di ai, duke çarë rrugën e historisë me pallë në dorë siç gjithmonë ka bërë populli ynë. Nuk i del e keqja me votuesit shëtitës dhe nga Foltorja si tufani i Gjalicës tha me këto zgjedhje gjithë pushtetin e morën sovjetet.
Nimfa e Revolucionit, Bana shpresa jonë e ringritjes po përgaditet për mësymje. Petro qafiri shumë i merakosur dukej për prindërit e PD-së, sepse qëkur Baba Lul u takua me Taon druan mos i marrin atësinë dhe i vjen keq se është i brishtë. Salianji sot ishte ai që njohim. Nuk kishte mërzitira nga ato që duken e as inate që shfaqen. Me një cope karton në dorë mbi të cilin ishin shkruar katër pyetjet e mëdha shëtitëse që Basha po i bën miletit, pasi heponte kokën sa andej-këtej thoshte, të thella këto more të uruar, ç’mendim
keni për këto teza të Lul Anshtajnit dhe zgërdhihej si shpirt i keq.
Ah Niko Nikoqiri, Niko Nikoqiri, ai po gjithë ëndje vazhdonte një bisedë të lënë në mes me Belën e cila u kishte marre nurin krejt motrani e shoqeni të qeverisë. Tanimë ajo qe rikthyer në karrigen e saj të papushtuar dhe priste që pas muhabetit, Niko të bënte detyrën t’i bënte një kafe me pak sheqer. Elva Margeriti kishte vetëm një frëngji për botën, celularin e saj. Do i jetë këputur gjithë ajo qafë ashtu kokëposhtë. Nuk thonë kot paç fatin e Nik Çollakut , edepsëzi mes Jorides dhe Etildës në Shkup si Odiseu mes Shilës dhe Karibdës.
()