Inflacioni rritet papritur në maj, ushqimet shtrenjtohen me 10%, rënia e euros nuk ndihmon

Pas gjashtë muajsh radhazi, kur shfaqi shenja ngadalësimi, rritja e çmimeve u përshpejtua sërish në muajin maj, përkundrejt pritshmërive të Bankës së Shqipërisë që treguesi të kishte një ulje graduale përgjatë këtij viti.

INSTAT njoftoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Maj 2023 është 4,7%,  një vit më parë ky ndryshim ishte 6,7%.

Që nga tetori i vitit 2022, kur inflacioni arriti në 8.3%, niveli më i lartë që nga 1998, treguesi ishte ulur në mënyrë konstante deri në prill, kur zbriti në 4.6%, për t’iu rikthyer sërish rritjes së lehtë në maj.

Nuk duket të ketë ndikuar as rënia e ndjeshme e euros e dollarit, që teorikisht duhet të ulte çmimet e produkteve të importuara, pasi importuesit me të njëjtën sasi lekësh mund të blejnë më shumë valutë e si rrjedhojë më shumë mallra.

Ndikimin kryesor në shtimin e presioneve inflacioniste e ka dhënë shtrenjtimi i ushqimeve. Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin Maj është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,58 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,47 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,41 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,22 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,18 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me -0,82 pikë përqindje.

Banka e Shqipërisë deklaroi më herët se inflacioni ka pasur tendencë rënëse, i ndikuar nga rënia e përgjithshme e inflacionit në ambientin botëror, efekti i bazës së lartë krahasuese të një viti më parë dhe nga efektet e para të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare.

Parashikimet e bankës sugjerojnë se inflacioni do të vijojë rënien graduale gjatë këtij viti dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Megjithatë, rritja e pagave pritej që të ndikonte në shtimin e presioneve inflacioniste.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Maj 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 10,0%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 6,9%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,5%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,0%, “Veshje dhe këpucë” me 4,2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,0%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor” me 2,2% secili, “Shëndeti” me 1,4% dhe “Komunikimi” me 1,2%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënoi ulje me 12,3%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 18,3%, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 14,3%, “mish” me 12,1%, “fruta” me 12,0%, “peshk” me 9,2%, “bukë dhe drithëra” me 4,5%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4,1%, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Prill 2023, çmimet e grupeve “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Transporti” u ulën më 1,2% secili.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 1,2%, pasuar nga “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,9%, “Veshje dhe këpucë” me 0,5%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,4% secili, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,2% dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1%. Monitor

Arena e Lajmit


Inflacioni rritet papritur në maj, ushqimet shtrenjtohen me 10%, rënia e euros nuk ndihmon

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook