Deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj ka propozuar me ironi që kryeministri Edi Rama të jetë president part time, teksa siç thotë ai në optikën e njeriut që vendos për çdo gjë dhe për çdokënd, askush nuk është i denjë për postin e Presidentit të Republikës.
Gjekmarkaj iu bëri thirrje të gjithë faktorëve politikë shqiptarë që mund të ndikojnë, që secili të bëjë presion që Presidenti i ri të jetë as i Ramës, as i Berishës, as i Metës, por të jetë një person me integritet, me statusin e një personi të njohur dhe të pranuar nga bota perëndimore në Shqipëri.
“Ne jemi brenda rregullores, kemi detyrimin t’i bëjmë këto mbledhje por po marrin formën e një gjëje ciklike që nuk prodhon politikë, por vetëm data. Ky proces që nuk është proces në fakt, besoj shumë që po e bën me turp politikën shqiptare, por me gjasë dhe turpi po i braktis trojet arbërore dhe po ikën nga Shqipëria. Maxhoranca ka numra për ta zgjedhur presidentin, por nuk mandate politike për ta zgjedhur atë.
Deri tani ngjajmë me ata që duan ta popullojnë marsin. As ju nuk dini asgjë, as ne nuk dimë asgjë sepse jemi opozita dhe një opozitë me probleme që s’po merremi vesh, por kjo nuk justifikon hilet e fshehta.
Ndoshta në optikën e njeriut që vendos për çdo gjë dhe për çdokënd, askush nuk është i denjë për postin e Presidentit të Republikës, atëherë ne mund të propozojmë që ta bëjë si punë part time paradite të jetë kryeministër dhe pasdite president Republike, t’i bashkojë dy poste në një. Kjo është një ironi e hidhur e një realiteti ku jetojmë. Besoj shumë që Shqipëria ka nevojë për një President më shumë se sa një njeri i opozitës apo i PS-së. Një president euro-atlantik. Në këtë krizë ku gjendet demokracia shqiptare, euroatlantikët në Shqipëri janë e vetmja garanci që mund t’ia shpëtojnë formën dhe kornizën demokracisë shqiptare.
Revokoj këtu të gjithë faktorët politikë shqiptarë që mund të ndikojnë, do të ishte e udhës që secili të bëjë presion që Presidenti i ri të jetë as i Ramës, as i Berishës, as i Metës, por të jetë një person me integritet, me statusin e një personi të njohur dhe të pranuar nga bota perëndimore në Shqipëri si investim i rojtarit të demokracisë shqiptare”, tha Gjekmarkaj.