Nënkryetari i Partisë së Lirisë Endrit Braimllari ka dhënë sot një deklaratë nga selia e PL.
Ai ka kërkuar që të ndalen pagesat për inceneratorët të cilët nuk ekzistojnë.
Braimllari u shpreh se pas zgjedhjeve të 14 majit, me fitimin e vendeve në këshillat bashkiakë, opozita dhe qytetarët kanë zërin e saj.
“Së bashku me ta do të udhëheqim një front të ri, atë të transparencës dhe llogaridhënies”, tha ai.
Deklarata e plotë:
Përshëndetje!
Të nderuar qytetarë jemi në këtë komunikim për të sjellë në vëmendje keqqeverisjen e Bashkisë së Tiranës nga Erion Veliaj.
Gjatë këtyre viteve Bashkia e Tiranës u shndërrua në një bunker me mungesë të transparencës dhe llogaridhënies.
Bashkia e Tiranës në këto 4 vite, pa opozitën në këshillin bashkiak rriti papërgjegjshmërinë, arrogancën dhe thelloi korrupsionin në këtë institucion.
Bashkia Tiranë është sot simboli i një institucioni të korruptuar, abuzues me taksat e qytetarëve duke mospërmbushur detyrimet e saj për qytetin.
Ne si Partia e Lirisë, kemi bërë denoncime të shumta për mosfunksionimin e këtij institucioni në shërbim të qytetarëve por në shërbim të interesit personal të Erion Veliaj dhe shpurës së tij.
Çështje shumë të rëndësishme presin transparencë dhe zgjidhje nga qytetarët.
- Cështja e inceneratorëve, ku Erion Veliaj përfshihet drejtëpërdrejt në korrupsion dhe abuzim me detyrën duke marrë kompentencat e këshillit bashkiak.
Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës vazhdon të kryejë çdo ditë pagesat për inceneratorin që nuk ekziston nga taksat e qytetarëve të Tiranës. Dhe është detyra e këshillit të ri bashkiak ta verifikojë në terren.
- Infrastruktura e qytetit e cila megjithë asfaltin elektoral të Erion Veliaj para 14 majit në shumicën e zonave të qytetit lë për të dëshiruar.
- Uji i pijshëm një premtim që në mandatin e parë të Erion Veliaj për furnizim 24 orë, ende sot nuk është realizuar megjithë rritjen e stratosferike të çmimit të këtij shërbimi.
- Taksat e larta të cilat janë kthyer në barrë për familjarët, për bizneset e vogla duke i çuar drejt falimentimit. Rritja e këtyre taksave në këto 4 vite është bërë pa asnjë konsultë me qytetarët dhe bizneset dhe në mungesë totale transparence.
- Transparencë për politikat sociale për strehimin të Bashkisë së Tiranës. Të ardhurat që bashkia mbledh nga taksa e ndërtimit nuk janë shpërndarë në mënyrë të drejtë në respekt të ligjit, për familjet dhe çiftet e reja në Tiranë që t’i ndihmojë ato për të pasur një banesë.
Detyra jonë tanimë është e qartë, të kthejmë tranparencën, llogaridhënien në komisione dhe në mbledhjet e këshillit bashkiak së bashku me qytetarët e Tiranës. Do verifikojmë çdo shërbim dhe do jemi prezent kudo në çdo njësi të qytetit për të denoncuar çdo papërgjeshmëri dhe korrupsion dhe duke propozuar inciativa që do përmirësojnë jetën e banorëve.
Sistemi monist i Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës tashmë ka rënë.
Opozita ka zërin e saj, qytetarët kanë zërin e tyre dhe së bashku me ta do të udhëheqim një front të ri, atë të transparencës dhe llogaridhënies.
Faleminderit!